Tani është kthyer në traditë, por nuk do të thotë kurrsesi që surprizat do të mungojnë. Përkundrazi, sivjet pritet të jenë akoma më të mëdha, edhe për faktin se imazhi i Top Fest, tani ka udhëtuar kudo ku këndohet shqip. Mbi 400 këngë kanë trokitur në dyert e Top Media dhe redaksia muzikore e Top Fest i ka përzgjedhur ato me aq sqimë sa mund të plotësojë shijet e të gjitha grupmoshave. Adrenalina muzikore do të ndizet pasditeve, pak pas drekës, aty nga ora 15.30, kur edhe festivali do të marrë startin e tij më të nxehtë. "Edicioni i katërt i Top Fest ka nisur të hënën dhe do të vazhdojë për 8 javë.

Këngët do të prezantohen çdo ditë nga ora 15.30 deri në orën 17.00 nga dita e hënë deri në të enjte"-rrëfen për revistën Mapo, Arbana Osmani, organizatore dhe prezantuese e një prej festivaleve muzikore më prestigjioze në vend. Megjithë numrin e madh të këngëtarëve që kanë marrë pjesë në audicion, organizatorët e Top Fest tregojnë se vetëm 100 prej tyre do të prezantohen në 8 javët në vijim, deri në muajin maj, kur edhe pritet të mbahet nata e madhe gala e ndarjes së çmimeve. Sigurisht, aty do të shkojnë më të mirët, ata që do të përzgjidhen direkt nga vota e dëgjuesve. Tani që emocionet e garës kanë filluar dhe salla ku mbahet evenimenti muzikor më i madh i vitit ka nisur të elektrizojë të rinjtë prej 4 ditësh, duket se edhe ethet e garës janë bërë më drithëronjëse. Mjafton të dëgjosh britmat e të rinjve që ndodhen në amfiteatër për të pritur këngëtarin e rradhës për të kuptuar se Top Fest, pa dyshim që ndez adrenalinën e kujtdo që e ndjek.

Fest në 8 javë
Padyshim që edhe sivjet Top Fest do të sjellë muzikën më të mirë në tregun muzikor, ashtu siç edhe ka bërë përherë. Të gjithë menduan se kjo vonesë e fillimit të festivalit do ta kishte një arsye dhe realisht organizatorët rrëfejnë për revistën Mapo se shtyrja me gati një muaj e startit të Top Fest, kishte si qëllim lançimin në kohë të këngëve si dhe që ato të ishin sa më jetë gjatë në treg. "Janë plot 8 javë transmetimi me këngët e Top Fest, të cilat do të shkojnë në finale në prag të stinës së verës, me qëllim që ato të jenë në këtë sezon sa më pranë atyre që i pëlqejnë. Kjo është edhe arsyeja që zgjodhëm që gara të niste me më pak vonesë se herët e shkuara"-tregon Arbana Osmani prezantuesja e Top Fest. Megjithatë siç shprehen edhe autorët prurjet e deritanishme kanë qenë vërtet mbresëlënëse, mbi 400 këngë të emrave më të njohur dhe atyre të rinj, shumë të tjerë të panjohur, kanë zgjedhur këtë skenë si trampolinë e sigurt për të hyrë në botën e muzikës. Tani ky festival e ka konfirmuar, se u jep shansin të gjithë atyre që kanë talent dhe sjellin muzikë të bukur. Alban Skënderaj, ka qenë shembulli më i mirë: nga ai djaloshi i panjohur që postoi CD-në e tij nga Italia duke e adresuar në bordin që zgjedh këngët e Top Fest, brenda një kohe shumë të shkurtër, përveçse fitoi famë, ai është edhe fitues i dy edicioneve radhazi. "Bordi i Top Fest ka pranuar sivjet në konkurrim shumë këngëtarë të njohur, por edhe të rinj që kanë sjellë aranzhime të bukura, stile të veçanta muzikore, vokali apo edhe prezenca skenike që përbëjnë realisht elementë të fortë për të hyrë në botën e muzikës dhe deri tani ata që kanë marrë pjesë kanë treguar se pjesëmarrja e tyre është një shans mjaft pozitiv"-tregon Osmani. Mësohet se deri tani janë pranuar për të konkurruar disa nga emrat më të mirë të muzikës së momentit, mes të cilëve bie në sy numri i madh i konkurrentëve nga Kosova dhe Maqedonia, që edhe pse nuk kanë marrë çmimet e para në edicionet e shkuara, nuk kanë dalë asnjëherë duarbosh nga kjo garë. Emra si : Vesa Luma, grupi "Asgjë sikur Dielli", Produkt 28, Teuta Kurti, Mariza Ikonomi, Jonida Maliqi, Greta Koçi, Nora Istrefi, Tuna, Zanfina Ismaili, Poni, Adrian Gaxha, Blero, Stine, Big Mama, e shumë të tjerë do të jenë protagonistë të këtij edicioni me këngë të kompozuara enkas për Top Fest dhe pa dyshim shumë prej tyre si gjithmonë do të kthehen brenda një kohe të shkurtër në hitet e stinës së verës. Përveç transmetimit në Top Channel nga e hëna në të enjte, të premten përmbledhja e konkurrentëve do të transmetohet në televizionin My Music, si dhe në radiot Top Albania Radio, My Music dhe Muzika Ime, kanale këto që duket se do të ndihmojë të pasionuarit e muzikës të votojnë çdo konkurrent me anë të votimit sipas kodeve përkatëse që çdo njëri prej tyre do të ketë pas datës 4 maj.

Risitë e Top Fest
Kurrsesi për të qenë skematikë, por për të mbajtur gjallë një traditë që ka qenë tejet e vlerësuar, sivjet Top Fest ka edhe disa risi që pritet të zbardhen pak nga pak. "Do të ketë shumë personazhe dhe intervista mbi një temë të caktuar, si për shembull, hatër mbetjet e këngëtarëve, autografet, këngëtaret Baby Doll dhe shumë tema të tjera që kemi zgjedhur t'i prezantojmë edhe duke shfrytëzuar materialet e tre edicioneve të shkuara"-rrëfen Arbana Osmani. Ndërkohë që risi do të ketë edhe në atë që do të shfaqet në ekran për shikuesit, një skenë tejet dinamike, dekori, por edhe dhjetëra të rinj që do të festojnë nën ritmet e këngëve që do të këndohen Live gjatë prezantimit të konkurrentëve. Ndriçimi dhe pajisjet që do të vihen në dispozicion për këtë eveniment të rëndësishëm të muzikës janë blerë enkas për edicionin e katërt të Top Fest, ndërkohë që skenografia mban firmën e skenografit Vladimir Marko. Sigurisht që hapësira e konkurrentëve nuk do të jetë vetëm për të rinjtë, por edhe për ata që vërtet kanë sjellë këngë të mira, pavarësisht moshës së tyre dhe kjo konsiderohet pa frikë, jo vetëm një risi, por një hyrje e madhe për shanse të barabarta të tregun muzikor.

Nata e çmimeve
Padyshim që nata finale do të ofrojnë magjinë e 8 javëve së bashku. Këngëtarët e kualifikuar në disa kategori do të mund të konkurojnë me njeri-tjetrin edhe për çmimin e madh prej 10 mijë eurosh. "Çmimi i madh për këngën fituese të Top Fest do të jetë 10 mijë euro, si dhe çmimet e dyta dhe të treta. Top Fest i datës 27 maj do të nisë që paradite më një koncert të madh live, ku edhe do të bëhet prezantimi i këngëtarëve, për të mbërritur në mbrëmje, ku do të ndahen edhe çmimet për secilën kategori që konkurojnë artistët"-tregon Osmani. Ashtu si edhe vitet e shkuara do të ketë lidhje direkte me pas kuintat, momentet më pikante të ardhjes së këngëtarëve, prezantimit të këngëve, veshjet, atmosfera si dhe emocionet e garës, deri në momentin e ndarjes së çmimeve. Disa nga kategoritë ku konkurrohet që janë edhe automatikisht çmime me vlerën 1 mijë euro janë: këngëtari më i mirë femër dhe këngëtari më i mirë mashkull, çmime për rrymat Pop-Rock, Hip-hop, atë alternativ, kategoria për videon më të mirë si dhe disa çmime të tjera, prezantimi i të cilave bëhet me një realizohet brenda një formati me nominime të kandidatëve sipas kategorive ku garojnë. Përveç atmosferës dhe muzikës në maksimum kjo natë do të ketë ngjyrat e një feste që do të startojë paraditen e datës 27 maj dhe do të përfundojë në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër. Organizatorët premtojnë se edhe këtë vit Top Fest do të servirë muzikën më të bukur të momentit dhe padyshim përtej tingujve ai do të jetë gjithashtu edhe një spektakël i vërtetë ngjyrash, dritash dhe atmosfere që i ndez adrenalinën të gjitha moshave.
Olsi Kolami - Revista Mapo











