PJESA E PARE
PARIME THEMELORE
Neni 1
1. Shqipëria është republikë parlamentare.
2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe
i pandashëm.
3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira,
të barabarta, të përgjithshme e periodike.
Neni 2
1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket
popullit.
2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve
të tij ose drejtpërsëdrejti.
3. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtarë,
Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë
në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të
një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit.
Neni 3
Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të
tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia
shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar
dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe
bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat
janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i
respektojë dhe t'i mbrojë.
Neni 4
1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë
së shtetit.
2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën
e Shqipërisë.
3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti,
përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Neni 5
Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare
të detyrueshme për të.
Neni 6
Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në
këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse,
përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet
ndryshe.
Neni 7
Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë
bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës,
ekzekutiv dhe gjyqësor.
Neni 8
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare
të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të
saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve
shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm
jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve
shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit
për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë
kulturore kombëtare.
Neni 9
1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet
të përputhet me parimet demokratike.
2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria
e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që
nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike,
që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për
të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato
me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.
3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen
kurdoherë publike.
Neni 10
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet
e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes
së tyre në jetën publike.
3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në
mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë
e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë
të secilit dhe të të gjithëve.
5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive
fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura
ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit
të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.
6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato
kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre
sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk
cenohen interesat e të tretëve.
Neni 11
1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë
bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë
e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike
mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye
të rëndësishme publike.
Neni 12
1. Forcat e armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit,
si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin
e tij kushtetues.
2. Forcat e armatosura ruajnë asnjanësinë në çështjet
politike dhe i nënshtrohen kontrollit civil.
3. Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset
dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë
forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë,
përveçse me një ligj të miratuar me shumicën
e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 13
Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet
në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit
dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.
Neni 14
1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është
shqipja.
2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë
të zezë dykrenore në mes.
3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një
shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të
zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë
të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut.
4. Himni kombëtar është "Rreth Flamurit të
Përbashkuar".
5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë
është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është
Tirana.
7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja
e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre
rregullohen me ligj.
|