Është çelur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve Pamore ekspozita lëvizëse e përzgjedhur me titull “ Mitet dhe Imazhi origjinal në detin e njohjes”, konsideruar si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në fushën e arteve pamore.
E veçanta e këtij aktiviteti qëndron në ekspozimin për herë të parë të veprave origjinale të disa prej artistëve më të njohur të shekullit të XX, duke filluar nga klasikët e modernizmit, tek periudha e transavangardës italiane e për të vazhduar deri në ditët tona.
“Fakti që sot në muzetë tona,- theksoi në fjalën e tij të përurimit të kësaj veprimtarie, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli Pango,- shohim artistë të mëdhenj të skenës së artit botëror, do të thotë që Shqipëria tani jo vetëm gjografikisht, por edhe kulturalisht është pjesë integrale e Europës.”
“Shqipëria nuk është një vend i rastësishëm, për shfaqen e Miteve në artet pamore.- vijoi më tej ai.- Vendi ynë laget nga ujërat dhe detet e Mesdheut, të këtij mjedisi gjigant, ku lindën ngjarjet e të gjitha poemave të lashta mitologjike. Kjo bën, që detet e Ilirisë së hershme dhe Shqipërisë së sotme, të jenë ujëra të përbashkëta dhe burime të lindjes dhe të ruajtjes së subjekteve dhe personazheve mitologjikë mesdhetarë.
Miti, në pikturë dhe skulpturë është një temë, që jep shembullin më të veçantë, të një prej parimeve më të rëndësishme të Arteve Klasike në periudhën e lashtësisë e që ka për epiqendër jo njeriun, por konceptin për njeriun. Mitet, kanë lindur nga subkoshienca antike njerëzore, edhe pse janë gojëdhëna të transmetuara nëpërmjet gjuhës prej një kohe shumë të largët dhe të hershme, vetëm artet, i’u dhanë atyre figurën, magjinë pasqyruese. Ajo ka për qëllim të na tregojë rrugën, që kanë përshkuar mitet dhe personazhet në krijimtarinë artistike, nga pre-historia, antikiteti e deri në ditët tona “
Ekspozita është organizuar dhe e koordinuar nga Renato Miraço. Paraqiten 84 vepra të ardhura nga institucione dhe muzetë italiane me të rëndësishme, si Galeria Komunale e Artit Modern dhe Bashkëkohor të Romës, Galeria e Artit Modern në Genova, Galeria e Artit Modern Riçi-Oddi në Piacenza dhe nga koleksione private. Iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e realizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, me mbështetjen e Costa Crociere dhe bashkëpunimin e fondacionit "Anytonoi Mazzotta" ekspozita ka për qëllim të ripërshkojë disa fragmente themelore në "ndërtesën emocionale të mitit të përbashkët mesdhetar, të imazhit origjinal". Ajo do të qëndrojë deri në 29 prill, për të vazhduar më tej udhëtimin në shtete të tjera.
Marre nga : Koha Jone











