Erbil Arti e vetmja shprese per te shpetuar njerezimin nga dhimbjet

Erbil: Arti, e vetmja shprese per te shpetuar njerezimin nga dhimbjet

Piktori turk Devrim Erbil kishte dëshirë që të njihej me artdashësit në Shqipëri, por edhe me shqiptarët e thjeshtë. Për këtë arsye pas një ftese nga drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, për të ekspozuar në Tiranë, ai pranoi me dëshirë që të vinte. Dje, vetëm pak orë para çeljes zyrtare të ekspozitës, ai u shpreh se e shikon artin, si të vetmen rrugë për të shpëtuar njerëzimin nga dhimbjet. “Në të vërtetë mendova që të vij në Tiranë, të njihem me ju, të njihem dhe me atë që është këtu.

Prandaj mendoj se arti është rruga më e mirë, që njerëzit të njohin dhe ta duan njëri-tjetrit, sepse kjo gjë mund të bëjë një botë më të bukur, edhe më të mirë për ne. Njerëzimi në të gjithë botën gjendet mes dhimbjesh të mëdha, prandaj mendoj se arti është një shpresë për njerëzimin, madje është shpresa e vetme e njëzimit”. E ndërsa na këshillon se, njerëzit duhet që të gjenden më pranë njëri-tjetrit, ai na tregon edhe se të gjitha ndjenjat e tij, dashurinë mbi të gjitha, e ka sjellë nëpërmjet ekspozitës “Dashuri nga Stambolli”.

Ekspozita tregon një përzgjedhje prej 25 veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë. Ata i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk.

Disa prej këtyre pikturave titullohen:“Purpur nga gadishulli historik”, teknikë e përzierë në kanavacë, “Turkuaz në Stamboll”, bojëvaji në kanavacë, “Abstraksion”, ngjyerje, “Abstraksion poetik, e gjelbra”, teknikë e përzier në kanavacë, “Ritëm poetik”, bojë vaji në kanavacë, “Hajdarpasha dhe zona përreth”, teknikë e përzier në kanavacë, “Shikim mbi Stamboll”, ngjyerje etj.

E ndërsa karakteri poetik ndihet në të gjitha pikturat që ai ka realizuar, duke nisur me ngjyrat që janë: e kuqja, e gjelbra, bluja etj., këto piktura të përfshijnë aq sa, kushdo mundet që ta kuptojë se, ky piktor është poet i natyrës. Veprat e piktorit turk shiten në mbarë botën, në Tokio, Nju Jork, e në shumë vende të tjera. Ndërsa pikturën “Nga kalaja e gjelbër”, artisti turk ja dhuroi Fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke shpjeguar se zgjodhi që të bëjë dhuratë këtë vepër, sepse sipas tij, ngjyra e gjelbër i shkon shumë Tiranës.

Ai nuk pati dëshirë që të thoshte se, çfarë vlere monetare arrin një punim i tij, por e vetmja dëshirë që kishte ishte që: “Tirana ta kujtojë nëpërmjet kësaj pikture”. Pothuajse në të gjitha punimet e Erbilit, të bie në sy stili i tij i veçantë, bëhet fjalë për këndvështrimin e temave të caktuara nga sipër, çdo gjë që ai pikturon mundet që ta shikosh nga lart, qoftë Stambollin, qoftë Kullën e Gatalasë, Bririn e artë etj.

Ngjyrat

Arsyeja e zgjedhjes së këtyre ngjyrave ka të bëjë me traditën osmane. Ngjyra turkuaz, apo ngjyra jeshile, janë ngjyra që ne e shikojmë në Stamboll, në Bosfor, në porcelane shumë të famshme, që i përkasin periudhës osmane, por edhe nëpër punimet e xhamive. E kuqja është gjithashtu në proporcion me këto ngjyra, që gjithmonë shoqërojnë njëra-tjetrën, prandaj kjo është dhe arsyeja që artisti turk i prezanton në GKA.

Stambolli nga lart

Veprat e tij frymëzohet nga tradita, nga miniatura osmane, e cila e ka kulmin e saj në shekullin e XI-të. Piktorë të cilët kanë përfaqësuar pikturën osmane, apo islame, kanë punime ndryshe nga pikturat e stilit perëndimor, por përveçse kësaj fryme në pikturat e Erbilit, ndihet edhe fryma bashkëkohore.

Pulëbardhat

Nuk janë thjesht simbol i Bosforit, por janë simbol i Stambollit, të cilat autori i ekspozitës i ka zgjedhur që t’i sjellë si të tilla.

