Nobelisti Gunter Grass shpirti polemizues i gjermaneve

Nobelisti Gunter Grass, shpirti polemizues i gjermaneve

Është një pyetje interesante, se si do të gjykohej sot për shkrimtarin Günter Grass, sikur ai të kishte qenë pak më i përmbajtur me vërejtjet e tij politike.Dhe për më tepër sikur të kishte folur në një fazë më të hershme për përkatësinë e tij në SS. Ndoshta sot e gjithë Gjermania do të ishte krenare për këtë autor. Krenar për autorin e romanit "Die Blechtrommel", "Daullja prej teneqeje", krenar për laureatin e "Nobelit" në letërsi dhe shkrimtarin e rangut botëror. A është Gjermania ende krenare për Grassin? Edhe pse shkrimtari tani nderohet në shumë nekrologji, shumëkush seç ndjen një pakënaqësi. Ajo ka tri shkaqe.

Dëshira për të provokuar

Së pari: Grass është përplasur shumë shpesh. Politikisht shpesh e ka kaluar cakun. Natyrisht që ishte e drejta e tij. Dhe ndoshta edhe detyra e një autori kritik, i cili shkruante libra në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Por Grass nuk është angazhuar vetëm për socialdemokracinë dhe të drejtat e njeriut, tema, që do t'i pranonin dikur edhe ata, që kishin pikëpamje të tjera politike. Shkrimtari ka shkuar aq shpesh në skaj me subjektet e veta, si në art ashtu edhe në apelin ndaj opinionit, saqë i bënte shumë kundërshtarë politikë të humbisnin durimin. Günter Grass u ankua edhe kundër ribashkimit gjerman.

Tepër shpejt, thoshte atëherë nga Lybeku. Grass është deklaruar që të mbaheshin fillimisht të dyja shtetet gjermane. Edhe mendimi i Grassit për Izraelin shkaktoi zemeratë, që vendi është luftënxitës dhe rrezikon paqen në botë - për Iranin dhe fuqitë e tjera arabe asnjë fjalë. Edhe me shprehjet për vizitën e Helmut Kohls në një varrezë të ushtarëve, të cilën e cilësoi si falsifikim të historisë, u bë i papëlqyeshëm. Grass paraqitej si ndërgjegja e kombit. Të paktën shumëkush mendonte kështu. Dhe meqënëse Grass, ishte një natyrë tjetër nga kolegu i tij letrar Heinrich Bëll, me temperament, për të mos thënë i prirur gjithmonë për të provokuar, me fjalimet dhe prezantimet e tij provokone gjysmën e Gjermanisë.

Pranim i vonuar

Së dyti: Kur shkrimtari në tekstin e tij autobiografik "Mbi qërimin e qepës" në vitin 2006 pohoi se në vitet e rinisë ishte bashkuar me SS, dëmi qe i madh. Pikërisht ai predikuesi i ndërgjegjes së pastër, kështu e konsideronin atë shumë njerëz, paska heshtur për të kaluarën e tij, kjo ishte tepër. Që Grass nuk e kishte fshehur këtë anëtarësi, kur ka qenë burgosur nga aleatët amerikanë, dhe e ka pranuar më vonë edhe para kolegëve të tij shkrimtarë, nuk e ndihmoi dot më. Një predikues i historisë, që anashkalon historinë e vet, kjo ia prishi shumë reputacionin në një pjesë të opinionit publik.

Në luftë me kritikën letrare

Arsyeja e tretë, për imazhin e dëmtuar në vendlindje të laueratit me çmimin Nobel në letërsi nuk duhet nënvlerësuar. Grass kishte hyrë që heret në sherr me kritikën letrare në vend. Dhe meqenëse kritiku më me ndikim i Gjermanisë Marcel Reich-Ranicki dhe organi i tij shtëpiak "Frankfurter Allgemeine Zeitung", gazeta e cila nga shumë konsiderohet si zëri më i rëndësishëm intelektual i vendit, e kritikonte vazhdimisht, imazhi i shkrimtarit merrte vazhdimisht një ngjyrim negativ. Lëndimet, që u krijuan te të dyja palët, nuk i shëronte dot më asgjë. Gjykimi i Reich-Ranickit dhe i pasuesve të tij ishte se Grassi pas romanit "Blechtrommel" dhe novelës "Macja dhe miu", si dhe etydit letrar "Takimi në Telgte" nuk kishte krijuar më diçka me rëndësi letrare. Studjuesit e letërsisë dhe shumë ekspertë jashtë vendit kishin tjetër mendim. Por në Gjermani e sundonte Reich-Ranicki opinionin e publikut.

Vështrim në veprën letrare Pa dyshim që Günter Grass me mënyrën e tij autoritare dhe gjithnjë e më kokëfortë në pleqëri ka kontribuar vetë për krijimin e një imazhi të tillë. Pranimi prej tij vonë për përfshirjen në SS ka qenë një gabim i madh. Megjithatë kjo nuk ndryshon asgjë në faktin, që Günter Grass për dekada me rradhë bënte pjesë te autorët jo të shumtë gjermanë, që lëviznin në nivelin botëror të letërsisë. Shkrimtarë të famshëm si Salman Rushdie, John Irving dhe të tjerë janë frymëzuar nga Grass. Tani që përkujtohet i vdekuri, duhen vështruar në rradhë të parë romanet dhe tregimet, novelat dhe lirika e tij. Günter Grass ka qenë pa dyshim një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjuhës gjermane pas luftës së dytë botërore.

Harry Potter 8? J.K.Rowling hedh dritë mbi vazhdimin

“Asnjëherë më mos thuaj kurrë” mund të jetë motoja kombëtare jozyrtare e skocezëve. Ishte ky titulli tërheqës i filmit James Bond në 1983, i cili solli sërish në skenë Sean Connery-in si personazh kryesor pas 12 vjetësh që nga Diamantet janë përgjithmonë. Dhe tani në një intervistë me Matt Lauer në Today, J.K. Rowling ngacmon fansat duke u shprehur se “Unë gjithmonë kam thenë kurrë mos thuaj kurrë” rreth një libri të tetë Harry Potter. Ajo shton se “Gjithmonë jam shprehur se nuk do të them përfundimisht jo sepse – sepse nuk shoh arsye pse duhet ta them këtë. E di, kjo është bota ime dhe mund të zgjedh t’i rikthehem sërish.

Unë i jam rikthyer sërish asaj bote duke shkruar skenarin për Bishat e magjishme dhe ku mund t’i gjejmë ”. Por para se të emocionoheni, ajo vazhdoi me “Por mendoj që një Harry Potter 8, pas asaj që ndodhi me Herrin, Ronin dhe Hermionën – nuk mendoj se do të ketë”. Rowling, që shpesh i fut në lojë fansat e saj në Twitter, vërtetoi dhe një në here se ajo e di si funksionon Interneti: “Unë e di që dikush do ta presi këtë pjesë [të videos] e do e fus në Youtube sikur unë ju dhashë shpresë”.

(Madje dhe Laueri qeshi që ai vetë e pa përgjigjen si një shenjë shprese). Autorja ka shkruar skenarin për filmin e parë (nga tre) të Bishat e magjishme dhe ku mund t’i gjejmë i cili pritet të dal në kinema më 18 nëntor të 2016. Filmi bazohet mbi librin shoqërues të serisë së Herri Poterit të botuar në 2001 dhe rendit në formë katalogu një sërë krijesash magjike. Filmi do të përqëndrohet tek Newton Scamander (rrëfimtari i ngjarjes) dhe të paktën një pjesë e tij do të xhirohet në Nju Jorkun e 1920s. Lajmërimet për zgjedhjen e aktorëve dhe xhirimet do të nisin diku në fund të 2015.

Rowling ndodhet në Nju Jork për të promovuar Lumos, një fondacion i ri për fëmijët e shtëpive të fëmijës. Ajo u shpreh se frymëzimi për organizatën i erdhi në çastin që pa fotografinë e një djali që dukej se ndodhej i mbyllur në kafaz. Ajo pranoi se fillimisht kishte provuar të mos ta shihte fare dhe ishte pikërisht ky reagim që e kishte bërë të ndiente turp nga vetja. Fondacioni e ka marrë emrin nga magjia që përdoret tek librat e Herri Poterit për të ndriçuar. Rowling u shpreh se ky emër kishte dy kuptime: Për të hedhur dritë mbi këtë problem dhe për të sjellë dritë në jetët e këtyre fëmijëve.

Memorandum për muzeun Marubi Drejtori i Fondit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff dhe Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, ishin dje pjesë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për Ndërtimin e Muzeut Marubi, investim ky më i rëndësishmi i këtij viti i qeverisë shqiptare në fushën e trashëgimisë kulturore. Memorandumi i Mirëkuptimit i hap rrugën financimit dhe fillimit të punimeve brenda këtij muaji. Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka financuar për këtë projekt fondin prej 650 mijë dollarësh.

“Karol”, versioni filmik i librit që theu tabutë

Njëmbëdhjetë. Kaq është numri i viteve të prodhimit të Karol, marrë nga romani me të njëjtin titull i Patricia Highsmith, publikimi i të cilit në 1952 u pengua për shkak se fliste për homoseksualitetin femëror, aq sa u shndërrua dhe në kult të komunitetit lezbik. Për fat janë Film 4 dhe mendja e Todd Haynes, i cili njihet më mirë për regjinë e filmit Larg nga Parajsa, ata që u kujdesën për prodhimin e këtij filmi, që tani është dhe pretendent për në Kanë.

Në qendër të filmit është Cate Blanchet, e mësuar tashmë me role të tilla aspak komode si tek Ditari i një skandali, e cila luan rolin e Karolës: një grua sensuale dhe e ëmbël, në proces divorci dhe që gjatë pazarit të Krishtlindjeve njihet dhe magjeps Terezën (Rooney Mara, e pasuar nga Mia Wasikowska), shitëse me kohë të pjesshme, shumë më e re se ajo dhe e ngecur në një marredhënie pa kurrfarë pasioni me një burrë. Nevoja për të dorëzuar pakon në banesë dhe mesazhi i urimit për festat nga Tereza për Karolën, do t’i shtyjnë gratë të ritakohen e të shoqërohen me njëra tjetrën. Filmi është xhiruar në Cincinnati, i cili rikrijon Nju Jorkun e viteve 50.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama