Në mëngjezin e 2 dhjetorit, u nisa më tim vëlla, Fredin, me makinë nga Tirana drejt Liqenasit (Emri i vjetër: Pustec) në brigjet e Prespës së Madhe, për të qartësuar një informacion për ekzistencën e disa pikturave shkëmbore në ishullin e Maligradit. Piktura rupestre? Prehistorike? Apo Mesjetare? Një ngulç kurioziteti? Enigmë e beftë për shkencën? Një konservim mijëvjeçarësh? Një gjetje kujtesore? Sa shumë pyetje të brendshme!
Liqeni pa ngjyrë opali. Dielli i fuqishëm dritësonte gjithçka si në një përrallë. Një djalë i ri, Niko Ivani, më çoi me motobarkën e tij të peshkimit drejt ishullit të Maligradit. Më anën perëndimore, nën kulmin e një shpelle të madhe është kisha e Shën Mërisë (me përmasa 4,60x 3,30 m). Kisha është krejt e veçantë, me cikle ikonografike dhe mbishkrime historike të viteve 1345 dhe 1369. Në murin perëndimor ka afreska të princërve Kezar Novakut, afreska të gruas së tij Kalia, dhe femrave Maria dhe Amirali. 20 vjet më vonë më 1389, princi Amiral Novaku ka lënë një mbishkrim në Kishën e Ristozit, pranë Korçës. Ikonografia kështu në shekullin e XIV paraqet figura laike dhe historike.
Pikturat e Maligradit i takojnë stilit të ri ikonografik të quajtur “stili paleolog”, një rilindje artistike të ikonografisë bizantine. Këto piktura janë studiuar, por jo në mënyrë shteruese. Më tërhoqën vëmëndjen disa skena, që dalin jashtë programit rigoroz ikonografik. Për herë të parë zbulova (askush nuk e ka shkruar këtë gjë!) se në gjoksin e disa figurave të shënjtorëve dhe profetëve kishte grumbuj fytyrash pa aurola në gjokset e tyre. Këtë nuk e kam parë në asnjë kishë deri më sot. Jo larg kishës në faqen shkëmbore pashë pikturat në shkëmb, bërë me ngjyrë të kuqe, me anë të oksidit të hekurit.
Pikturat janë thjesht vizatime antropomorfe, në një stil ekspresiv, primitive, vendosur pa rregull, në mënyrë të çrregullt. Në një faqe guri është pikturuar një figurë femërore: Shën Maria, e cila në dorën e djathtë mban një shkop mbi majën e të cilit është një fryt shege. Pranë është figura e Krishtit fëmi dhe një figurë burri me aureolë dhe me mjekër. Një skemë tjetër tregon një figurë kalorësi mbi një kalë skematik në lëvizje, bjen në sy edhe figura e një kryqi me dy boshte horizontale në boshtin vertikal, që mbaron me figurën e një peme të jetës. Mbi kryqin është figura e Krishtit fëmi. Dallohen edhe disa gërma si TE, mbase të emrit THEUS=ZOT. Ka një numër portretesh, si edhe disa figura kryqesh të brendashkruar nëpër rrathë. Pashë afro 12 figura, por qe e pamundur të ngriheshe më lart në shkëmbin e pikturuar.
Duket qartë që kjo faqe shkëmbore ka qenë e shenjëtëruar si një tempull i hapur në natyrë, e shumë më vonë pranë u ngrit kisha. Pse ka ndodhur ky shenjtërim tek piktorët në shkëmb? Çfarë ka ndodhur? Stili primitive i skenave, me koka të mëdha e trupa të vegjël tregojnë origjinën e ikonografisë së krishterë. Këto piktura ngjajnë me afreskat e katakombeve të shekujve IV-V të erës sonë. Ky zbulim është tepër i rëndësishëm dhe unikal në Shqipëri. Këto piktura primitive në shkëmb duhet të jenë para zyrtarizimit të fesë së krishterë nga Konstandini i Madh. Figura mashkullore me mjekër pranë Shën Marisë me Krishtin fëmi duhet të përfaqësojnë një martir të krishterë, ndoshta martirizuar në këtë ishull. Sipas kronikës, më 22 maj 1016, princi i Dioklesë Gjon Vladimiri u vra nga cari Vladislav në një ishull të Prespës. Besoj pikërisht në Maligrad. Kjo spjegon pse në shekullin e XIV, shenjtërimi i vendit bëhet më i rëndësishëm.
Shëtita në këmbë në tërë ishullin. Kishte disa shpella, disa dru mani shekullore, fiq dhe trëndafila të egër. Mbi ishull janë gjurmët e një ndërtimi, kurse në anën veriore pashë një mur si edhe tulla bizantine të shekullit të VI. Maligrad do të thotë “qytet i vogël”. Por, në shekuj, ishulli ka qenë përgjithësisht i pabanuar, si edhe sot.
Zbulimi i pikturave paleokristiane të shkëmbinjtë e Maligradit është një ngjarje e madhe dhe e papritur historike dhe e artit. Shqipërisë i shtohet kështu një motiv i ri i lashtësisë dhe fillimit të Mesjetës. Ky zbulim është i një rëndësie në rrafsh evropian.
Dr. Moikom Zeqo -Revista Mapo











