"The Guardian" i ka kushtuar një reportazh këtij fenomeni në gazetën e 31 marsit. Me titullin "Burrat e shtëpisë", autori i këtij shkrimi hyn deri në detajet që i kanë detyruar këto femra të kthehen në burra, të jenë zotë shtëpie, dhe të harrojnë qenien e tyre përjetësisht. Nuk është çudi kjo që ndodh në një pjesë të Shqipërisë veriore, të vendit që prej më shumë se 40 vjet ishte në izolim të plotë, por një realitet i cili vijon të jetë prezent edhe sot në shumë zona. "Ato janë zemra e familjes", vishen si burra, sillen si të tilla dhe tymosin duhan, gjë e cila nuk u lejohej femrave gjatë regjimit komunist. Duke u sjellë prej vitesh si burra, në pamjen e tyre kanë humbur të gjitha shenjat e feminilitetit, dhe me shumë vështirësi mund të dallosh vetëm shkëlqimin e syve nën qerpik, se thellë tyre fle një grua. Eshtë bukur dhe e dhembshme ajo çfarë prek në këto zona shqiptare, sipas "The Guardian", diçka që të bën të përjetosh sikur je duke parë një film.
Dhe ky film ndodh aty në një shtëpi të vjetër fshati, në odën ku një grua e kthyer në burrë mundohet të të shërbejë nën ritet e vjetra shqiptare, që në këto zona ruhen me fanatizëm dhe të tregojë historinë e saj. "Janë mijëra histori të ngjashme në personazhet që ne takuam në udhëtimin tonë drejt Shqipërisë", rrëfen "The Guardian", të cilat në thelb kanë të njëjtën mesazh, mbrojtjen e nderit të shtëpisë, dhe kthimin në një zot të vërtetë shtëpie, për të mbrojtur anëtarët e tjerë të shtëpisë pas humbjes të së zotit të shtëpisë. Virgjiniat, që gazetarët amerikanë kanë takuar në Shqipëri, nuk kanë asnjë lidhje me homoseksualitetin. Nëse në kohët e sotme kthimi i grave në burra, ka të bëjë me devijimet e tyre seksuale, në Shqipëri ky fenomen nuk ka lidhje me këtë ndryshim. Ato nuk kanë prirje homoseksuale, siç rrëfejnë, por i besojnë ritit të vjetër kanunor, që i lejon këtë shndërrim.
Gratë-Burra, që ata takuan, nuk duan të flasin për seksin, duke thënë se e kanë harruar këtë gjë kaq njerëzore që në momentin që vendosën të vishnin pantallonat e të zotit të shtëpisë. Haki, është 66 vjeçe. Burri (grua) nuk kërkon të shpjegojë shumë rreth jetës së tij. Ai jeton i qetë në fshat, merret me punët e përditshme të jetës për të mbajtur më bukë familjen, dhe e sheh si të panevojshme shpjegimin një të huaji se përse zgjodhi këtë rrugë për fatin e tij. Ndërsa Mirë Lletë, 64 vjeçe, e cila tashmë me rikthimin në burrë quhet Kajtaz, rrëfen se kur ishte tetë vjeç i pëlqente të quhej kështu siç quhet sot Kajtaz, dhe të punonte tokën bashkë me të atin dhe dy vëllezërit. Familja e saj kishte shumë toka, dhe asaj i pëlqente të punonte bashkë me vëllezërit sikur të ishte një djalë.
Por historia e Kajtaz është më e veçanta, pasi dikur ajo ka qenë e fejuar. Pas vdekjes të së fejuarit, askush nuk donte të martohej me të. Ndaj, ajo vendosi ta kalonte më mirë jetën duke u kujdesur për tokat e të atit, të cilat i adhuronte. Lika (Liria), e cila sot është 57 vjeçe, rrëfen se asnjëherë nuk i ka pëlqyer që kishte lindur vajzë. Vetëm 14 vjeçe, ajo nisi të pinte cigare me djemtë në shkollë. "Unë vishesha si djalë dhe punoja edhe gjatë pushimeve, pasi më pëlqente të isha e lirë. Kur shkova për studime në Prizren, kisha më shumë kohë të merresha me veten dhe askush nuk më shihte si një vajzë". Që nga ajo kohë, ajo është kthyer në një burrë dhe thotë se nuk do t‘ia dijë për dashurinë dhe seksin. "Unë dua të jem e lirë të punoj, të shkoj për peshk, të pi raki, vodka apo birra", thotë ajo.
Pjesa më e madhe e grave-burra, të cilat "The Guardian" i përshkruan janë nga Kosova. Gjithçka çfarë kjo media mundohet t‘i ofrojë publikut të saj është jeta që ekziston brenda këtyre qenieve ndryshe, të cilët thonë se e kanë harruar përjetësisht dashurinë dhe i janë dedikuar thjesht punës.
Gazeta Shqip











