Zbulohet dokumenti sekret i CIA Ja si do sillej Enveri po te vdiste Nexhmije Hoxha

Zbulohet dokumenti sekret i CIA: Ja si do sillej Enveri po te vdiste Nexhmije Hoxha

Materiali është një dokument i deklasifikuar i CIA-s për Shqipërinë dhe mban datën 24 shkurt 1964. Ai është ndërtuar në formën e një telegrami, të cilin shefi i një baze të Zbulimit amerikan ia dërgon eprorit të tij, shefit të stacionit. Përmbajtjen e këtij dokumenti e përbëjnë komentet në lidhje me marrëdhëniet midis Enver dhe Nexhmije Hoxhës, e cila është subjekti i kësaj korrespondence sekrete.

Në thelb, gjithë dokumenti është përgjigje e pyetjes së shtruar: Çfarë do të bënte Enveri po të vdiste Nexhmija? Autori i komenteve është një shqiptar që duket se i ka njohur mirë që të dy dhe që duhet të ketë qenë me funksione në Parti, ose me lidhje të ngushta me funksionarë të lartë të Partisë.

Emri i këtij bashkëpunëtori nuk jepet dhe nuk dihet nëse shkruan nga brenda Shqipërisë apo nga emigracioni. Merret vesh se ky nuk është bashkëpunimi i tij i parë me CIA-n. Në një moment ai përmend një biografi të Nexhmijes që i ka dërguar më parë CIA-s. Shtruarja e kësaj pyetjeje nga CIA të kujton lojën e shahut ku njëra palë do të llogarisë pasojat që do të kishte për mbretin kundërshtar humbja e mbretëreshës së tij.

Konkluzioni i arritur është se në një rast të tillë, mbreti, Enveri, do të afrohej më shumë me oficerin që kishte në krah të djathtë, Mehmetin.
Dokumenti ka tri pjesë:
1. Komenti përcjellës i shefi të stacionit
2. Përkthimi i komenteve në anglisht
3. Origjinali në shqip (3 faqe me makinë shkrimi dhe 4 rreshta me shkrim dore në fund)

KOMENTI PËRCJELLËS NË ANGLISHT
1. Bashkëngjitur po dërgojmë komentet e [--] në lidhje me marrëdhëniet e Subjektit dhe Enver Hoxhës dhe mbi ndikimin që do të kishte vdekja e saj ndaj tij.

2. Me pak fjalë, [--] ndjen se do të ishte jashtëzakonisht e pamundur të pritej që vdekja e së shoqes të mos kishte ndikim mbi Enverin kur ata kanë kaluar bashkë 20 vjet të martuar. Megjithatë, [--] menjëherë shton se nuk mendon se kjo do të sillte ndonjë ndryshim thelbësor psikologjik ose në drejtime të tjera tek Enveri si person ose si udhëheqës i Partisë së Punës.

Në analizë të fundit, Enver Hoxha nuk është sentimental; ai ka qenë zot i vetes, megjithëse pa dyshim është mbështetur te gruaja e tij për të gjetur përkrahje morale në etjen e tij për pushtet.

Mendimi i [--] është se në mungesë të së shoqes, Enver Hoxha do të kërkonte mbështetjen psikologjike të Mehmet Shehut, të paktën në një të ardhme të afërt. Si rrjedhim, rezultati përfundimtar në rastin e vdekjes së Subjektit do të jetë vendosja e marrëdhënieve më të ngushta midis Enverit dhe Mehmetit.

RAPORTI NË SHQIP
Njëzet vjet bashkëjetesë është një periudhë mjaft e gjatë në jetën e një çifti. Dhe është e natyrshme që humbja e njërës palë të ketë reperkusione (pasoja, B.S.) në palën tjetër. Në rastin konkret Enver-Nexhmije, kjo bashkëjetesë ka, përveç anës së saj kualitative (cilësore, B.S.), periodë 20- vjeçare, edhe anën e saj kuantitative (sasiore, B.S.), peroidë e turbullt që bashkon automatikisht më tepër palët në simbiozë.

Në këtë drejtim, vlen të theksohet se etapa e parë e kësaj simbioze i përket viteve të fundit të okupacionit dhe të luftës partizane; etapa e dytë, viteve të vështira për Enverin kur (1945-1948) presioni jugosllav gjithmonë në rritje e sipër synonte zëvendësimin e tij në postin Nr. 1 të Partisë Komuniste shqiptare me Koçi Xoxen.

Në këtë etapë të dytë, përkrahja, kryesisht morale e Nexhmijes ndaj Enverit, bashkëshortit të saj, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. (Thuhej në këtë drejtim në Tiranë se, në ato kohë, “Letrat e KQ të PK (b) të B.R.S.S. mbi gjendjen në Partinë Komuniste jugosllave”, që proceduan rezolutën e qershorit të vitit 1948 dhe skizmën Beograd-Moskë, dhe që iu dorëzuan në mënyrë konfidenciale dhe sekrete Enver Hoxhës nga ambasadori sovjetik në Shqipëri, iu bënë të njohura pikërisht nga Enver Hoxha të shoqes shumë kohë më përpara sesa t’i bëheshin të ditura Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare.

(Thuhej ato kohë në Tiranë se Enveri ia bëri të ditura këto letra më përpara së shoqes, domethënë Nexhmijes, së dyti Mehmet Shehut e Bedri Spahiut dhe së treti i shtroi zyrtarisht hapur përpara Komitetit Qendror për diskutim). Etapa e tretë i takon triumfit absolut të Enverit mbi Koçi Xoxen, domethënë kohës që kalon nga Kongresi I i Partisë e këtej, por, në të njëjtën kohë kjo etapë përmban edhe rivalitetin e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun. (Në këtë drejtim vlen të theksohet se në aparatin e Propagandës e të Agjitacionit të Komitetit Qendror, drejtore e të cilit ka qenë vazhdimisht Nexhmije Hoxha, kurrë nuk janë pranuar ose futur elementë “mehmetistë”, madje janë mbajtur qëllimisht larg kësaj drejtorie të rëndësishme).

Etapa e katërt i përket periodës që fillon me skizmën Tiranë- Moskë dhe në këtë periodë, natyrisht, rivaliteti Hoxha- Shehu, për arsye të vetëkuptueshme, humb nga intensiteti i tij. (Edhe në këtë fazë, të gjitha shenjat tregojnë se Nexhmija i ka qëndruar në krah burrit të saj.) Në simbiozën Enver-Nexhmije, për opinionin tim, elementi më i fortë, pala më e fuqishme, ka qenë Enveri. Dhe kjo për arsye të personalitetit të tij më të spikatur.

Nën një maskë “de bonhomme” (babaxhan, B.S.), Enveri ka fshehur kurdoherë një diplomat anadollak, me shumë zotësi për të manovruar midis tarafeve, një politikan të zgjidhjeve ekstreme dhe, sado që në pamje ballafuq, ai, domethënë Enveri, ka qenë kurdoherë njeriu i vendimeve të guximshme (pa pasur rrëmbyeshmërinë dhe kapriçiozitetin e Mehmetit); fjala vjen prishja e Marrëveshjes së Mukjes gjatë luftës, braktisja e Titos dhe lufta e hapur kundër tij; skizma e fundit me Moskën, – të gjitha këto i detyrohen në radhë të parë qëndrimit të Enverit.

Nga ana e saj, bashkëshortja e tij, Nexhmija, nuk ka qenë kurrë aq tepër njeri i veprimeve të guximshme; më tepër se sa grua veprimi, ajo ka qenë person që u nënshtrohej shpejt presioneve të të tjerëve; më tepër sesa udhëheqëse politike reale – një grua zyre – ndofta gruaja më intelektuale që kish Partia Komuniste shqiptare. Jashtëzakonisht autodidakte, ajo ishte shumë e lidhur pas librave.

Gjatë etapës së dytë, fjala vjen, tërë fuqinë ia kish marrë Naxhije Duma, ish-anëtare e K. Qendror, “beniamine” e Koçi Xoxes; edhe në kohën e shizmës Tiranë-Moskë, disa të dhëna tregojnë se si ajo, si gruaja e Mehmetit (Fiqrete Shehu) u lëkundën dhe treguan shenja frikësimi dhe abandonimi të posteve.
Si konkluzion, përsërit: Në simbiozën Enver-Nexhmije, pala determinante qe Enveri.

Që këtej, nuk besoj se humbja eventuale e Nexhmijes do të sjellë ndryshime të spikatura në qëndrimin e Enverit, aq më tepër sepse ky i fundit, në thelb, nuk është edhe shumë njeri i sentimenteve. Karakteristika që spikat e Enverit është adhurimi jashtë mase i “egos” së tij. Kjo “ego” nuk lë shumë vend për të tjerët, qofshin këta të tjerë edhe bashkëshortja e tij me të cilën jetoi bashkërisht 20 vjet të tëra, në ditë të mira e të këqija, të turbullta e të qeta, të rrezikshme e triumfuese.
Sidoqoftë, njëfarë roli, qoftë edhe të dorës së dytë ose të tretë, humbja e Nexhmijes do të ketë mbi personin e Enverit.

I vendosur për gati një çerekshekulli në krye të Partisë si personi nr. 1, i ndodhur kurdoherë – qoftë edhe jashtë vullnetit të tij – në një rreth tërë intriga e rivalitete, divergjenca e armiqësi, të hapura ose të fshehta, personale, ambicie dhe pasione, lakmi dhe “convoitises”, Enveri, desh – s’desh, duhej diku të hapte zemrën e tij, diku të mbështetej moralisht, diku të qante hallin e tij ose të bisedonte planet dhe meraqet e tij. Person më të përshtatshëm se sa të shoqen, domethënë Nexhmijen, nuk mund të gjente.

Le të mos harrojmë në këtë drejtim edhe faktorin e njohur psikologjik, krevatin, errësirën, ndjenjën e vetmisë. Është fare e natyrshme, pra, që Nexhmia të ketë qenë për 20 vjet të tëra “konfesori” personal i Enverit, shporta e mbyllur e sekreteve të tij. Vetë natyra e Nexhmijes, mendoj se e ndihmonte Enverin për konfesione (për t’u rrëfyer, B.S).

Në të vërtetë, sipas opinionit tim, Nexhmije Hoxha ka qenë një njeri më tepër i butë, me mirëkuptim dhe “comprehension” për hallet e të tjerëve. Në biografinë që kam dhënë më përpara mbi personin e saj, kisha shënuar midis të tjerave: “Konsiderohej si një nga anëtaret e K. Qendror më liberale …e sjellshme dhe afruar; ndryshe nga shumica e simotrave të saj, ajo gëzonte njëfarë simpatie midis komunistëve që e njihnin për shkak të butësisë së saj …ka shumë merita intelektuale”.

Kjo veçori e Nexhmijes, butësia, sado që të mos e ndikonte të shoqin, kishte njëfarë influencimi, qoftë edhe të vogël, në veprimet dhe qëndrimin e këtij të fundit. Njerëzit kur jetojnë për një kohë të gjatë së afërmi marrin diçka, sadopak, nga njëri-tjetri, bëjnë, sado të vogla, koncesione reciproke për këtë ose atë fushë.

Me zhdukjen e Nexhmijes mendoj, pra, se e egra që ndodhet në karakterin intrisek (brenda, B.S.) të Enverit, do të spikasë edhe më tepër. Ndofta, në mungesë të një personi që i ishte shumë i afërm (me zhdukjen eventuale të Nexhmijes) ai do të kërkojë gjetiu njëfarë mbështetje morale e psikologjike. Natyrisht, hëpërhë, në të ardhmen imediate, unë, personalisht, përjashtoj mundësinë që Enveri ta kërkojë këtë mbështetje në elementin femër. I mbeten, sigurisht, në moshën e tij të sotme, përmbi të 50-at, fëmijët që ka nga Nexhmia (3 djem, më i madhi i të cilëve afro 15 vjeç).

Por fëmijët kurrë nuk mbushin, sidomos kur janë të vegjël, boshllëqe të tilla. Personi tek i cili, sipas opinionit tim, Enveri do të kërkojë në të ardhmen imediate mbështetjen psikologjike, është Mehmeti. Dhe natyrisht, ky i fundit, do të bëjë çmos që të përfitojë nga situata e favorshme për të. Kështu, pra, po të pranohet si e drejtë hipoteza e mësipërme, vdekja eventuale e Nexhmijes do të ketë si pasojë afrimin më të madh të Enverit te Mehmeti (jo të Mehmetit tek Enveri). (Paragrafi i fundit në origjinalin shqip është me shkrim dore.)

Sa për aparatin e agjitpropit pranë Komitetit Qendror, unë mendoj se ky aparat (Drejtoria Qendrore e Agjitpropit) edhe pa praninë e Nexhmijes do të vazhdojë të mbetet kryesisht një organ i Enverit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama