Kujt i duhen incidentet me serbet? Vete serbeve

Kujt i duhen incidentet me serbet? Vete serbeve

Kthimi i shumëpritur i vizitës futbollistike serbe në Tiranë ndodhi. Sot në “Elbasan Arena”, por dhe në rrugët që lidhin aeroportin me Tiranën, Tiranën me Elbasanin, pritet të verifikohet shumëçka. Jo vetëm aftësitë sportive të ekipeve përkatëse, por dhe se sa helm ka mbetur në marrëdhëniet midis dy shteteve dhe dy kombeve. E gjitha kjo pritet të dalë në një dritë botërore: shumë media kanë ardhur të përcjellin ngjarjen jo thjesht sportive, që në kohët e sotme arrin të bëhet e njohur me shpejtësinë e dritës në çdo skaj të botës. Dhe është pikërisht ky moment që me gjasë komplikon disi punët.

E vërteta është se ka ardhur koha që disa prej elementëve të këtyre marrëdhënieve të shihen në një dritë më realiste, sesa ajo që mundohen të frymëzojnë disa politikanë, apo parti politike të hapësirës sonë që bëjnë nacionalistin pas luftës, apo pas pilafit, dhe lloj-lloj delirantësh, mitomanësh, që në një atmosferë të tillë të elektrizuar, të mediatizuar kaq globalisht, gjejnë terrenin të pretendojnë të fitojnë dukshmëri. Nevojitet një lexim realist jashtësportiv i këtyre marrëdhënieve, në mënyrë të tillë që të lëmë sportin rehat dhe sportistët tanë të qetë për të fituar. Janë disa argumente në favor të këtij leximi.

Së pari, çdo rëndim i atmosferës me patriotizëm veresije, do peshojë mbi këmbët e lojtarëve. E gjitha kjo është e tepërt: ata janë aq shumë profesionistë dhe aq shumë patriotë, sa nuk kanë nevojë për stimuj të tjerë jashtësportivë që të motivohen të japin më të mirën. Me shumë të drejtë njëri nga lojtarët serbë thoshte se gjithë presioni është mbi shqiptarët që duan rezultat për kualifikim, ndaj ne do të jemi të qetë. E pikërisht kjo duhet bërë: të relaksohet mjedisi nga patriotizmi i tepërt, sepse kjo dëmton skuadrën.

Ballist Morina ka një meritë të pashlyeshme: nëpërmjet trukut inteligjent të dronit, ne i mundëm serbët në fushën e tyre dhe ai e ka vendin e vet në histori. Ai sigurisht ka kontribuar cilësisht në gjallërimin edhe viziv të ndjenjës sonë të rilindur kombëtare. Por çdo gjë më shumë se droni, prej tij apo imituesve të tij është teprim. Pse vallë Ballisti duhej të mendonte edhe për hakmarrje apo shpagime gjeopolitike ndaj Vuçiçit, që lidhin Elbasanin me Bosnjën, veç gjetjes së vinçit si mjetin e punës që e ka humbur prej patriotizmit?

Së dyti, një atmosferë e rënduar patriotike në kushtet e mediatizimit ekstrem – media sociale, media botërore, etj., krijon mjedisin e përkryer për stimulimin frenetik, për ekspozimin e gjithfarë delirantëve, mitomanëve, adoleshentëve të provincës që, për shembull, mund t’i lëshonin gurë nga Qafat e Kërrabës autobusit me serbë si Skënderbeu turqve. Me fjalë të tjera, kjo atmosferë është mjedisi ideal për prodhimin e incidenteve që s’na duhen. Ne duhet të fitojmë në fushën e lojës dhe jo me kreativitet patriotik. Kreativitetin në festim ta lëmë pas ndeshjes. Ne duhet ta mbështesim pandërprerë Kombëtaren në fushë, por pa incidente, pa teprime që mund të ngjajnë si incidente madje.

Incidentet nuk na duhen ne, por serbëve. Të mësuar me ankime, të frustruar nga fitorja jonë në Beograd, prej trukut inteligjent të dronit që nxori faqe botës egërsinë e vulgut të tyre, serbët me të vërtetë çfarë nuk do jepnin për incidente. Madje dhe UEFA, e ndikuar prej tyre apo prej danezëve, mezi çfarë pret që të barazojë borxhet e sherrxhinjve ballkanikë. Me fjalë të tjera, UEFA pas një ankimimi të serbëve mund të zeronte çdo lloj rezultati pozitiv në fushë të Kombëtares.

Sot mediat “e social-izuara”, në kërkim të klikimeve, krijojnë një pasqyrë shpeshherë të rrejshme të realiteteve të komplikuara, me sipërfaqshmërinë e vëzhgimeve të veta, në rubrika të lehta. Incidentet edhe më të voglat, sadopak të jenë do të shkatërronin imazhin tonë kombëtar, do na nxirrnin në sytë e botës krejt të ndryshëm nga ata që jemi në të vërtetë: kozmopolitë, relativistë, etj., etj. Ndaj dhe kryeministri jo thjesht për shkak të kërkimit të dukshmërisë ekstreme, të cilin e ka sport të vetin, po kërkon të ruajë imazhin tonë kombëtar, që prodhon rezultate dhe në tryeza diplomatike, përballë mikut Vuçiç, por dhe pa të.

Dhe, më në fund, por jo më e parëndësishmja. Jashtë ndeshjes, në historinë tonë më të re, ne i kemi mundur serbët pakthyeshmërisht. Për shkak të aleancës sonë me Perëndimin, ne i nxorëm institucionet serbe nga Kosova, një territor që na e kishin marrë me luftë. I nxorëm nga një territor që e quajnë të shenjtë për ekzistencën e tyre, duke ua zvogëluar vazhdimisht hapësirën e tyre të ndikimit atje. I nxorëm me shumë viktima tonat, por numri i madh i dëshmorëve ia vlen për atë fitore që arritëm. Aleanca perëndimore u lëshoi serbëve bomba dhe në Beograd, madje duke rrezikuar luftën e tretë botërore për shkak të incidenteve me rusët dhe me kinezët.

Serbët sot kanë më shumë arsye të jenë të frustruar me ne për shkak të kësaj historie të re, madje dhe për shkak të futbollit, sepse me shanset tona për kualifikim, ne po u cenojmë një kurorë suksesesh sportive që ata e kanë të hershme. Frustrimi nuk pyet për drejtësinë e betejave, por sa e freskët është plaga e humbjes. Ndaj ata politikanë që bëjnë patriotin me rastin e ndeshjes kur publiciteti është shumë i madh prej sukseseve të djemve të futbollit, duhet të përpiqen të mbrojnë me sukses interesin tonë kombëtar në ekonomi, në energjetikë, ku serbët na mundin rregullisht.

Ne do t’i mundnim serbët dhe në futboll, edhe jashtë tij, nëse përveç fitores në fushë, do të respektonim himnin e tyre, integritetin fizik të lojtarëve, të njerëzve të federatës së tyre. Kjo fitore kështu do të certifikohej prej miqve tanë perëndimorë që do të ndiheshin të justifikuar pse midis nesh dhe serbëve zgjodhën të na mbështesnin ne në 1999-n. Duke rrezikuar madje të hynin në luftën e tretë botërore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama