Bamir Topi Kemi Parlamentin me te gjore ne historine e shtetit shqiptar

Bamir Topi: Kemi Parlamentin me te gjore ne historine e shtetit shqiptar

Ish- presidenti, Bamir Topi, në një intervistë ekskluzive për JAVANEWS, ngre një sërë problemesh duke filluar që nga reforma në drejtësi, ligji për dekriminalizimin, riorganizimin e së djathtës, marrdhëniet me PD, si dhe komenton edhe mandatin e tij 5 vjecar si President. Ish kreu i shtetit shprehet se çështja nuk qëndron te dekriminalizimi nga një apo disa personave. Problemi real, sipas tij, është se: “Kush do të dekriminalizojë mendjet kriminale të disa njerëzve të rëndësishëm në vendimmarrjet politike”.

Ai vlerëson se është pikërisht kjo vendimarrje që e ka çuar Parlamentin “në gjendje të pashpresë për sfidat evropiane të Shqipërisë”. “Flitet për drejtësi, por askush nuk don të ndryshojë ligji i zgjedhjeve, aty ku buron pushteti i korruptuar nga votat e vjedhura apo të blera”, konstaton ish- Presidenti. Përgjatë kësaj interviste ai shprehet se ende nuk arrin ta kuptojë se përse FRD-ja që ai drejton konsiderohet nga kupola e PD-së “si armiku politik kryesor”. Ish- kreu i shtetit shprehet shumë skeptik për riorganizimin normal të së djathtës, pasi, sipas tij, timonin e anijes e ka akoma në dorë Berisha, njeriu që qoftë edhe një ditë të vetme në 25 vjet nuk i shërbeu të djathtës. Lidhur me arritjet e tij përgjatë mandatit 5 vjeçar si President, Bamir Topi vlerëson se arritja më e qënësishme, ishte ruajta e pavarësisë së institucioneve të pavarura nga sulmet e ish- kryeministrit Berisha, sulme të cilat, sipas tij, “do të mbeten në memorien kolektive, si sjellje primitive të një njeriu që donte pushtet absolut”.

Vihen re një sërë zhvillimesh politike në vend, të cilat më së shumti nuk po fokusohen në problematika shqetësuese sa i përket interesave të qytetarëve, problematikës që shqetëson jetën e tyre të përditshme, por më së shumti në nivel debatesh me karakter personal mes krerëve të politikës si në nivel partiak ashtu edhe në atë parlamentar. A mund të themi se politika si instrument për zgjidhjen e problemeve ka humbur sensin dhe busullën?

Në memorien time, si edhe në vijim të një analizë logjike dhe politike të kohës së tranzicionit, vërtetë Shqipëria ka patur një klasë politike pak të formuar, shfaqja e së cilës herë ka qenë amatoreske, groteske, por ka marrë edhe trajtë dramatike, sikurse janë ngjarjet e vitit 1997, apo ngjarja e 21 janarit 2011.

Politika e tranzicionit është interpretuar në mënyrë emotive, është personalizuar dhe ka marrë fizionominë dhe emrin e atyre që kanë drejtuar mazhorancat politike. Kjo shpjegon arsyen pse kemi ende shtet dhe institucione të dobta, informalitet të lartë, korrupsion, elita politike të çthurura, pa idealizëm dhe në momente të caktuara, shfaqje të caktuara të simptomave diktatoriale dhe veprime kriminale të strukturave shtetërore. Çudia e madhe është se sa më shumë kalon koha, aq më shumë përkeqësohen kualitetet politike përfaqësuese dhe për pasojë, sot parlamenti është në gjendje të pashpresë për të udhëhequr sfidat evropiane të Shqipërisë.

Ende pa filluar seanca parlamentare, ne e dimë se çdo të ndodhë sipas një skenari steriotipik, ku prej shumë vitesh “orkestrën” në atë sallë vazhdon ta dirigjojë e njëjta filozofi arkaike e kaosit dhe anarkisë, kurth, ku kanë rënë të gjithë. Demokriti thoshte se sharjet janë argument për ata që nuk kanë të drejtë. Në këto kushte, ku ka humbur sensi, nuk mund të ketë busull që të tregojë rrugët e funksionimit të një shteti normal apo të një ekonomie që ka humbur prioritetet e zhvillimit, duke përfunduar në një ekonomi gjobash që nuk çon askund.

Padyshim, formalizimi i shtetit dhe ekonomisë është rregull për të gjithë, por nuk duhet të na kujtojë rastin e Martin Shkrelit në SHBA, që morri monopolin e ilaçit për të sëmurët kronikë dhe e shumëfishoi çmimin brenda ditës, duke sjellë panik dhe duke i shuar dëshirën mjaft njerëzve për të vazhduar betejën me vdekjen në emër të jetës, duke u kthyer sipas medias botërore, si njeriu më i urryer për momentin. Ligji dhe metodat e zbatimit duhet të jenë racionale.


Ka dy nisma të rëndësishme në Kuvend që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi dhe të dekriminalizimit. Ju keni qenë President. Cilat janë problemet më kardinale që e bëjnë drejtësinë të lëngojë? Po problemi delikat i përfaqësimit të forcave politike në Kuvend apo dhe në nivel lokal me figura të përfolura me lidhje kriminale? A po vihet gishti vërtetë në plagë? Apo…

Absolutisht gjithçka lidhet me drejtësinë, si koncept dhe më pas si institucion. Me të drejtë ndërkombëtarët ushtrojnë presion te partitë parlamentare për të bërë reformë të thellë të drejtësisë dhe të vetpastrohen. Sipas meje, çështja nuk mund të thjeshtohet te një ndërhyrje mekanike për dekriminalizimin. Vepra penale e kryer, e shoqëruar me një akt formal juridik të gjykatave shqiptare apo ndërkombëtare, nuk ka nevojë të interpretohet nga politika. Problemi themelor është se kush do të dekriminalizojë mendjet kriminale të disa njerëzve të rëndësishëm në vendimmarrjet politike. Si ka mundësi të flitet për drejtësi, kur askush nuk don të ndryshojë ligji i zgjedhjeve, aty ku buron pushteti i korruptuar nga votat e vjedhura apo të blera.

Gjithçka është futur në rreth vicioz. Pushteti prodhon të fortët dhe të pashkolluarit dhe këta mbajnë pushtetin. Prandaj kemi parlamentin më të “gjorë” në historinë e shtetit shqiptar.

Pa një ligj të drejtë e të ndershëm elektoral, ku çdokush të meritojë përfaqësimin, vështirë se gjërat do të sistemohen në Shqipëri. Ligji elektoral është kodi gjenetik i funksionimit serioz të shtetit, ndryshe do të vazhdojmë të shohim teatrin absurd me pasoja dramatike për të ardhmen. Sistemi më i mirë politik është ai ku dëgjohen më tepër ligjet sesa oratorët, ku edhe këta të fundit nuk po i shohim më.

A ndjehet komode FRD në një mjedis me kontraste të forta politike në një koalicion të majtë nga njëra anë dhe nga ana tjetër me forcën kryesore të opozitës që duket se ka ngurtësuar çdo komunikim me faktorë të së djathtës shqiptare në vend?

Fryma e Re Demokratike është një forcë relativisht e re dhe ndonëse me vështirësi, ka arritur të krijojë identitetin e vet origjinal në politikën shqiptare. Natyrisht, nuk ka vend për komoditet, përkundrazi jemi të penalizuar nga ligji i “të fortëve” dhe djalllëzia e tyre për t’i kthyer partitë në apendikse të intereave të tyre megallomane. Në çdo marrëveshje, ne kemi qenë transparentë dhe me kontribute për një shtet modern në demokraci. Nëse do të flas fare hapur me ju, kemi një mazhorancë politike me probleme të dukshme, që i shohim çdo ditë dhe një opozitë parlamentare që kënaqet me erën e vet, të dekapituar dhe egoiste, duke mbetur mjerisht në beteja avokatore për të kaluarën e liderit të tyre. Imagjinoni sa e vjetër dhe ironike vjen thirrja “Poshtë komunizmi”, filozofi e vdekur botërisht. Kjo bëhet për të mos u futur në probleme reale të asaj që prodhon çdo ditë mafia politike. Sipas nesh, shëndetësimi i ligjit elektoral dhe reforma në drejtësi do të bëjnë që shteti dhe shoqëria të hyjnë në shina. Më shumë se kurrë ka nevojë për rimodelim e kampeve politike, mbi parime bashkëpunimi dhe jo me arrogancën që sjell mbyllja dhe dështimi i rradhës.

Disa figura brenda PD-së i kanë bërë thirrje Bashës që të hapë derën për FRD-në. Prisni të ndodhë kjo? A keni ju kushtet tuaja për një koalicion me PD-në?

Sinqerisht nuk arrij të kuptoj ende pse Fryma e Re Demokratike është konsideruar nga ata, si armiku politik kryesor për Partinë Demoratike. Ndoshta kjo bëhet për të monopolizuar të djathtën shqiptare, që nuk ekziston as në frymë dhe as në realitet. Sot jemi në kushtet e një difidence totale.

FRD është forcë politike autonome dhe ekziston si parti e qendrës së djathtë, pavarësisht emocioneve dhe rolit diversiv të lidershipit të vjetër të PD-së. Pa një vizion perëndimor, vullnet dhe një ristrukturim të qartë të forcave politike të krahut të djathtë, gjithçka do të sjellë kaos dhe aleanca jo natyrale që nuk çojnë asgjëkundi. Më këtë kontekst, ne nuk presim të ndodhë asgjë, sa kohë tek opozita parlamentare mbizotëron një sjellje arrogante, kaotike, me shenja të qarta të një politike të provincës dhe jo të metropolit në kuptimin metaforik të fjalës.

Gjithnjë e më shumë kufijtë e dallimit mes forcave politike të djathta dhe të majta sa vinë e po zbehen. Pak kuptohet tani se ku fillon e mbaron e djathta apo e majta. A ka nevojë për një riformatim të së djathtës? Si mund të kryhej ky proces? A jeni gati për ndonjë nisëm konkrete në këtë drejtim?

Ne kemi një konstatim të qartë në mënyrën sesi funksionojnë partitë politike në Shqipëri. Ka pak idealizëm dhe miopi në vizionet politike dhe shumë, shumë pragmatizëm. Paradoksialisht ka një sjellje tipike komuniste tek e djathta zyrtare dhe shumë kapitalizëm tek e majta proletare. Mesa duket, ka një sjellje tipike makiavelike që mjeti justifikon qëllimin e vetëm për të ardhur e mbajtur pushtetin e rradhës. Dhe për këtë, nuk ka rëndësi si arrin pushtetin, por mbajtja me çdo kusht duke e bërë politikën arrogante e jo profesionale. Ajo që nuk e kam besuar është fakti që pas 25 viteve, në një vend të vogël e me shumë mundësi, niveli i politikës dhe i institucioneve janë përkeqësuar. Nuk besoj se jam subjektiv, pasi e dëgjoj nga shumë zëra intelektualë.

Unë jam shumë skeptik për riorganizimin normal të së djathtës, ku timonin e anijes e ka akoma në dorë, njeriu që qoftë edhe një ditë të vetme në 25 vjet nuk i shërbeu të djathtës, qoftë për pronat, shtetin, ekonominë dhe për më tepër, çështjes së të përndjekurve politikë. Sidoqoftë, do të shohim zhvillimet në prespektivë dhe aftësitë e lidershipit të ri për t’u shkëputur nga e vjetra, që nuk prodhon më asnjë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama