Moj e bukura More historia e kenges se famshme te arberesheve

'Moj e bukura More', historia e kenges se famshme te arberesheve

“Moj e bukura More”, një prej këngëve më të popullarizuara, konsiderohet simbol i rëndësishëm i arbëreshëve në mbarë trojet shqiptare. Historia që bart kjo këngë është testament i një periudhe nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në shekullin XV, kishte nisur edhe migrimi i shqiptarëve për në Itali, të cilët më pas u quajtën arbëresh. E ata që shkuan në Greqi morën emrin arvanitë. “Moj e bukura More” i kushtohet atdheut, Shqipërisë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas hulumtuesit Ardian Ahmedaja, qëllimi kryesor i kësaj kënge lidhet me eksodin e arbëreshëve nga Peloponezi i Greqisë për në Sicili të Italisë dhe në pjesën jugore të Gadishullit Italian pas rënies së Koronit nga osmanët në të ashtuquajturin “Rrethimi i Koronit”.

Ndërsa studiuesi shqiptar Ahmedaja numëron edhe disa arsye përse kjo këngë është bërë simbol i rëndësishëm. Në një kumtesë, ai ka përmbledhur informacione dhe hulumtime që i ka bërë lidhur me këtë këngë, në të njëjtën kohë duke studiuar përmes saj edhe traditat e arbëreshëve. Krejt këto ai i ka shpalosur të hënën në kuadër të ditës së parë të edicionit të 45-të të Konferencës Ndërkombëtare të Baladave, që për herë të parë po mbahet në Kosovë. Nikoqir i kësaj ngjarjeje është Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ndërsa tema e këtij edicioni është “Botët paralele në balada dhe këngë folklorike”. Ky aktivitet për pesë ditë me radhë mbledh me shumë se njëzet specialistë botërorë të folkloristikë. Ahmedaja është njëri prej tyre. Ai është hulumtues në Institutin për Hulumtime të Muzikës Folklorike dhe Etnomuzikologji në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Vjenë, ndërsa u paraqit me kumtesën me titull “Botët paralele në këngën arbëreshe ‘Mori e bukura More’”. Kjo këngë, sipas tij, mori titullin “Moj e bukura More” pasi u këndua në Shqipëri në një festival të mbajtur më 1978.

“Kënga ‘Mori e bukura More’ është e mirënjohur në mesin e arbëreshëve, por edhe shqiptarëve në Ballkan dhe pjesë të tjera të diasporës, duke përfshirë edhe arvanitët e Greqisë. Kjo këngë performohet në mënyra të ndryshme nga solistë, ose nga kori i cili përcillet me ansamble të ndryshme instrumentale, nga këngëtarë të operës apo edhe nga grupe, repertori i të cilëve lidhet me muzikën bashkëkohore”, ka thënë Ahmedaja, tek ka shtuar se ishin priftërinjtë e asaj kohe ata të cilët kanë bërë shumë që kjo këngë të mbetej gjallë.

“Ka shumë arsye përse kjo këngë është bërë simbol i rëndësishëm për arbëreshët, më së shumti nga priftëria dhe ka mbijetuar për një kohë kaq të gjatë. Duhet të kujtojmë se priftërinjtë ishin shumë të rëndësishëm për komunitetin arbëresh të ruajnë veçantinë e tyre në Itali, duke përfshirë gjuhën, besimin religjioz dhe zakonet”, ka shtuar ai.

Priftërinjtë arbëresh, sipas tij, po ashtu e kanë bërë të njohur këtë këngë në diasporën greke. Një figurë shembull për këtë ai përmend Antonio Beluscin nga Fransita, i cili vizitoi fshatrat Arvanite dhe incizoi këngë gjatë vizitave të tij nga viti 1965 deri më 1990 e ndihmoi në shpërndarjen e këngëve arbëreshe nga jugu i Italisë, duke përfshirë “Mori e bukura More”. Ndërsa për shpërndarjen e kësaj kënge në Shqipëri, Ahmedaja ka thënë se ekziston një tjetër version në dallim me atë që përmendet.

“Edhe pse thuhet se lidhjet zyrtare në mes të arbëreshëve dhe shqiptarëve janë vënë menjëherë pas Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, mund të thuhet se vetëm pas viteve ’70 një shkëmbim zyrtar i grupeve muzikore dhe i vizitave intelektuale filluan ngadalë”, ka thënë Ahmedaja tek ka shtuar se muzikantët arbëresh ishin ftuar që të jenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit të Jug të Shqipërisë.

“Transkripta e melodisë së këngës rrjedh nga performanca në këtë festival në vitin 1978 me titull ‘Moj e bukura More’. Me këtë rast kënga u bë e njohur në mbarë publikun shqiptar”, ka thënë Ahmedaja, tek ka treguar se analizat rreth muzikës janë shumë të rëndësishme.

Në këtë formë, sipas tij, mund të kuptohen lidhjet e melodive që njihen në traditat e vendësve arbëreshë me traditat e grupeve të tjera arbëreshe.

Me këtë kumtesë u mbyll dita e parë e leximeve, derisa gjatë ditës u bë edhe hapja e saj, ku folën drejtoi i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, studiuesja Arbora Dushi dhe Thomas A. McKean nga Komisioni Ndërkombëtar i Baladave.

Me këtë rast, Matoshi ka thënë se mbajtja e një konference të tillë në Kosovë është një ngjarje e rëndësishme për vendin.

“Do të dëshironim shumë që Instituti Albanologjik të jetë pjesë e agjendave tuaja shkencore, ne kemi nevojë për përvojat moderne të kërkimit shkencor, bashkëpunimet e tilla na ndihmojnë edhe për përforcimin e vlerave tona kombëtare, me shpresë që ato të jenë edhe në interesin tuaj “, ka thënë Matoshi.

Ndërsa McKean me këtë rast ka thënë se është mirë që studiuesit e tjerë të njihen me baladat e Kosovës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama