Te gjitha incidentet mes Tiranes dhe Athines qe prej vitit 1912

Te gjitha incidentet mes Tiranes dhe Athines qe prej vitit 1912

Debati për kishën e Shën Thanasit në Dhërmi është përplasja më e fundit në një varg të gjatë incidentesh mes Tiranës dhe Athinës. Gazeta “Tirana Observer” hedh një vështrim të të gjitha incidenteve mes dy fqinjëve, që nga Konferenca e Londrës më 1912 e deri tek rastet më të fundit të përplasjeve për kufirin detar. Incidente këto që për hir të së vërtetës kanë ardhur gjithnjë nga pala greke, duke e parë Shqipërinë gjithnjë në pozita inferiore.

Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912


Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan jo vetëm me armë, por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje përfaqësuesit e shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç Vorio Epirit, Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës ishte vendosur Flota Helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër.

Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913


Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë me radhë, krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë ai vendos t’i mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62 kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte, dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.

“Batalioni i Shenjtë”, Andartët, 1913


Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e shqiptarëve. Në këtë pikë nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakrat në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët.

“Protokolli i Firences”, 17 dhjetor 1913


Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë që Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithka, Margëllëi, Parga, Gumenica e Preveza.

“Grushti i Shtetit”, dhjetor 1913


Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.

Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914


Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që sipas tyre i përket Vorio Epirit, por edhe janë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”.

Shkëmbimi i çamëve me turq, mars 1923


Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, i ndërprerë me 1913 nga Lufta e I-rë Botërore dhe rinisur me 1919, la jashtë territorit rajone të banuara nga shqiptarë, Çamërinë dhe Kosturin. Traktati i Lozanës nënshkruar me 1923, parashikonte shkëmbimin e popullsive greke dhe turke, për të zgjidhur kështu një problem të dy vendeve. Tragjikisht Greqia konsideroi si myslimanë turq banorët e Çamërisë dhe mbi 6800 çam u shpërngulën me forcë. Një pjesë e tyre preferoi të vinte në Shqipëri.

Internimi i burrave çam, 4 gusht 1940


Pas shpërnguljes dhe terrorit ndaj popullsisë çame, grekët për të evituar protesta ndoqën dhe rrugën e internimeve. Qeveria greke krijoi komisione që përzgjidhnin popullsinë ku veçonin meshkujt që ishin për luftë dhe i internuan në ishujt e humbur të detit Egje. Sipas dëshmive, trajtimi i tyre ishte i njëjtë me atë që nazistët u bënin hebrenjve. Dhe si për ironi pushtimi gjerman i Greqisë në 6 prill 1941 i liroi çamët e internuar, por kur u kthyen në fshatrat e tyre nuk kish mbetur askush.

Greqia shpall Ligjin e Luftës, 10 nëntor 1940


Gjatë luftës italo-greke, Parlamenti helen miratoi ligjin 2636/1940 ose siç njihet ndryshe Ligji i Luftës me Shqipërinë, për shkak se vendi ynë u përdor nga Italia për nisjen sulmeve ndaj Greqisë. Më vonë këtij ligji ju shtuan dhe shumë amendamente që kishin të bënin me pronat e çamëve, të cilat kapnin vlerën e 350 milionë dollarëve. Ky ligj u bllokon pronën gjithë personave grekë me kombësi shqiptare, duke përjashtuar në këtë mënyrë komunitetin çam. Edhe sot ky ligj mban peng çështjen e çamëve.

Shifrat e terrorit çam, 1940


Më shumë sesa incident mund të cilësohet si një luftë. Por nëse në një anë ishin ushtarët grekë, në krahun tjetër ishin civilë të pafajshëm. Ushtria greke vrau në Çamëri 4300 njerëz, rezultojnë të zhdukur 3500 njerëz, u dogjën 102 fshatra, u shkatërruan plotësisht 57 fshatra si dhe 7280 shtëpi. Shumica e njerëzve u ekzekutuan, por pati masakra kolektive ku fëmijët dhe gratë u therën me thika, u dogjën, madje dhe veprime makabre si djegie dhe rrjepje të gjallë të njerëzve. Askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet. Sipas zyrtarëve greke, u ekzekutuan bashkëpunëtorët me italianët, që në këtë rast paskan qenë edhe gra dhe fëmijë.

Masakra e Napolon Zervës, 25 qershor 1944


Napolon Zerva ishte një nga gjeneralët grekë që bashkëpunoi me pushtuesin gjerman. Këta të fundit i lanë dorë të lirë për masakrat ndaj popullsisë çame. Në fakt masakrat e tij ndaj popullsisë shqiptare do t’i kishin zili dhe gjermanët. Në 25 qershor ‘44, forcat e Zervës ekzekutuan në mënyrë barbare 2000 çamë brenda një nate në qytetin Paramithia. Viktimat ishin kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët u therën me thika dhe u dogjën. Kjo ishte një nga masakrat më të egra të grekëve.

Greqia kundër pranimit të Shqipërisë në OKB, 12 shkurt 1946


Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kërkoi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara anëtarësimin si anëtare me të drejta të plota. Përveç mbështetjes që qeveria jonë kishte nga shtetet komuniste dhe linjës jo të qartë në diplomaci, edhe faktori grek luajti kartën kundër hyrjes së Shqipërisë. Në 12 shkurt ministri i Jashtëm grek dërgon një letër në OKB, ku argumentonte se çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të dhe Shqipëria nuk ka plotësuar të drejtat e minoritetit.


Greqia, nuk njeh luftën shqiptare, 1946


Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë mjaft të tensionuara. Shteti grek i cilësonte shqiptarët si njerëzit që bashkëpunonin me Italinë në luftën italo-greke. Ndërkohë që shqiptarët u përpoqën të çliroheshin vetë nga Italia. Po ashtu nuk ishin dakord që Shqipëria të renditej në koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore dhe e kërkuan këtë publikisht.

7 orë luftë në Vidohovë-Devoll, 2 gusht 1949


Artileria greke qëllon me armën në tokat shqiptare dhe predhat bien 300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë. Vetëm pasditen e 2 gushtit ushtria shqiptare arriti të zmbrapsë atë greke, e cila kish hyrë në territorin tonë. Nga ana e grekëve u vranë 100 ushtarë dhe u kapën rob 3.

Bombardimi i Menkulasit, 5 gusht 1949


Vetëm gjatë dy ditëve, në gushtin e 1949-s ushtria greke ka hedhur më shumë sesa 1500 predha artilerie. Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare thuhej se një pjesë e mirë e këtij municioni ka rënë në fshatin Menkulas (Devoll). I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat e marra për këtë mbrojtje në një urdhër të lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën Shqiptare”.

Beteja e Vidohovës, 7 gusht 1949


Vidohova u shndërrua në një arenë të përplasjes shqiptaro-greke. Në piramidën I-55 trupat ushtarake greke kishin mundur të mblidheshin në territorin shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me ato shqiptare, të përbëra nga një togë dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Ishte një betejë frontale ku forcat greke kishin zënë pikat kyçe. Brenda një dite forcat shqiptare arritën të merrnin pikat e zëna në kufirin shqiptar, po nuk mundën t’i mbanin dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë më vonë forcat shqiptare arritën të largonin togën greke.

Rrëzimi i avionit grek, gusht 1949


Përveç forcave tokësore, ushtria greke përdori dhe aviacionin. Një aeroplan ngrihej nga Korfuzi, duke depërtuar në zonën shqiptare për të bërë zbulim. Me gjithë mungesën e armëve kundërajrore, ushtria shqiptare arriti që me anë të një trekëndëshi me armë të lehta të vendosura në Çukë, Manastir, Ksamil ta detyronte të largohej atë. Në njoftimin Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe raportohet se aeroplani u rrëzua në fushën e Finiqit dhe piloti u kap rob.

Sulmi grek i 12 gushtit 1949


Përreth gjashtë orë në mëngjesin e 12 gushtit forcat greke dhe ato shqiptare kanë zhvilluar një luftë të vërtetë në zonën e Gurit-Bilisht. Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe katër aeroplanë të tipit “Spitfire” sulmojnë tokën shqiptare në drejtim të Bilishtit, ku arrijnë të zmbrapsin rojën kufitare. Luftimet u zhvilluan në afërsi të postës kufitare, ku repartet e ushtrisë shqiptare i thyen forcat greke me gjithë armët moderne që kishin. Ushtria greke kishte në përdorim 36 gryka zjarri të artilerisë, madje u përdorën dhe predha me napalm që digjnin çdo gjë përreth.

Tanket greke në kufirin shqiptar, 1949


Arsyetimi grek ishte se në tokat shqiptare fshiheshin partizanët që sulmonin qeverinë greke. Në “incidentet” në kufi u vunë në përdorim të gjitha armët. Në sulmin e 25 gushtit forcat greke sulmuan me avion artileri dhe 3 tanke. Sipas komunikatës operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ky ka qenë një nga sulmet më të mirë organizuar nga ushtria greke, por që u arrit të ndalej nga pala jonë dhe ushtria greke u zmbraps në tokën e saj.

Krijimi i organizatës antishqiptare MAVI, 1950


Në linjën e spiunazhit, gjenerali grek Vasil Mellaj rekruton një sërë minoritarësh shqiptarë dhe krijon organizatën anti-shqiptare “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit). Sipas ish-oficerit të Sigurimit Bekim Budo, minoritarët Spiridhon Vllahoni, Pandelejmon Kotokoni, Vasil Shahini dhe Jani Diamanti ishin themeluesit e organizatës. Qëllimi ishte riaktivizimi i shërbimeve greke për çështjen e Vorio Epirit në kushtet e një Shqipërie ku sundonte regjimi komunist.

Agjenti “Papastrati”, 1971


Në vitet 1971, në duart e Shërbimeve Sekrete Shqiptare do të binte një agjent grek që kishte luajtur rolin kryesor në çështjen e Vorio Epirit. Sipas dëshmive të njerëzve të Shërbimit Shqiptar, agjenti me emrin “Papastrati”, i cili ishte një shqiptar me orgjinë greke, ka zbuluar një pjesë të planeve sesi vepronte organizata greke antishqiptare për “Çlirimin” e Vorio Epirit.


Parlamenti grek lë në fuqi Ligjin e Luftës, 1987


Qeveria e Papandreut kërkon që të nxjerrë jashtë përdorimit Ligjin e Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por kjo nismë që mund të kishte shkrirë akujt mes dy vendeve nuk u pranua nga Parlamenti helen. Presidenti i asaj kohe deklaron se edhe nëse ky ligj abrogohet nga Parlamenti, Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të pasi ai është dekretuar nga mbreti dhe Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai i mbretit.

Incidenti me priftin grek, Tiranë, 28 qershor 1993


Në vitet pas diktaturës ky mbahet mend dhe si fillimi i incidenteve të rënda me Greqinë. Prifti grek Kristostomu Maidonis u shpall persona “non grata” dhe u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare, shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër, duke shpërndarë në kishat ortodokse shqiptare harta të Vorio-Epirit, ku Jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Athina reagoi ashpër duke akuzuar direkt Presidentin Berisha për këtë incident.

Plani i Miçotaqisit, Athinë, 14 korrik 1993


Kryeministri grek, Kostandin Miçotaqis, paraqet një plan për jugun e Shqipërisë të përbërë nga 6 pika. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si Epiri, të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova.


Masakra e Peshkëpisë, Gjirokastër, 10 prill 1994


Më 10 prill, në orën 02:40 një komando greke prej 8 personash me uniforma të ushtrisë greke hynë në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi pranë një reparti ushtarak. Komandoja vret në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagos tre shqiptarë. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin. Gazeta “Elefterotipia” publikon lajmin se vrasja është marrë përsipër nga grupi terrorist “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Epirit”. Po ashtu gazeta shkruan se ky grup financohet nga Nikolas Gejxh.

Arrestimi i të pestëve, shtator 1994


Arrestimi i pesë krerëve të njohur të organizatës minoritare “Omonia” acaroi më tepër marrëdhëniet greko-shqiptare. Akuza që u ngrit ndaj tyre ishte për spiunazh në favor të Greqisë. Për këtë çështje ndërhyri dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ku kritikoi ashpër qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes minoritare. Gjyqi që u bë ndaj tyre bëri që marrëdhëniet mes Greqisë, Kishës Ortodokse dhe Shqipërisë të njihnin dhe periudhat më të acarta. Pas shumë presionesh të ndërkombëtarëve, Gjykata Kushtetuese i liroi ata në vitin 1995.

Operacionet fshesa, 1995


Pas viteve 1990, në Greqi emigruan rreth 400 mijë emigrantë ku pjesa më e madhe është pa leje qëndrimi. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare kanë bërë që mëritë diplomatike zbrazen te këta mijëra qytetarë shqiptare. Operacionet fshesa janë arrestime në masë të policisë greke disa herë në dhjetëra mijëra dhe kthimi i tyre në Shqipëri. Në vitet ‘94-‘95 pati rreth 4 operacione të tilla ku shqiptarët trajtoheshin në kushte çnjerëzore.

Gejxh, “non grata” në Shqipëri, 1995


Publicisti greko-amerikan Nicolas Gejxh, i njohur si një mbështetës i çështjes së Vorio Epirit, kërkon të hyjë në Shqipëri së bashku me një deputet amerikan, Tom Lantosh. Pas kërkesës që i bënë Ministrisë Jashtme, kjo e fundit kthen përgjigje se Gejxh është person “non grata” në vendin tonë. Ai ishte një nga të dyshuarit për organizimin e masakrës së Peshkëpisë. Ministria i bëri të ditur se në rast se do të hynte në kufi, ai do të arrestohej.

Pengmarrja e autobusit, 28 maj 1999


Rrëmbimi i një autobusi nga një shqiptar u kthye në një incident diplomatik mes dy vendeve. Flamur Plisi, 25 vjeç, zgjodhi rrëmbimin e 8 personave në autobusin e linjës Tiranë-Athinë për të protestuar ndaj indiferencës së shtetit Shqiptar dhe trajtimit të shtetit grek për emigrantët. Plisi kërkonte dënimin e një polici grek i cili nuk i kishte dhënë para për punën që i kish bërë. Plisi u vra nga policia shqiptare në dalje të Elbasanit dhe aksidentalisht policia vrau dhe një peng grek në autobus.

Gramoz Palushi, Greqi, 5 shtator 2004


Fitorja e kombëtares shqiptare ndaj asaj greke në futboll është kthyer në një tragjedi mbrëmjen e 5 shtatorit 2004. Shqiptari Gramoz Palushi u vra me thikë nga greku Panajotis Kladhis vetëm për arsyen se Palushi po festonte me flamurin. Palushi vdiq nga plaga e marrë nga goditja me thikë. Në po të njëjtën ditë, në Athinë pati një seri incidentesh mes shqiptarëve dhe grekëve të cilët kërkonin të festonin fitoren në sheshin “Omonia”.

“Zhvarrimet në Kosinë”, Përmet, 5 qershor 2006


Zhvarrimet në Kosinë shkaktojnë incident diplomatik mes vendeve. Prifti ortodoks Vasili Thomollari kish marrë përsipër mbledhjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës. Por zhvarrimet ishin bërë dhe në varreza shqiptarësh dhe fshatra ku ushtritë greke nuk kishin kaluar kurrë. Policia shqiptare ndërhyri për të verifikuar eshtrat në kishën e fshatit Kosinë të Përmetit. Ndërkohë konsulli grek nuk lejoi që policia të hyjë në një objekt kulti. Ndërkohë prifti grek refuzoi të paraqitej në prokurori.

Videoja greke, 4 mars 2007


Një marsh urrejtjeje i kënduar nga ushtarët grek gjatë stërvitjes ka acaruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo video u publikua në internet, ndërkohë që teksti i këngës është botuar nga gazetat greke dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”, ky ishte teksti i këngës raciste që shkaktoi reagime në disa qytete të vendit. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes i kërkoi Athinës të dënonte skandalin, gjë që u bë nga zëvendësministri i Jashtëm grek.

Himara


Himara ka qenë gjithnjë një mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës. Sidomos zgjedhjet në Shqipëri kanë ngritur gjithmonë temperaturën e marrëdhënieve greko-shqiptare. Sa herë që në Himarë janë zhvilluar zgjedhjet lokale ose parlamentare ka pasur gjithnjë tension, çka kanë sjellë edhe reagimin e Athinës dhe të Tiranës. Vitet e fundit protagonist kryesor pati qenë ish-kryebashkiaku Vasil Bollano, por me humbjen e këtij të fundit tensionet politike janë zvogëluar.

 

Kufiri detar Shqipëri-Greqi


Prej 6 vjetësh Shqipëria dhe Greqia vazhdojnë përplasjet për kufirin detar. Historia e përplasjeve nisi kur Gjykata Kushtetuese shqiptare rrëzoi marrëveshjen mes ish-qeverisë shqiptare “Berisha” dhe asaj të “Karamanlis”. Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2013, qeveria e kryesuar nga Edi Rama kërkoi një rishikimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa Athina nga ana tjetër kërkon zbatimin marrëveshjes të firmosur me ish-qeverinë demokrate. Kufiri detar ka sjellë mjaft polemika mes dy vendeve, siç ishte edhe rasti më i fundit ku Tirana i kërkoi Athinës të ndalonte kërkimet për naftë në detin Jon.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama