Optimizem ne Gjermani Eshte ndalur eksodi nga Shqiperia

Optimizem ne Gjermani: Eshte ndalur eksodi nga Shqiperia

Manfred Schmidt është një nga njerëzit më të intervistuar këto ditë në Gjermani.

Ai është president i Zyrës Federale për Emigrantët.

Së fundmi ai është shprehur se nuk e kishin parashikuar një fluks të tillë azilantësh, sidomos nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por të paktën sa i përket Shqipërisë, ai thotë se janë optimistë pasi duket se fluksi po ndalet.

“Gjatë tre-katër javëve të fundit është ulur ndjeshëm numri i azilantëve shqiptarë. Numri i tyre është përgjysmuar. Nga data 10-23 gusht kemi pasur rreth 2 mijë kërkesa, ndërkohë që vetëm në dy javët e fundit të korrikut ishin 4 mijë kërkesa,” tha ai për BR.

Ndërkohë ai nuk është optimist se numri i azilantëve nga Siria do të ndalet, madje thotë se do ketë shtim të ndjeshëm të tyre.

I pyetur për kërkesën për të hequr paratë që marrin azilantët nga Ballkani, ai thotë se duhet shqyrtuar me seriozitet kërkesa për të shpallur Shqipërinë dhe Kosovën si vende të sigurta të origjinës.

“Njerëzit atje thonë kështu: nëse qëndrojmë tre ose katër muaj këtu, do marrim para për të siguruar jetën për një vit në vendin tonë. Kjo vlen për një familje me pesë persona nga Shqipëria, që marrin rreth 1600 euro për tre muaj këtu, ndërkohë që atje rroga mesatare është rreth 200 euro në muaj. Kjo pagesë duket një joshje e mirë,” thotë Schmidt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama