Miremengjes Shqiperi.
Fillimi Email Forum Chat Kontakto  
 

HERALDIKA SHQIPTARE

Studiuesit janë të mendimit se në Ballkan së pari tek arbërit filloi të praktikohet heraldika.
Heraldika si disiplinë e ka fillimin e praktikimit në Europë në shekullin e XI, kohë kur filluan të kristalizohen rregulla në paraqitjen e simboleve në armët ushtarake, vulat dhe flamujtë e feudalëve, shteteve e kualicioneve ushtarake. Këto rregulla fillesen e kanë në karakterin praktik, që të lehtësonin identifikimin e forcave ushtarake në fushat e bëtejës ku simbolet që mbanin në mburoja dhe në flamurët e tyre e bënte të lehtë njohjen e reparteve ndermjet tyre dhe kundërshtarit dhe lidhjet me komandantët e tyre. Këto simbole që në fillim u praktikuan për qëllime identifikimi më vonë u zhvilluan edhe në drejtimin artistik të tyre dhe në momentin që ata filluan të krijonin rregullsi njohje e individualiteti të feudalëve, shtetëve etj. kjo tërësi rregullash u kristalizua në disiplinë e cila duhej njohur nga bashkëkohasit për nevojat e organizimit politik, ushtarak e shoqëror.
Kjo disiplinë u emërua "heraldikë" nga emri i atij personi që kishte detyrë të njihte këtë rregullsi tek fqinjët, eprorët e feudalit që i sherbente, të vasalëve të tij dhe të mbretit nga i cili varej. Heraldi kishte detyrë të drejtonte ceremonit e oborreve, të mbante të vizatuara emblemat, vulat dhe flamujt e të gjithë atyre që kishin të bënin me zotin e tij. Emblemat heraldike ishin tashmë të percaktuara qartë në ndryshim nga periudha paraardhëse ku kushdo pa një rregullsi mbante simbole të ndrytshme si në kohë dhe territor, por edhe brenda të njëjtit formacion politik e shoqëror. Emblemat ndryshonin, por tashmë me rregullsi dhe të shpallura publikisht. Ndryshimet bëheshin për arsye të zgjerimit ose zvoglimit të territorit, të vasalitetit në të cilin i perplaste jeta, nga lidhjet me krushqi, nga aleancat dhe nga ndarja e një dere në dy apo më shumë degë. Në Shqipërinë mesjetare kemi raste nga të gjitha këto raste të ndryshimit në vazhdimsi të emblemave. Nga martesa e Andrea Topisë ndryshoj stema e tij duke perqafuar edhe simbolet e mbretërisë së Francës, dhëndërr i të cilit u bë, me njohjen e derës së muzakajve titulli despot ajo futi në perdorim elemente të simbolit perandorak, shqiponjën dykrenare, të cilës i shtoi yllin gjashtëcepash të Balshajve nga kishte varësi. Në këtë vazhdë nipi i Skenderbeut, i cili u hyri në hierarkin kishtare u detyrua që simboleve të emblemës trashëguese të i shtojë dhe trekëndëshin, simbol i trinisë së shejtë dhe ndryshime në ngjyra etj.
Në trojet shqiptare heraldika u zhvillua dhe praktikua që në fillimet e saja në Europë si rezultat i kontakteve me ushtritë europiane të kryqzatave që zbritën në bregdetin Adiatik. Këtë fakt e kanë pranuar studiuesit e heraldikës, por e kemi të mbështetur dhe me dëshmi monumentale heraldike. E shekullit XII është emblema heraldike e shtetit të Arbërit e zbuluar në Gëziq (Mirditë), po ashtu e kësaj periudhe është emblema e vjetër e Muzakajve që mban një burim uji dhe dy pishtarë. Për perqafimin e disiplinës heraldike tek arbërit ndikuan shumë faktorë ekonomik e kulturorë por po veçojmë vetëm dy nga këto. Në këtë periudhë për vetë pozicionin në të cilin ndodhet vendi ynë njohu një zhvillim ekonomik e shoqëror. Në një udhëpërshkrim të fillimshekullit XIV shkruhet. "Vendi (Arbëria) ësht i ndarë midis princave të vendit të cilët e sundojnë vetë pa ju nenshtruar kerkuj...". Albanologu kroat M. Shuflai shkruan: "...Nder tokat shqiptare heraldika u perdor heret në ceremoni e kancelari... qysh në kontaktet me Anzhuinët dhe kalorsit francez..."
Në drejtim të zhvillimit të artit në truallin tonë në fillmin e mijëvjeçarit të dytë kemi monumente kulti me vepra arti e mbishkrime të gjuhëve greke e latine që pa u zgjatur tregonin se vendi ishte në një lulzim të artit e kulturës ku gjallëronin si ndikimet kulturore të perendimit dhe të lindjes që njiheshin.
Për zhvillimin e heraldikës ndikoj edhe ndergjegjia e arbërve si vazhduese e lashtë në trojet e veta, ku ishin ruajtur në mitologji, tregime e gojdhana, ornamente veshjesh etjer. simbole të parardhësve që nga lashtësia të cilat të konkretizuara ishin dhe në monumentet që ruheshin në çdo cep të truallit tonë. Pra si popull kishim një trashëgimi simbolesh shumë të pasur e cila gjallonte në objekte të kulturës materiale bashkë me shpjegimin mitik, ritual etj.
Nga ato të pakta monumente të fillimeve të heraldikës shqiptare që ruhen shpaloset hapur se kjo disiplinë njihej mirë me të gjitha rregullat e saja që në shekullin XII dhe ishte frut i një shoqërie që kishte oborre feudale me njerëz me kulturë e artistë të nivelit të lartë artistik. Emblema e Shtetit të Arbërit e shek XII ishte e vendosur në një ansambël arkitektonik me vlera artisitke dhe mbishkrimi që e shoqëron është latinishte e sferave të larta kulturore të kohës, dhe emblema është e një cilsie që tregon dorën e një artisti të vertetë.
Stema heraldike e Topiajve e shek XIV që ruhej në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, Elbasan (sot në Muzeun Kombëtar Tiranë), është sipas gjitha rregullsive heraldike që kishte kjo disiplinë në atë përiudhë. Ajo është gdhendur nga mjeshtëri vendas Dhimitër Spada, shoqërohet me mbishkrimin në tre gjuhë: latinisht, greqisht e sllavisht që tregon se edhe kasneci (heraldi) i kasaj dere fisnike shqiptare ishte me një kulturë të lartë dhe artist i vertetë.
Më që permendem fjalën stemë, duhet të dimë që kjo kupton fazën më të lartë të zhvillimit artistik e disiplinor të heraldikës, Në fillim ishin përbërësë të heraldikës vetëm forma e shqytit dhe simboli (një ose disa) të paraqitura në ngjyra dhe më vonë kësaj baze ju shtuan edhe elementë të tjerë, po simbas një rregullsie të percaktuar. Tërësia e këtyre elementëve dkorativo~artistik u quajtë stemë. Por nuk ka heraldikë pa bazën e sajë që është emblema (simboli) e cila i plotëson kriterët disiplinore edhe kur është e vetme pa shtesat e mëvonshme. Psh. i plotëson kerkesat e heraldikës edhe emblema e Arbërit që ka vetëm simbolin shqiponjë, po ashtu si dhe emblema e Topiajve që ka simbolin në shqyt, helmetën, kreshtën, kurorën, pëlhurën dhe pendët.
Në po këto shekuj heraldika u perqafua krahas klasës së bujarve, edhe nga shtetet, qytetet, bashkësitë shoqrore e fetare dhe artizanati. Vendi ynë njohu zhvillim të heraldikës në të gjitha këto drejtime.
Monumentet heraldike që ruhen në truallin autokton shqiptar janë të pakta për arsyet që dihen p.sh pushtimi pesë shekullor osman zhduku qytete e dogji krahina, por pushtuesit e armiqtë tanë kanë punuar sistematikishtë për zhdukjen e këtyre monumenteve që dëshmonin fazën e lartë të qytetrimit të kombit tonë në mesjetën e vonë. Nga pushtimi i serbëve në vitin 1912 u zhdukën tre emblema në kalanë e qytetit të Lezhës, po nga trazirat e këtij fillim shekulli u zhduken disa emblema nga muret e kështjellës së Durrësit, gjatë gjysmës së parë të shek. XX u zhduk emblema me shqiponjën dykrenare në Jabllanicë (Kosovë), në vitin 1912 u grabitën gurët e disa varreve monumentalë nga serbët në periferi të Tetovës, gjatë trazirave të vitit 1997 u zhduk emblema e Shtetit Shqiptar të Skenderbeut në portën e kështjellës së Himarës e mundet të rendisim dhe fakte të tjera të njohura. Per fat na janë ruajtur në truallin tonë emblema e Skurajve, Engjëllorve, Topiajve, e Kastriotëve, Gropajve, Shtetit të Arbërit e disa emblema të tjera të gdhendura në gur ose të pikturuara. e disa të tjera të pa identifikuara nga studiuesit.
Nga faza e parë e zhvillimit të kësaj disipline heraldika shqiptare sot njihen emblemat e fisnikëve Balsha, Muzaka, Topia, Skuraj, Bue Shpata, Engjëllorët, Bukja, Araniti, Buzezi, Dukagjini, Dushmani, Gropa, Himara, Kopili, Matranga, Tribaldi, Zakarija, Spani etj. Nga dinastitë arbërore kemi emblemat e Kastriotëve, të Shtetit të Arbërit të shekullit XII dhe emblema e "Mretërisë Shqiptare" nën sovranitetin Anzhuinëve e fundit të shek. XIV etj. Zhvillimi i shoqërisë shqiptare pësoi një frenim si rezultat i pushtimit otoman që fisnikërinë shqiptare ose e përndoqi nga atdheu, ose e detyroi të bëhej vasale të Portës së Lartë, e cila nuk njihte as nuk lejonte heraldikën. Në këto shekuj robërie si e gjithë kultura kombëtare pësoi goditje edhe heraldika e cila ishte faktor dhe tregues i zhvillimit kulturor e shoqëror i kombit tonë përkrah vendeve europiane.
Faza e dytë e heraldikës shqiptare është e shekujve XVI~XVI kur afirmohen në ngjarjet historike pinjoj të dyerve arbërore në sherbim të shteteve perendimore e në fusha të ndryshme kulturore, shkencore e fetare të rilindjes europiane, të cilat arritën ti ruajnë e të fitojnë tituj të fisnikërisë. Disa nga këto dyer të para shqiptare mbajnë tituj fisnikërie të trashëguara nga atdheu si dera fisnike De Rada, Kladha, Maruli, Ralli, Vlora, por nuk dimë për shekujt e mëparshëm si ishin emblemat e tyre. Na shfaqen në këto shekuj fisnikëria shqiptare e afirmuar e njohur nga oborret e perendimit: Peta, Marmora, Makri, pasardhës të Aranitëve e Muzakajve. Bokali, Basta etj, të cilat u shquan në fushën ushtarake e administrative. Nga dyert fisnike shqiptare u shquan në hierarkin kishtare shumë pinjoi që ju a njohim emblemat të cilat shumë elementë të simboleve i trashëguan nga emblemat e paraardhësve të shekujve XIII ~XV si Konstandin Kastrioti, Bogdani, Mekajshi, e disa të tjerë që i fituan titujt më vonë si Vulgari, Lapacaja, Parrino etj.
Në fushën e kulturës, shkencës e artit u dalluan pinjoj të dyerve të vjetra shqiptare jashtë trojeve të tyre dhe që trashëguan ose fituan tituj fisnikërije dhe ju a njohim emblemat Gjon Gazullit, derës Karajani, Maruli etj.
Zhvillimi ekonomik, kulturor e legjislativ i Arbërisë në shekujt e para pushtimit otoman kristalizoj forcimin e zhvillimin e shumë qyteteve shqiptare të cilat disa kishin vazhdimsi që nga kohët e lashta si Shkodra, Lezha, Durrësi, Prizreni, Janina, Ulqini, Berati, Janjeva, Vlora , por krahas tyre linden e u zhvilluan në një hap me qytetet e vendeve europiane edhe Danja, Zvaqi, Drishti, Shurrdhahu. Me këtë zhvillim që patën këto qytete arritën të kenë statutet e emblemat e tyre. Nga këto ne sot njohim emblemat e qyteteve, Shkoder, Ulqin, Lezhë, Artë, Zvaq (Shasi i sotëm), Drisht etj.
Objekt studimi të heraldikës janë edhe vulat që ishin të domosdoshme për aktivitetin e kancelarive të oborreve e të shtetit mesjetar shqiptar. Nga ato të dhëna të pakta, kjo edhe për mungesë studimesh e gjurmimesh na janë ruajtur dhe kemi dëshmi për këtë fushë që në literaturën shkencore quhet sfragjistikë. Kemi dëshmi grafike për vulën e Gjon Kastriotit, vulën e Gjergj Strazimir Balshës dhe kemi dëshmi por nuk e njohim paraqitjen grafike të tyre për vulën e qytetit të Durrësit, të qytetit të Himarës, të Ulqinit, Tivarit, Lezhës. Edhe gjatë pushtimit turk vazhduan të ruajnë për koresdencën e tyre vulat peshkopët si Bardhi, Mekajshi që në emblemat e tyre kishin simbolin e derës fisnike që i përkisnin etj. Por shumë e rëndësishme në këtë drejtim është se njohim vulën e Kryezotit të Shtetit Shqiptar të shekullit XV, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, e cila ruan edhe simbolin e flamurit tonë kombëtar. Nga Kuvendi i Dukagjinit i vititeve 1601 ~ 1602 ku morën pjesë perfaqsues nga 13 krahina që nga Kosova, Dukagjini, Shpati e Myzeqeja në përpjekje për çlirim nga pushtuesi, aktet i vulosën me vulën e cila na ëshë ruajtur forma grafike e sajë. Ajo ka mbishkrimin: "Sigillum Regni Macedoniae et Albaniae", Vula e Mbretërisë Maqedonisë dhe Shqipërisë e cila ka edhe ajo në mes shqiponjën dykrenare të trashëguar dhe bashkudhëtare e shqiponjës së flamurit të kombit tonë.
Në mesjetë dyert fisnike kishin dhe flamurët e tyre që kryesishtë kishin të njtëntin simbol si emblemat heraldike. Me krijimin e Shtetit Shqiptar
nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës me 2 mars 1444 edhe kombi ynë unifikoj e njohu si flamur të tij flamurin që deri ahere ishte i dinastisë Kastrioti. Në luftë të gjithë reparetet e fisnikëve shqiptar mbanin flamurët e tyre por në ballë të luftës e të ceremonive të tjera ishte flamuri i mbarë kombit. Simbas hulumtimeve dhe dëshmive akivore shqiptare dhe të huaja flamuri kombëtar shqiptar megjithse i ndaluar nga pushtuesit u ruajt e praktikua në ngjarje hiistorike të krahinave të atdheut tonë pa nderprerje deri më 28 nëntorin e 1912.
Në drejtim të heraldikës së bashkësive arizanale shqiptare mesjetare shpesh permenden në dokumente e udhëpershkrime se bashkësitë e ndryshme të qyteteve kishin flamuj të veçantë, Njohim konkretishtë emblemat e hekurpunuesve të Pejës, të tabakëve (lëkurpunuesve) të Elbasanit dhe emblemën e mjeshtërve të punimit të armëve në Hajmel (Shkoder).
Nga shoqatat e klubet kulturore, atdhetare e botuese të periudhës së rilindjes njohim shumë emblema si nga ato brenda dhe jashtë atdheut nga fotot e botimet. Për fat na ruhet e qëndisur e krijuar nga Marubi emblema e Klubit Gjuha Shqipe e vitit 1908.
Sot nuk kemi tekste të shkruara në gjuhën shqipe për shekujt XII ~ XV që të njohim terminologjinë e kësaj disipline të popullit tonë. Por nga gjuha e folur dhe të periudhës kur shqipen e kemi të dokumentuar kemi pasuri dhe terminologji të pasur shqiptë.Në zonat e thella ku pushtuesit kishin pushtet të kufizuar kemi në perdorim për disa pinjoj të dyerve fisnike kemi fjalën Zoti, zotërinjët (p.sh. Zotnit e Iballes), që gjuha e jonë i përdor për të cilësuar dyert e para. Tek xhupeta e veshjes popullore të Mirditës dhe Matit është e ruajtur e qëndisur emblema e Kastriotëve dhe quhet "maroja", që ruhet bashkë me emrin e mburojës ku vendosejPjestarët e dyerve të mëdha si na e dokumenton edhe F. Bardhi por edhe goja e popullit quhen "fisnik" e "bujar". termi bujar është ruajtur deri sot tek arbëreshët e Italisë në formën "buljar".Termi "kasnec" është i gjuhës shqipe dhe i përgjigjet termit të përdorur në Europë "herald". Ky term është me shumë rëndësi e tregues se qysh në fillimin e praktikimit të heraldikës në Arbëri ekzistonte terminologjia në gjuhën tonë për këtë disiplinë. Nga Bogdani kemi termin "shqyt" për mburojën, dëshmi që verteton që edhe fjalët e huazuara shqipja ja kishte pershtatur strukturave morfologjike të saja.
Emblema shqiptare të shekujve XII ~ XV ruhen në katalogje të ndryshem të arkivave privat e shtetëror të Europës të cilat shumë pak janë të njohura.
Heraldika shqiptare është pak e studiuar, deri tashmë vetëm sa janë bërë hapat e para.
Jaho Brahaj.

. Literatura:
Skiroi, Zef, ~ Te Dheu i Huaj, Palermo, 1900.
Matkovski. A, Stemat Shqiptare në të Kaluarën, Revista Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, 1969, Nr 2, f. 89~156.
Nimani, Shuqri, ~ Trojet Shqiptare në Harta e Stema, Rilindja, Prishtinë, 1996.
Brahaj, Jaho, ~ Emblema Shqiptare~Gjurmime Heraldike, Tiranë, 1997.

 

© Copyright 2001Shqiperia.com
Shqiperia.com, Nje projekt per nje tjeter Rilindje Kombetare