Ka kënduar 35 herë në festivale dhe nuk ka marrë asnjë çmim të parë. Por kur flet për këto festivale, Kozma Dushi bëhet nostalgjik.
I pyetur nga Panorama në lidhje me akuzat e Gjergj Lekës ndaj këngëtarëve të brezit të tij, Dushi thotë se Leka është një muzikant i formuar dhe kompletuar, por ndoshta ka pirë ndonjë gotë kur i ka bërë ato komente.
“Ndoshta Gjergji ka qenë i pirë, aludoj unë. Se njerëz jemi, sidomos ne artistët edhe e pimë ndonjë gotë më shumë, kudo në botë kështu janë artistët. Megjithatë, nëse ato fjalë i ka thënë esëll, për mendimin tim ka bërë gabim që është marrë me këngëtarët e brezit të asaj kohe…
…Asnjë fije floku nuk ke çfarë t’u kritikosh këngëtarëve të asaj kohe. Kanë qenë këngëtarë e këngëtare shumë të mira, profesionistë dhe jo pseudokëngëtarë. Kishin vlera, pa pranoheshin nëpër festivale. Nuk kishte shans e dritë jeshile për antivlerat”.
Dushi thotë se Sigurimi nuk kishte fare lidhje me artistët, madje e quan këtë deklaratë një dokërr.
I pyetur nëse do këndonte një këngë për partinë e Enverin, ai thotë: “Do ta këndoja patjetër. Jo unë, por çdo artist do ta këndonte, as që bëhej fjalë”.