Artan Shabani: Në këtë ekspozitë trajtohen dy tema

“Me dashuri nga Stambolli” është ekspozita e parë në GKA e artistit, edhe pse publiku shqiptar është njohur me punimet e tij, në ekspozitën “Vende dhe kohë” (2013) në MHK. “Më ka bërë shumë përshtypje modestia e këtij artisti të madh, të cilin e kam këto ditë në GKA. Në këtë ekspozitë janë trajtuar dy tema. E para, nga pikëpamja figurative i përket Stambollit, ndërsa e dyta u përket imazheve, ritmike, poetike, edhe abstrakte”. Sipas Shabanit, Devrim Erbil është figurë qendrore e artit turk gjatë 50 viteve të fundit, por edhe një urë lidhëse mes artit kaligrafist, miniaturës turke, dhe asaj moderne. “Procesi teknik është befasia që sjell shtresa e ngjyrës me incizimin e vijës vizatimore në prodhimin figurativ e abstrakt”, përfundon Shabani.

Kuratorja e ekspozitës

Beste Gursu, kuratorja e ekspozitës tha se: “Kemi ardhur këtu me shumë dashuri, ashtu siç ka titullin kjo ekspozitë, por veprën e Devrim Erbil është më e rëndësishme ta shohim sesa të flasim. Duket shpesh sikur ka një çiltërsi fëmije në vështrimin nga lart, që ai i bën Stambollit, por në veprat e tij, Devrim Erbil, shpreh një tërësi artistike, e cila vjen si rezultat i frymës tradicionale të trashëguar. Piktura e tij sjell një sens të rëndësishëm të historisë, që është shumë e vlefshme për brezin e ri”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 maj 2015.

Biografia

Devrim Erbil ka lindur në vitin 1937. Ai ka studiuar për pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll në 1955. Nga viti 1965 stili unik i piktorit, Devrim Erbil, tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më 1968 Erbil u zgjodh "Artisti i ri i vitit" në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”. Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan.

“Oboe dhe orkestër” në TOKB

Koncerti për “Oboe dhe orkestër” nga Richard Strauss vjen në Teatrin e Operës dhe Baletit në datë 17 prill, ora 19.00. Koncerti për “Oboe dhe orkestër” nga Richard Strauss është shkruar në vitin 1945. Është një vepër, të cilën ai e kompozoi në vitet e fundit të jetës, dhe nga kritikët është përshkruar si “Vera indiane”. Koncerti është kompozuar për oboe solo dhe orkestër të vogël dhe përfshin 3 kohë: allegro moderato, andante, vivace – allegro, me një kohëzgjatje prej 25 minutash.

Richard Strauss nuk e kishte menduar ndonjëherë që të shkruante një koncert për oboe deri në prill të vitit 1945, kur oboisti amerikan John de Lancie (i cili ishte në ushtrinë amerikane, që kontrollonte zonën ku Strauss banonte), pas një vizite në shtëpinë e tij e sugjeroi një gjë të tillë. Në muajt në vazhdim Strauss e konsideroi sugjerimin, dhe koncerti i tij i parë për oboe u interpretua premierë në Zyrih 26 shkurt 1946.Koncerti është kompozuar për oboe solo dhe orkestër të vogël dhe përfshin 3 kohë Megjithëse Stauss u përpoq që të ishte pikërisht John de Lancie, që ta interpretonte këtë vepër për herë të parë në Amerikë, duke qenë se ai nuk ishte oboist i parë, nuk mundi ta interpretonte atë deri pas 30 vitesh.

Ndërsa “El amor brujo” (Dashuri e magjepsur) u porosit në vitin 1914, si një pjesë për balet (me karakter cigan) dhe u vendos në skenë në Madrid në vitin 1915. Pjesa nuk pati suksesin e pritur kështu që Falla e ripërpunoi, duke e shkurtuar pjesën, duke zgjeruar orkestrimin, dhe duke e limituar pjesën vetëm në 3 këngë për mezzosoprano. Kjo vepër ka një karakter Andaluzian dhe tekstet janë në dialektin spanjoll të ciganëve. Muzika përfshin momente me bukuri të veçantë dhe mjaft origjinalitet ku mund të përmendim:"Vallëzimin e ritualit të zjarrit”, "Kënga e zjarrit flakërues", si dhe "Vallëzimi i tmerrit". Interpretojnë:Vikena Kamenica (mexosoprano), Oscar Diago (oboe), në piano Ardita Bufaj dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e Ruben Gimenez.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama