Në atelienë “At’Nikolla” tendenca e verës ndihet që në hyrje. Një xhaketë e hollë jeshile e veshur në një manekin, një tyl po jeshil mbi tavolinë, ca copa ende të paprera me lule, ku mbizotëron jeshilja, të dëshmojnë dukshëm–edhe pa të treguar akoma Enada - se çfarë ngjyre duhet të veshësh këtë stinë: sidomos jeshile.
“Është ngjyrë e qeshur, dhe e sfumuar me të kuqen krijon një kombinim vërtet të bukur. Por edhe me të zezën dhe të bardhën jeshilja shkon shumë. Pastaj mund të zgjedhësh dizenjot me vija dhe pika, të cilat edhe për këtë vit do të vazhdojnë të jenë sërish në modë”. Kështu këshillon Enada At’Nikolla për muajt e nxehtë. Dhe që të jesh në harmoni të plotë me nxehtësinë e ditëve të verës, patjetër që edhe look-u duhet të ketë temperatura të larta.
Vazhdoni të vishni fustane të shkurtër, vetëm kini kujdes që gjithçka të shoqërohet me detaje sportive dhe sidomos ushtarake. Dhe kjo e fundit është shumë e rëndësishme për të qenë në modë. Elementët ushtarakë duket të mbizotërojnë në veshje: xhepa, spaleta, jaka apo kopsa. Të gjitha duhet të kenë natyrë të tillë: ushtarake. Një veshje që i ka të dyja, edhe eleganten, edhe sportiven. Një tendencë kjo, të cilën Enada At’Nikolla e ka mirëpritur me shumë dëshirë në ambientet e saj të punës.
Sa për sandalet, nuk ka kufi të prerë. Mund të preferoni të mbani taka të ulëta, ose edhe sandale të sheshta fare. Nuk kanë asnjë ndryshim: po ato detaje, po ato punime, lidhëse apo gurë.
Kurse sa për veshjen e plazhit, një gjë është e sigurt: nga atelieja “At’Nikolla” këtë verë nuk do të dalin asnjë palë rroba banje pa u shoqëruar me ndonjë stampë frutash të tipit luleshtrydhe apo qershi, sepse i jep veshjes nota shumë të këndshme. Dhe jo vetëm në rrobat e banjës. Një lepurush i vogël në xhepin e një xhakete do t’ju sillte vërtet shumë humor dhe do ta bënte shumë të këndshme veshjen tuaj.
Sa për modelin e rrobave të banjës, edhe këtë vit, sidomos në Shqipëri, veshja e plazhit do të vazhdojë të jetë e përmasave sa më mikroskopike, për një arsye fare të thjeshtë: që ngjyra e bronztë që depërtojë edhe në vendet më të fshehura.

Në ditët e nxehta të verës nga atelieja “At’Nikolla” vijnë ca këshilla që do t’ju bëjnë të mos e ndjeni fare stinën e nxehtë. Mos i shtoni veshjes tuaj asnjë lloj aksesori të tipit varëse, unaza, vëthë, byzylykë! Rolin e tyre do ta luajë çanta e stërmadhe, syzet dhe ora. Me kusht që asnjëra prej tyre të mos jetë e thjeshtë: gjithçka e ngarkuar, për ta kompletuar veshjen në tërësi. Syze-aksesorë me gurë dhe modele të veçanta, një orë aspak e thjeshtë dhe një çantë e madhe shumëngjyrëshe e punuar me fantazi.
Dhe sa për dozat trendy, një detaj tepër i veçantë, të cilin Enada e ka provuar vetë e para. Një shami –kujdes, mos harroni që edhe kjo të mos jetë aspak e thjeshtë apo njëngjyrëshe dhe mundësisht të ketë mbizotërime të jeshiles- e vendosur në kokë do të plotësonte deri në fund një veshje moderne, trendy dhe të lehtë për stinën e verës.
Marre nga : Revista Jeta











