Shën Kozmai dhe misioni i tij në Shqipëri. –

Murgut Kozma synonte përhapjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet çeljes së shkollave greke.

Nga Prof. Pëllumb XHUFI

I ashtuquajturi Shën Kozma u lind më 1714 në një fshat të humbur të Etolisë. Mori mësimet e fesë në Malin Athos, në manastirin e Filotheut, si klerik për të shërbyer edhe në Shqipëri. Jeta e tij, mbyllet me vrasjen në fshatin Kolkondas (Fier) më 24 gusht, 1779. Legjenda thotë se vrasja u bë me urdhër të Kurt Pashës si pasojë e intrigave të çifutëve të Beratit. Rrëfimet mbi bëmat dhe martirizimin e shën Kozmait janë një variant popullor i rrëfimeve biblike, në analogji me martirizimin e Jezu Krishtit. Rrëfime të tilla lindnin në mjedise klerikale e fshatare analfabete, gjenin përhapje të gjerë në momente krize politike dhe shpirtërore, ishte fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas dështimeve të kryengritjeve antiosmane të viteve 60-70-të të shekullit XVIII, popullsitë e krishtera të Ballkanit dhe ato shqiptare, u ndrydhën në një pritje të “shpëtimtarit çudibërës”.

Thelbin real të veprimtarisë murgut Kozma nga Etolia, e përbëjnë udhëtimet misionare që ndërmori në “Shqipërinë e poshtme” (Epir), në vitet 1768-1774 dhe 1775-1779. Kjo periudhë dokumentohet nga letrat dhe predikimet e tij nga dokumentet e kohës, sidomos ato veneciane. Misioni i tij i parë në Shqipëri, i viteve 1768-1774, lidhet me kryengritjet e Himarës, Labërisë, Delvinës e Sulit, deri në Peloponez, që u mbështetën edhe nga Rusia, nga Venediku, nga Franca e Papati.

Me këta kryengritës u bashkua edhe vetë patriku Serafim II, “Arvaniti” (nga Delvina). Patriku i ri, Sofroni i II, që erdhi në vend të tij, ishte një vegël e Sulltanit I. Biografi i shën Kozmait, K. Sardelis, pohon se misioni i murgut në Shqipëri u “sponsorizua” jo vetëm nga Patriku por edhe nga vetë Sulltani i cili, e pajisi Kozmanë me një ferman të posaçëm.

Letrat dhe predikat e shën Kozmait që lidhen me këtë mision, tregojnë se detyra e tij ishte të qetësonte dhe të sillte në bindje të Portës së lartë, kryengritësit shqiptarë. Në një letër dërguar kadiut të Filatit më 13 qershor, I767, të cilit i prezantohet si i dërguar i padishahut, Kozmai shkruan: “…Unë, imzot, si shërbëtori sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t’u mbushur mendjen të krishterëve të ruajnë besën e zotit dhe t’u binden urdhrave të Sulltanit, siç kam porosi nga Patriku dhe nga të parët e kishës…”. Kozmai shprehej në predikën e tij të tretë: “Pushteti turk është më i miri se çdo pushtet tjetër… Turqit na lanë të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na lanë tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë as Frëngjtë e as Venecianët… Prandaj zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha turqve për të mirën tonë…”.

Pra Kozma Etoli, jo vetëm që nuk është nxitës dhe tribun i kryengritjeve antiosmane siç e paraqet propaganda kleriko-nacionaliste greke, por është një emisar i Portës së Lartë dhe i Patrikanës greke të Stambollit për shuarjen e kryengritjeve shqiptare. Edhe në Sul, Kozmai u predikoi luftëtarëve shqiptarë të linin armët dhe të nënshtroheshin. Kur këta, të zëmëruar, e dëbuan nga fshati, Kozmai u lëshoi profecinë ogurzezë: “Kjo kokëfortësi e kjo krenari do t’ju marrë në qafë. Aty, në ato degë ku kini varur jataganët tuaj, do vijë dita që evgjitërit të varin sazet e tyre”.

Prof. Pellumb Xhufi.

Siç thotë biografi tjetër i Kozmait, F. Mihallopullos, si në Sul, edhe në Pargë, Paramithi e Delvinë, kryengritësit shqiptarë e dëbuan Kozmanë  “sepse e konsideronin agjent të turqve”. Në vitin 1774 u nënshkrua paqja e Kuçuk-Kajnarxhasë mes Turqisë dhe Rusisë dhe pas kësaj vlaga e kryengritjes shqiptare, u shua. Këtu mbaroi dhe misioni i parë i Kozmait. Ai u kthye në Stamboll pranë Patriarkanës së Fanarit në pritje të misionit të tij të ri. Veprimtaria gjatë kësaj periudhe e rreshton atë në traditën më të keqe të Patriarkanës së Stambollit e cila, që kurse nënshkroi marrëveshjen me Mehmetin e dytë më 1453, u kthye në një vegël të sulltanëve osmanë, për nënshtrimin e popujve të krishterë të Ballkanit

Misioni i dytë i murgut Kozma synonte përhapjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet çeljes së shkollave greke. Në këtë kuptim edhe misioni i dytë mbetet po aq politik sa dhe i pari. Kozmai u nis nga Stambolli më 1775 i pajisur përsëri me leje të Patrikut dhe me ferman të Sulltan Mehmetit I. Por tani Kozmai ishte emëruar nga Sinodi i shenjtë i Kishës si “Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke”. Me këtë cilësi ai e quante detyrë të tijën të shtonte shkollat greke në Shqipëri dhe ndalonte shkrimin e gjuhës shqipe. Udhëtimi i dytë e çoi murgun në shumë vende të Shqipërisë; në fshatrat e Korçës, Konicës, Paramithisë, Filatit, Delvinës, Gjirokastrës, Himarës, Vlorës, Beratit e Myzeqesë, Kavajës dhe deri në Krujë. Thelbi i predikës së tij të famshme me të cilën iu drejtua popullsisë së Epirit: “Mësojini fëmijtë tuaj të flasin gjuhen greke pasi kisha jonë dhe kombi ynë janë grek… Në ka burrë a grua të krishterë që do më japë fjalën se nuk do flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë këtu dhe unë do t’ia fal atij të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes… Më mirë të kini një shkollë greke në fshatin tuaj se sa të kini kopshte, pyje a lumenj”, (A.Konstantakopulos, Elleniki glossa sta Balkania, Janinë, 1988.fq.35).

Në Himarë Kozmai u mundua t’u mbushte mendjen banorëve se shkolla greke ishte më e rëndësishme se edhe vetë kisha. Kur ata i thanë se nuk kishin qereste për ta ndërtuar shkollën, Kozmai urdhëroi ta rrëzonin kishën e fshatit dhe me materialet e saj të ndërtonin shkollën greke. Po kur pa se fshatarët u shtangën nga një sakrilegj i tillë, rrëmbeu vetë kazmën, u ngjit në kulmak të kishës dhe hodhi poshtë çatinë e saj.

Siç i shkruan vëllait të tij, Hrisanthit, në përfundim të misionit të vet Kozmai arriti të ngrejë 210 shkolla në Shqipërinë e poshtme. Këto ishin të gjitha shkolla greke dhe një fakt i tillë e bënë Kozma Etolin padyshim një pararendës të helenizmit në Shqipëri, por aspak një “promotor të arsimit kombëtar”, siç është shprehur pa vend ndonjë adhurues shqiptar i tij (!?) Dihet që Kozmai ishte miku i sarajeve të Kurt Pashës së Beratit si dhe i bejlerëve të Filatit, Paramithisë, Delvinës, etj. Këtyre aq u bënte nëse murgu vendoste piketa”helenizmi” nën hundën dhe nën mbrojtjen e tyre. Mjaftonte që rajatë e tyre të rrinin urtë dhe të paguanin taksat, gjë për të cilën Kozmai nuk ua kursente predikimet e tij. Nga një logjikë e tiilë e shkurtër nuk shpëtoi dot as Ali Pashë Tepelena, i cili, me ndërtimin e manastirit të shën Kozmait në Kolkondas, (Fier), ndihmoi aq shumë në ngritjen e kultit të murgut Kozma. Megjithë meritat e padyshimta në favor të “helenizmit”, kisha greke u kujtua mjaft vonë për shenjtërimin e Kozma Etolit, në fund të viteve 20-të të shekullit të njëzetë. Dhe këtë e bëri pasi dështoi ta marrë Vorio Epirin me mjete politike dhe sajesa diplomatike (përpjekja e fundit u bë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919). Pas kësaj, qarqet nacionaliste klerikale greke vendosën të shpallin luftën e shenjtë për “Vorio-Epirin” nën flamurin e shën Kozmait.

Sot nuk ka grek që t’i njohë “shenjtorit” anti-shqiptar, gjysmanalfabet nga Etolia dhe varrit të tij në Kolkondas, ndonjë vlerë tjetër veç asaj të greqizimit të popullsisë ortodokse të Myzeqesë dje, dhe të një hipoteke absurde në tokat e shqiptarëve, sot. Me këtë synim të mbrapshtë, shën Kozmai është futur qëllimshëm në kalendarin e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe besimtarët e Myzeqesë e nderojnë atë, pa ditur cili është dhe përse. Njëlloj si besimtarët myslimanë të Petrelës të cilët, nuk dinë përse nderojnë tyrben e Ballaban Pashës, tradhtarit dhe armikut të Shqipërisë…!?