Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë, kandidatët që kanë vijuar programet Master dhe ato Doktoraturë gjatë këtij viti akademik do të mund të marrin diplomën e mbylljes së studimeve në fund të programit vetëm pasi të kenë dëshmuar mbrojtjen e gjuhës angleze sipas standardeve ndërkombëtare. Universiteti i Tiranës, pas marrëveshjes së nënshkruar me agjencinë përkatëse, do të mundësojë për të këta kandidatë testet e TOEFL dhe TOEIC. Ndërkohë mësohet se ka nisur puna për shqyrtimin e detajeve rreth testeve që do të duhet të plotësohen për mbrojtjen e gjuhës. Ekspertët e UT-së pohojnë se do të përzgjidhen ato modele testesh që do të kenë një kosto më të ulët financiare.
Sipas përfaqësuesve të UT-së, ky do të jetë një test që do të lëshohet në emrin e ETS dhe të Universitetit të Tiranës, dhe që do të ketë një kosto të reduktuar për studentët shqiptarë, por i vlefshëm vetëm për 2 vjet. Sipas llogaritjeve të bëra, nëse nuk do të ishte miratuar marrëveshja mes UT-së dhe firmës së huaj për certifikimin sipas Toefl-it te Gjuhët e Huaja, shuma që duhej të paguante një student mund të shkonte në 500 euro për një certifikatë me vlefshmëri vetëm 2-vjeçare. Mbrojtja e gjuhës së huaj nga një institucion ndërkombëtar u vu si kriter për të gjithë studentët e pasuniversitarit vitin e kaluar. Para pak ditësh u bë zyrtare marrëveshja mes UT-së dhe një kompanie të njohur të testimit ndërkombëtar të Toeflit.
Konkretisht, ishin tre universitetet shqiptare, që po konkurronin mes tyre për arritjen e një marrëveshjeje kontraktuale për të fituar të drejtën e testimit. TOEFL, Test of English as a Foreign Language vlerëson aftësitë e një individi për të përdorur dhe kuptuar gjuhën angleze, zakonisht për anglishten e përdorur nga amerikanët “American English”. Rezultatet e këtij provimi u kërkohen aplikantëve në kolegjet dhe universitetet që përdorin gjuhën angleze. Pikët e marra nga provimi i TOEFL-it janë të vlefshme vetëm për dy vite dhe pastaj ato fshihen nga baza e të dhënave zyrtare.