Ngrohja Globale...Quo Vadis Albania?!

Ngrohja Globale...Quo Vadis Albania?!

A e kishit menduar ndonjëherë se mund të ishit në shkurt me një pulovër të thjeshtë? Apo se do të dhuronit një buqetë mimozash në mes të dimrit? Apo se Dajti, Tomorri, Alpet do të ishin pa borë? Kjo sot, është një realitet....dhe një objekt i thjeshtë tërheqjeje për të apasionuarit pas florës dhe faunës...Ndërsa, për shkencëtarët e klimës, "tekat" e viteve të veçanta, janë thjesht variacione të klimës, që na kanë bashkëshoqëruar në të gjitha kohërat.

Në fakt, ngrohja globale sot është evidente. Kjo provohet nga vrojtimet dhe studimet mbi rritjen globale të temperaturës mesatare të ajrit dhe oqeaneve, shkrirjet masive të borës dhe akullit dhe rritjen mesatare globale të nivelit të detit.

Përqëndrimet globale atmosferike të bioksidit të karbonit, metanit, oksidit nitrik janë rritur në mënyrë të konsiderueshme, si rezultat i aktivitetit njerëzor, që nga viti 1750 dhe tashmë kanë kapërcyer mjaft vlerat para-industriale, të përcaktuara nga bërthama mijëra vjeçare e akullit. Rritja globale e përqëndrimit të bioksidit të karbonit është shkaktuar kryesisht nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile, si dhe nga ndryshimi i përdorimit të tokës, ndërsa ndryshimet në përqëndrimin e metanit dhe oksidit nitrik i dedikohen bujqësisë.

Ngrohja globale nuk ka pasur ndikime të njëjta në të gjitha pjesët e globit. Konkretisht, për Shqipërinë, studimet e bazuara në analizën e serive afatgjata, (rreth 60 vjeçare) flasin më shumë për një variacion të temperaturës rreth vlerave mesatare shumëvjeçare. Përsa u përket reshjeve, krahas variacionit, një tendencë e lehtë zbritëse është vërejtur gjatë 20 viteve të fundit të shekullit të kaluar, e cila më pas, ka ndryshuar kahje.

Si pritet të jetë Shqipëria e dekadave më pas ...
Duke iu referuar studimeve të kryera nga specialistët shqiptarë, mbi bazën e produkteve të modeleve globale të klimës të disa prej qendrave më të fuqishme botërore në fushën e studimeve të ndryshimeve klimatike, rezulton se ndryshimet e klimës pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm edhe mbi vendin tonë. Skenaret e ndryshimeve klimatike, të përgatitura për Shqipërinë, flasin për një rritje të temperaturës vjetore prej 1°C, 1.8°C, 3.6°C respektivisht në vitet 2025, 2050 and 2100 dhe reduktim të sasisë së reshjeve 3.8%, 6.1%, 12.5% për të njëjtat horizonte kohore. Në bazë të këtyre skenarëve do të pritet që stina e dimrit të jetë më e butë dhe ajo e verës më e nxehtë dhe më e thatë.

Gjithashtu niveli i detit pritet të rritet 48-61 cm deri në fundin e shekullit. Natyrisht këto ndryshime të pritshme të klimës dhe nivelit të detit pritet të ndikojnë në të gjitha fushat social-ekonomike. Ndër to mund të përmenden reduktimet e pritshme në rezervat ujore, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin e energjisë nga burimet hidrike. Ndikime të konsiderueshme priten edhe në bujqësi, pyje, ekosistemet natyrore, shëndet, turizëm etj. Një studim i thelluar që analizon ndikimet e ndryshimeve të pritshme të klimës është kryer nga ekipe ndërdisiplinore të vendit në kuadrin e Komunikimit të Parë Kombëtar të Shqipërisë ndaj UNFCCC dhe po punohet per hartimin e Komunikimit te Dytë Kombetar, studime te drejtuara nga Programi i Ndryshimeve Klimatike prane Ministrisë së Mjedisit", shprehet Eglantina Demiraj, specialiste e Klimës.

Shqipëria, 100 vjet më pas
Në kushtet e ndryshimit të klimës pritet të ndryshojnë rregjimi i rreshjeve, avullimit apo lagështirës së tokës. Pritet të intensifikohet nevoja për vaditje, e cila do të ndikojë direkt në prodhimet e fushës për vitet nga 2050-2100. Reduktimi i rezervave ujore, si rezultat i reduktimit të reshjeve, mund të krijojë probleme në prodhimin e energjisë së hidrocentraleve, një problem për Shqipërinë, që e siguron energjinë kryesisht me këtë mënyrë. Në të njëjtën kohë, rritja e ngjarjeve të jashtëzakonshme, do të thotë rreziqe përmbytjesh. Ndërsa rritja e niveleve të ujrave do ndikojë në eriozionin e brigjeve të lumejve, turbulencat, etj...

Në lagunat më të ekspozuara ndaj detit, pritet të ketë bashkim me detin, për shkak se do të përmbyten rripat e holla të tokës, që e ndajnë me të. Situata të tilla priten të ndodhin në veri dhe jug të Patokut në deltën e Matit; në veri të deltës së Erzenit; në deltën e Semanit të vjetër; në hapësirën në mes të Semanit dhe Vjosës... Parashikimi i një rritjeje të nivelit të detrave, pritet të formojë këneta të reja në deltën e Matit. Po ashtu, pritet që të ketë rritje të sipërfaqeve kënetore në hapësirën në mes të lumenjve të Vjosës dhe Semanit. Zvogëlimi i mundësive të pajisjes në kombinim me rritjen e thatësirës do të sjellë shumë probleme me ujin, të cilat do të ndikojnë kryesisht në vitin 2100. Rritja e temperaturave të ajrit do të mundësojë rritjen e dunave të rërës dhe pjesëve të kripësuara, ndërsa pritet të ndikojë direkt tek speciet, që janë më pak tolerante ndaj thatësirave ( si psh Ammophiletea).
Karavastaja dhe Narta pritet të kenë komunikim tjetër me ujin. Ndërsa ekosistemi i tyre pritet të shkojë drejt një ekosistemi më të thatë. Ato do të mundësojnë vegjetacionin halofilik, që do të ndikojë direkt në zogjtë me humbjen e foleve, shumimin, qëndrimin dhe deri në habitatin e tyre të ri dimëror.

Bota...
Në rast se skenaret llogariten në kompjuter sipas këtij ritmi, atëherë del se në kulmin e verës duke filluar nga viti 2080, oqeani i Ngrirë i Veriut nuk do të jetë më i mbuluar nga akulli. Dhe kjo do të ketë pasoja të rënda: Nuk do të ketë më hapësirë jetese për kafshë si arinjtë polarë apo fokat, dhe në këtë mënyrë popullsia inuite do të humbiste kafshët e veta tradicionale të gjahut. "Nga ana tjetër, lehtësohet aksesi tek rezervat e mëdha, të supozuara të naftës dhe gazit dhe burimet e tjera të lëndëve të para në oqeanin e Ngrirë të Veriut. Edhe fluksi i transportit do të ndryshonte radikalisht", shpjegon Eberhard Fahrbach i institutit Alfred-Ëegener për kërkime polare dhe detare në Bremerhaven:
"Po të përfytyroni që Arktiku do të jetë gjithë vitin i lundrueshëm, pra që ne nga Evropa mund të mbërrijmë drejtpërdrejt në Azi nëpërmjet Arktikut, atëherë kjo do të ketë pasoja shumë të mëdha për lidhjet tona të transportit".

"Me ngrohjen e ujit tani do të formohen re. Me formimin e më shumë reve këtu do të depërtojë më pak ngrohtësi. Kjo do të thotë që fizika e reve në vetvete e ndryshon sërish ngrohjen që vjen si rezultat i zhdukjes së akullit. Për këtë arsye, marrim rezultate të ndryshme në model dhe për mendimin tim është tepër e guximshme të thuhet se po ndodh kjo e kjo". Ndaj nevojitet grumbullimi i të dhënave të panumërta për oqeanin e Ngrirë të Veriut dhe përpunimi i tyre nëpërmjet kompjuterave. Për këtë shkencëtarët kanë kohë deri në fund të vitit 2009.

Shqipëria zyrtare
Shqipëria po merr masa për zbutjen e ndryshimeve të klimës. Masat e para janë propozuar në vitin 2002, nëpërmjet Programit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, që është pjesë përbërëse e Programit të Rinovuar Kombëtar për Mjedisin. Programi për Ndryshimet Klimatike është hartuar në mënyrë sektoriale, duke e vënë theksin në sektorin e energjisë, si përgjegjësin kryesor për ndryshimet e klimës. Qëllimi ka qenë i thjeshtë: Marrja e masave dhe veprimeve që ndihmojnë në reduktimin e ritmit të shkarkimeve të gazeve serrë...

Shqipëria e ka firmosur Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 1995, ndërsa Protokollin e Kiotos në vitin 2005. Nga studimet ndërdisiplinore të specialistëve shqiptare është llogaritur që Shqipëria shkarkon nivele të ulëta të gazeve serrë, sepse 95% e energjisë prodhohet nga HC. Kështu në vitin 1994 është llogaritur një shumë prej 7 milionë ton gaze serrë që do të thotë rreth 2,2 ton për frymë të popullsisë. Në vitin 2004 ka shkarkuar 8,5 milion ton gaze serrë që do të thotë 2,5 ton për frymë. Kuptohet që sektori kryesor që mban peshë kryesore është sektori i energjisë me 60 %, ndërsa ekspertët shqiptarë besojnë se nëse nuk merren masa për të reduktuar shkarkimet, deri në vitin 2020 pritet një rritje prej 37 milionë ton gaze serrë, që do të thotë 5 herë më shumë se në vitin 1994. ...
...
Por nuk ka vend për panik. Pavarësisht se skeptikët ndaj ngrohjes globale qwndrojnw pas. Shkenca që qëndron prapa ndryshimit të klimës duket më e fortë, dhe njerëzimi është thuajse i sigurt, që duhet të fajësohet për rivënien e termostatit global. Ky ka qenë edhe konkluzioni kryesor i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës, i cili javën e kaluar botoi përmbledhjen e raportit të tij më të fundit me një paralajmërim se temperaturat mesatare botërore mund të rriten me disa gradë deri në fund të shekullit. Dhe rezultatet e tij do të jetë shumë e vështirë të kundërshtohen.
Kaq mjafton, tashmë kambanat e alarmit nuk janë larg. Por vetë publiku duhet që të ndërgjegjësohet. Natyra pret larjen e borxhit...

Ben Andoni - Revista Mapo

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama