Kjo bëhet më e vështirë edhe në mungesë të nismave private. Ata që janë me fat mund të përfshihen edhe në ndonjë projekt privat, të tjerë shfrytëzojnë ndonjë njohje, ndërsa shumica duhet të presë. E lakmuar mbetet skena e Teatrit Kombëtar. Për ta bërë atë sa më të prekshme, pak kohë më parë, ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj miratoi një fond të veçantë që shkonte për artistët e rinj në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Interesimi ka filluar të duket.
Sipas drejtorit të TK-së, Kristaq Skrami, në këtë institucion kanë filluar të trokasin të rinjtë që duan të bëhen pjesë e projektit. Teatrit Kombëtar i është akorduar një fond prej 6 milionë lekë të vjetra. Skrami është shprehur se ato do të përdoren për të realizuar 6 apo 7 vepra me artistë të rinj. Vitet e tjera, Ministria e Kulturës ka miratuar projekte për regjisorët e rinj. Por këto ishin projekte që nuk menaxhoheshin nga Teatri Kombëtar. Skrami thekson se në kriteret e sivjetshme kërkohen jo vetëm regjisorët e rinj, por do të mundohen që edhe kasti i aktorëve të jenë të rinj. "Nga ky kriter do të bëjnë përjashtim raste të rralla, të tilla si atëherë kur duhet të luhet një rol plaku dhe mosha nuk ua lejon aktorëve të rinj". Gjithçka që do të vihet në skenë do të kalojë nëpërmjet konkurrimit. Të rinjtë mund të shkojnë të dërgojnë kërkesën e tyre në zyrën e marketingut në Teatrin Kombëtar.
Përzgjedhja
Ata që do të bëhen pjesë e këtij projekti për të rinj, duhet ta fitojnë atë. Artistët që do të konkurrojnë do të përzgjidhen nga një juri e formuar tashmë. Në përbërje të saj janë drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, aktorët Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Milto Kutali dhe Adonis Filipi. Përcaktimi të rinj për artistët, do të përfshijë ata që kanë mbaruar Akademinë e Arteve deri në moshën 35 vjeç. Në diskutim janë studentët që sivjet diplomohen. "Duhet të arrijmë në një mendim të përbashkët me anëtarët e jurisë, nëse studentët që po diplomohen sivjet mund të konkurrojnë me një projekt që mund të quhet punë diplome", - shprehet Skrami. Ndërsa hapësira e pranimit duket se do të përfshijë edhe të rinj nga Kosova dhe Maqedonia. Përveç kurikulimit, artistët duhet të dërgojnë edhe një dvd, ku të ketë pak filmime nga punët e tyre të mëparshme.
Skrami e quan shumë të rëndësishëm këtë projekt, duke theksuar se "është i domosdoshëm për të rinjtë që nuk kanë asnjë opsion tjetër për të shprehur mundësitë e tyre". Por jo gjithçka do të jetë e garantuar nga fondi i akorduar në TK. Të rinjtë fitues duhet të sigurojnë edhe ndonjë sponsor për të garantuar një prezantim më të gjerë të shfaqjes. Në kriteret e përzgjedhjes nuk ka rëndësi nëse vepra është shqiptare apo e huaj. Sipas Skramit, rëndësi ka cilësia e tyre. Menjëherë pas përzgjedhjes së të rinjve fitues, emrat e të cilëve do të bëhen publikë në një konferencë shtypi, do të fillohet nga puna. Vlerësimin e parë artistët e rinj do ta marrin nga publiku.
Festivali
Të gjitha veprat e realizuara me fondin prej 6 milionë lekë të vjetra, përveç shfaqjes së tyre si premierë, në fund të muajit tetor do të jenë pjesë e Festivalit të Rinjve. Sipas Kristaq Skramit, festivali do të ketë një juri tjetër vlerësuese që do të ndajë edhe çmimet. Sipas tij, është e rëndësishme që projekte të tilla mbështetëse të vazhdojnë edhe në të ardhmen, si e vetmja mundësi që këta të rinj që diplomohen të sprovojnë veten e tyre. Gjatë kësaj kohe do të vazhdojnë të shqyrtohen kërkesat e të rinjve për të përzgjedhur ata që do të ngjiten në skenë. Ndërsa veprat e realizuara, përveç shfaqjes në sallat e Akademisë së Arteve dhe në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, është parashikuar që të bëjnë edhe turne edhe nëpër qytete të tilla si Durrësi, Shkodra, Vlora etj.
Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare











