Pas 59 vitesh zbulohet tema e diplomes se Dritero Agollit

Pas 59 vitesh zbulohet tema e diplomes se Dritero Agollit

Nis java e kremtimit të ditëlindjes së 85–të të shkrimtarit Dritëro Agollit, javë në të cilën do të zhvillohet një mori aktivitetesh në bashkëpunim me AQSHF, Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar, transmeton In Fokusi.


Në aktivitetin e organizuar sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, siç transmeton ATSH, u zbulua një detaj mjaft interesant nga punimet e shkrimtarit Agolli.

“Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”. Kjo ishte tema e diplomës, që i riu Dritëro Agolli do të mbronte përpara një komisioni specialistësh në Universitetin e Petersburgut. Punimin e shkrimtarit, e risjell studjuesi, prof. Dr Shaban Sinani në ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit”, në aktivitetetin e organizuar sot.

Tema është mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja. Sipas Sinanit, zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut” si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat sovjetike.

Ndërsa “Ekspozita agolliane” sjell për lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të krijmtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari.

Nga poezitë e para të vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat të satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëheri frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e suksesshme në dy epoka.

Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erëreve të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997).

Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama