Por, edhe pas kaq vitesh nga ky krim, filozofia e poezisë së tij e vazhdon rrugën e saj, duke anashkaluar kufijtë e gadishullit Iberik , fshatin Fuente Vakueros në afërsi të Granadës, në jug të Spanjës, ku ai edhe qau për herë të parë. Poeti gjeni, i vrarë tragjikisht në 1936, vazhdon të konsiderohet nga kritika më elitare europiane dhe më gjerë si poeti modern, që krijoi dhe dha një stil të ri në poezi.
Si një histori e ricikluar , me të njëjtat grykë pushke nën një agim të murrmë dhe të zymtë vere, përshfaqet ndjellësia e vdekjes në filmin dokumentar të realizuar nga Namik Ajazi. Titulli :”Kur vriteshin poetët”.
“Ka patur dhe një kohë kur vriteshin poetët”, është dëgjuar të shtunën tronditshëm spikeri që fliste nga ekrani i kinema Millenium 2 në Tiranë, kur politikanë dhe njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, nën një heshtje emocionuese kanë ndjekur për më shumë se gjatë 40 minutave jetën tragjike të dy poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy të rinj, që aspironin për një jetë ndryshe nga Bërzeshta, një zonë malore pranë Librazhdit, qytet në juglindje të Shqipërisë i krijuar enkas nga Partia e Punës, rreth viteve ’50 të shekullit të kaluar.
Të duket i njëjti skenar i zhvendosur në kohë dhe në hapësira të ndryshme.
Lorka nën tytat e errëta të pushkëve në 19 gusht 1936, Leka dhe Blloshmi, në 17 korrik 1977 nën tyta të errëta të pushkëve mbi bazë të një vendimi absurd të një kohe absurde.
“Jemi munduar të sjellim bindshëm dy jetë të prera tragjikisht në vitin 1977 ”, cilëson për shtypin Namik Ajazi, realizues i njohur i një varg dokumentarësh në Shqipëri dhe që gjithnjë ka ditur të rrokë tema të mprehta që kanë prekur dhe prekin Shqipërinë e post-diktaturës.
Ndërtuar thjesht , dokumentari me skenar të poetit të njohur Sadik Bejko dhe Namik Ajazit, dhe montazh nga mjeshtri Andon Beqari, duket se nuk të lë vend as për komente dhe as për filozofi. Sepse historia e dy të rinjve , aq shumë e komentuar gjatë viteve të fundit nga të gjitha shtresat e shoqërisë pragmatiste shqiptare nuk ka nevojë as për komente dhe aq më shumë për filozfi .
Autorët e dokumentarit, kanë ditur të kapin pikërisht këtë sekret. Të tregojnë thjesht dhe tronditshëm faktin se edhe në Shqipëri, ka pasur Lorka, ka pasur vrasës të poezisë, dhe të shpirtit të lirë që ka ajo.
Dy histori njerëzore të ndërtuara paralelisht dhe që bashkohen përmes një rrëfimi të ngrohtë në një pikë :Vrasje fizike .
Sepse në fakt a mund të vritet poezia, ?
A mund të vritet dlirësia e shpirtit që kanë poetët ?
Ky është privilegji i njerëzve që shkruajnë, që dinë të thonë atë që gjithkush e mendon e ndjen, por që nuk di ta shprehë dhe ta shkruajë si ata.
Kjo është enciklopedia e të qenit artist , i të qenit i pazakontë nga të zakontët .
Në fakt, pse i vranë? Kujt i duhej vrasja e tyre? Pyetjet vërtiten gjerthurazi teksa ndjek imazhet e këtij dokumentari , kur nën kameran vëzhguese dhe reale të Bledi Mandisë, jepen kohë të shkuara, por jo të harruara.
Është misioni që ka në fakt dokumentari si gjini e artit të shtatë, e përcaktuar si e vështirë, por që kur arrin të mishërojë brenda një histori reale, të jep si ky dokumentar mundësi që një publik i gjerë të njohë krijimtarinë dhe vlerat e dy poetëve jeta e të cilëve u pre tragjikisht, duke lënë pas lotët dhe brengat e familjarëve të tyre, protagonistë të gjallë në këtë dokumentar.
Njerëzit e lodhur të Shqipërisë përmes këtij dokumentari rikuptojmë dhe njëherë akuzat e sajuara për të justifikuar vrasjen e tyre të paravendosur. Të vrarë mizorisht dhe me paramendim nga fanatikët e një sekti politik, Blloshmi dhe Leka ishin dy njerëz që mendonin ndryshe, që shkruanin ndryshe, që i thurnin vargje ndryshe dashurisë dhe hënës.
Leximi i krijimeve artistike të dy poetëve, në film është një lexim i trishtë që përshfaq para teje edhe viktimizimin pa arsye të mijëra e mijëra familjeve të tëra, të masakruara, të burgosura , të përndjekura , që vuajtën kampet famëkeqe të punës. Pikërisht këtë mekanizëm kriminal dhe përbërësit e tij i ilustron më së miri dokumentari “Kur vriteshin poetët". Në të jepen përgatitja e procesit dhe vetë procesi gjyqësor absurd ndaj tyre me synim: fundin tragjik të tyre si edhe të familjeve të tyre.
Aty kuptohet për të gjithë që nuk e kanë jetuar si merrej vendimi përpara gjykimit, si përzgjidheshin viktimat (nga radhët e "armikut të klasës") , të cilët duhej të shërbenin si shembull për të tjerët, si përgatiteshin akuzat e sajuara që duheshin për të "justifikuar" atë vendim.
Aty kuptohet roli i strukturave të Sigurimit të Shtetit, Komiteteve të Partisë dhe veglave të e tyre, që akuzuan dy të rinj që aspironin një liri dhe kulturë tjetër të akuzoheshin për agjitacion e propagandë (neni 55), sabotim të ekonomisë socialiste (neni 72) dhe dëmtim të pronës.
Dhe kur asnjë prej këtyre akuzave nuk parashihte, sipas Kodit Penal në fuqi, dënimin kapital, sipas një vendimi apo qarkoreje të kryetarit të Gjykatës së Lartë bashkimi i këtyre akuzave do të barazohej me dënimin me vdekje.
Aty kuptohet fuqia e shpirtit që kanë njerëzit që dinë të mbrojnë bindshëm qënien , mendimin, ndërgjegjen e tyre përkundrejt çdo lloj torture dhune apo psikologjike.
Të nderuar në vitin 1994 me titujt e lartë , “Martirë të demokracisë”, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi,sigurisht që janë sot më heronj se sa heronjtë. Krimi tashmë është demaskuar dhe dënuar.
Ata që e kanë pagëzuar dhe e kanë kryer krimin, e kanë marrë apo jo shpagimin,duket se nuk ka më vlerë, sepse deri sa kanë qenë pjesëmarrës në të, duket se ata dinë të jetojnë jetën edhe me të !!!
Nuk është i panjohur fakti se diktatura të të gjitha ngjyrave kanë asgjesur jetë njerëzisht tragjikisht .
Euforia e krimit, gjithnjë i ka bërë të harrojnë se ata (armiqtë) e pushtetit të tyre pa dashjen e tyre i kanë bërë të pavdekshëm.
Marre nga - Koha Jone











