Fatos Kongoli- Vjen romani i ri

Fatos Kongoli- Vjen romani i ri

Ngjarjet

Diku, në një apartament luksoz, në një prej pallateve të larta, më të rejat e kryeqytetit ndodh një krim. Vrasësi është një gazetar, pronar i apartamentit, i cili, pas një bashkëjetese prej dy vjetësh, sapo është ndarë me mikeshën e tij, gjithashtu gazetare, drejtuese e një emisioni të përjavshëm televiziv me VIP-a. Në vazhdën e një teknike tashmë të sprovuar të autorit, romani zhvillohet në dy kohë. Koha reale janë dy javë të muajit korrik të vitit 2004, kur gazetari, në një gjendje psikike të rënduar, kryen aksidentalisht krimin. Koha tjetër përfshin jetën e këtij personazhi të ditëve tona, lindur tridhjetë e dy vjet të shkuara, në një apartament modest, në një pallat modest, në një lagje modeste të kryeqytetit. Një jetë e ndrydhur dhe e mbyllur në përmasat e një kutie shkrepësesh.


Në këtë libër autori kërkon rrënjët e skizofrenisë kolektive që ka shoqëruar dhe vazhdon të shoqërojë ecjen e shoqërisë së sotme shqiptare, veç të tjerash, edhe në përmasat e ndrydhura të hapësirave të saj të jetesës. Faqe pas faqeje, Kongoli na zbulon universin e së përditshmes së njerëzve të zakonshëm, të cilin ai dëshmon se e njeh nga afër. Duke na zbuluar njëherazi hendekun e lemerishëm të pabarazisë sociale dhe të moskomunikimit që është krijuar tashmë brenda kësaj shoqërie, ndaj së cilës, personazhi kryesor, gazetari që ka kryer krimin, ndihet i huaj. Dhe merr përsipër të përballet me poshtërsinë dhe ligësinë njerëzore derisa i pafuqishëm në këtë mision, dorëzohet. Ai më kot përpiqet të gjejë strehë te kujtimet e fëmijërisë, të dashurive të tij. Është pa dyshim, një roman i shkruar plot finesë e dhimbje, që lexohet me një frymë.


Krijimtari

"Jetë në një kuti shkrepësesh" është i nënti në serinë romaneske të autorit, që nis me "Ne të tre" (1985) dhe "Karuseli" (1990), për të vazhduar me një varg prej shtatë romanësh të tjerë: "I humburi" (1992), "Kufoma" (1994), "Dragoi i fildishtë" (1999), "Ëndrra e Damokleut" (2001), "Lëkura e qenit" (2003), "Te porta e shën Pjetrit" (2005). Të gjithë këto romane kanë përjetuar një interes të pazakontë në rradhët e lexuesve, si dhe janë botuar në nëntë vende të ndryshme të Evropës. Kjo krijimtari e ka futur Kongolin në elitën e letrave shqipe, si një nga shkrimtarët e sotëm jo vetëm më produktivë, ndër më të suksesshmit brenda dhe jashtë vendit, por njëherazi, më përfaqësuesi i periudhës së tranzicionit.


Fatos Kongoli, tashmë 63 vjeç i lindur në Elbasan ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri". Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuar nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L'Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika"-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë" (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.

“Jetë në një kuti shkrepësesh”

(Pasazh nga romani)

Po sjell në vëmendjen tuaj, - më falni, nuk i shpëtoj dot kësaj mënyre të foluri, të injektuar tek unë nga Veronika, - dy personazhe që i përkasin parahistorisë sime. Njërin tashmë jua kam zënë me gojë, quhej Elton. Tjetra, Suela. Që të dy nuk ndodhen më në Shqipëri. Eltoni është larguar katërmbëdhjetë vjet të shkuara, me eksodin e Ambasadave. Ka përfunduar në Australi, në Sidnei, prej nga nuk është kthyer më.

Suela u largua vite më vonë, në kohën e trazirave të '97-ës dhe ndodhet në Bari. Siç më tha në një bisedë telefonike, kulmi i trazirave e zuri te kafe-bari "Pergola", përballë Ambasadës Italiane, që frekuentohej nga punonjës të kësaj ambasade, me disa prej të cilëve, si gazetare e emisionit të lajmeve në televizionin shtetëror dhe kliente e rregullt te "Pergola", kishte krijuar njohje. Atë ditë marsi me krisma në të katër anët, njëri nga këta i paskej thënë se po të dëshironte, nëse ndihej e rrezikuar, mund të largohej bashkë me të drejt Italisë. Një helikopter, që tashmë ndodhej në fushën e stadiumit aty pranë, pritej të nisej nga çasti në çast, me një pjesë të personelit të ambasadës. "Ika vetëm me rrobat e trupit, më tha ajo në telefon, s'pata kohë të lajmëroja as njerëzit e shtëpisë."
Suelën e kam njohur nëpërmjet Eltonit. Eltonin e njoh qysh se mbaj mend veten time: kemi qenë komshinj, familja e tij banonte në apartamentin përballë nesh.
Eltoni ishte i vetmi djalë moshatar me mua midis fëmijëve të shkallës. Megjithatë, nuk qëlloi asnjëherë të gjendeshim në të njëjtën shkollë. Tetëvjeçaren unë e mbarova tek "Emin Duraku", ai te "Sabaudin Gabrani". Të mesmen, unë te "Petro Nini", ai te "Qemal Stafa". Kur e pyeta një herë përse zgjidhte shkolla aq larg zonës së banimit, ai m'u përgjigj se kështu vendoste i ati.

Argument i pakundërshtueshëm. Babai i Eltonit ishte një tip, po them, më vete. Prindërit e mi, ndoshta, do ta quanin aventurier. Për të mos shkuar më larg, për shembull, ta quanin vagabond, në kuptimin e njeriut pa skrupuj moralë, në kundërshtim me parimet e tyre të shenjta për familjen. Por unë nuk i dëgjova kurrë ta merrnin nëpër gojë, nuk përgojonin askënd.

Dikur, sipër derës së apartamentit ku banonte Eltoni, mbi një pllakë prej peciglasi të bardhë, mbërthyer me dy vida, shkruhej emri i kryefamiljarit: Qenan Dika. Thjesht, pa ndonjë Dr. ose Prof. Nëse, për paradoks, krahas emrit, do të ishte e detyrueshme të shënohej profesioni, në etiketën e derës përballë apartamentit tonë do të shkruhej: Qenan Dika, kryekamerier. Dhe, nëse kërkohej edhe vendi i punës, do të merrej vesh se babai i Eltonit mbante mbi supe detyrën e lakmueshme të kryekamerierit te një ndër lokalet më në zë të kryeqytetit ato kohë....

Marre nga : Balkanweb


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama