Luljeta Dano: – XHUBLETA E SHQIPËRISË DHE E SHQIPTARËVE TË TË GJITHË KOHËRAVE

Intervistoi: Suadela Balliu

Macolja nga Vermoshi, grua e lavdëruar për bukurinë e saj, i pat rrëfyer se e kishte mbajtur veshur në të përditshmen xhubletën, deri në vitin 1975.

Lart, në Alpe vajzat malësore e vishnin të parën xhubletë në moshën 10 -vjeçare e me xhubletën e nusërisë veshur përcilleshin edhe në jetën tjetër. Më të bukurën, më të zbukuruarën e më të veçantën e ruanin për martesë.

Edhe sot xhubleta është në përdorim, rrëfen në një intervistë për Gazeta Si, Luljeta Dano, shkrimtare, hulumtuese e simbolikës dhe njëherazi drejtore e Qendra Antropologjike XHUBLETA, duke na zbuluar magjepsjen e saj pas këtij kostumi të vajzës dhe gruas malësore, që duket se e kapërcen funksionin e thjeshtë të të veshurit.

Në Nikç nuset ende martohen të veshura jo me fustanin e bardhë të nusërisë, por me xhubletë, thotë zonja Dano, ndërsa në vitin 2006 është shkëmbyer rrugës me një nuse që martohej me xhubletë në rrugën e Selcës. Xhubleta, thotë ajo është edhe sot në përdorim, në një prej kuptimeve të shumta etike dhe praktike që ka e gjalla e këtij Kostumi Kombëtar. Edhe më të bukurat e Malësisë, në Logun e Bjeshkëve, konkurojnë mes tyre, të veshura me xhubletë.

E angazhuar me ekspeditat, si pjesëtare e grupit për përgatitjen e dosjes së Xhubletës për në UNESCO, zonja Dano rrëfen lashtësinë e xhubletës, nga popujt ilirë e si ka mbërritur deri më sot e ruajtur tek shqiptarët, në disa zona të Veriut të vendit.

“Që xhubleta të jetë e mbrojtur nga UNESCO si pasuri e njerëzimit, e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të të gjitha kohërave, duhet më shumë bashkëpunim nga grupet e interesit sot”, pohon ajo.

Ndonëse veshje e lashtë e shtrirë në pellgun e Mesdheut, dëshmuar prej afreskeve dhe terakotave, ruajtja deri në këtë shekull, siç thotë zonja Dano, “simbol i kryekostumit kombëtar të grave”, e bën xhubletën ekskluzivisht shqiptare.

Për të, si poete, xhubleta është një prej vulave të fshehta universale. Valëzimet e fundit të xhubletës madje u përngjajnë imazhit të një fotoje konceptuale për trajtën elektromagnetike të universit, në të cilin jemi banorë.

A do të thotë shpëtim përfundimtar i xhubletës pranimi në UNESCO? Po nga institucionet shqiptare, sa është bërë për ta ruajtur atë?

Nëse do të finalizohet me sukses projekti i dosjes që po përgatitet nga grupi i punës, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe me financim nga Fondi Shqiptaro – Amerikan i Zhvillimit që Xhubleta Shqiptare ta fitojë statusin e lartë dhe të listohet si pasuri e njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCOS – s, në trashëgiminë kulturore botërore, do të jetë një ngjarje e rëndësishme së pari për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nga vetë shteti shqiptar xhubleta gëzon statusin: KRYEVEPËR e trashëgimisë kulturore kombëtare, që nga viti 2016. Këta tituj mbrojtës që jepen nga institucionet e larta janë njëra anë e medaljes e cila fiton vlerën e vërtetë nga mbartja gjeneratë pas gjenerate tek shtëpia malësore që e ka të sajën xhubletën, ruajtja, konservimi dhe promovimi nga koleksionet shtetërore apo private, arkivat, hulumtimi dhe studimi shkencor që po i shton tituj të rinj bibliografisë së pasur të xhubletës, me studime antropologjike të metodologjive bashkëkohore, si dhe vazhdimësia e teknologjive artizanale të prodhimit të xhubletës.

Luljeta Dano

Që xhubleta të jetë e mbrojtur nga UNESCO si pasuri e njerëzimit, e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të të gjithë kohërave duhet më shumë bashkëpunim nga grupet e interesit sot. Grupi i punës këto tre muaj ka punuar në periudhën e temperaturave ekstreme dimërore dhe është penguar nga moti, pandemia, nga terreni dhe probleme plot që dalin rrugës ku duhet të përshkosh ndonjëherë edhe distanca jo të vogla mirëkuptimi.

Por emocioni ynë më i dëlirë është takimi me familjet e bartësve të xhubletës, njerëz me fisnikëri të përmendur e të përshkruar nga studiues të huaj, si ilirët gjakpastër që u izoluan shekujve në Alpe, edhe me tetë muaj dëborë në vit. Ata ruajtën besnikërisht tiparet e racës së paasimiluar e ritualet pagane dhe duke i çuditur shpesh gjatë shekujve të fundit me botën e tyre të pasur zakonore e traditën, udhëtarët e shquar që vinin nga zemra e Europës.

Një traditë, mesa duket, mijëravjeçare ndër shqiptarë… Sa praktikohet sot zeja e të bërit xhubleta? A është ruajtur e paprekur mënyra si punohet dhe simbolet në të apo ka pësuar ndryshime, për shkak ndoshta të komercializmit?

Ka projekte ku po punohet me dërstilat. Spiku, i cili është gjithashtu një nga elementët bazë të xhubletës prodhohet në Kelmend, Krujë, Pukë, Elbasan, Lezhë, e ka filluar të përdoret gjerësisht në suvenire turistike nga Shqipëria. Edhe në Rugovë të Kosovës ka prodhim spiku (gajtani), shumë cilësor. Këto muajt e fundit unë kam parë me habi për nga bukuria e artit të prodhimit dhe kualiteti, xhubleta të reja bërë nga shoqata të artizanatit apo subjekte biznesi privat, në Tiranë, Shkodër, Lezhë. Madje është prodhuar edhe në Akademinë e Arteve me një freski të re në elegancën e saj proverbiale. Nga ekspeditat në terren në tre muajt e fundit, gjejmë ende tek bartëset e saj gra që i kanë bërë vetë xhubletat e pajës ose dorëpërdorë me nënat a njerkat e tyre.

Por xhubleta autentike është një labirinth antropologjik mijëravjeçar që vjen me shprehitë kulturore në mjedisin e vet jetësor. Ndaj pesha e asaj fryme nuk mund të matet me peshën fizike prej 16 – 20 kg të xhubletës që mund të prodhohet edhe tani pothuaj ose afërsisht e ngjashme me modelet më të vjetra të xhubletave në muze, edhe nëse kopjohet sot pikë për pikë.

Sa vjeçare ka qenë xhubleta më e moçme që keni parë apo që ruani në Qendra Antropologjike XHUBLETA?

Xhubleta më e vjetër në koleksionin tim, pra, të Qendra Antropologjike XHUBLETA, është një xhubletë e ngushtë e Dukagjinit, tepër e ronitur nga koha, me qëndisje spiku dhe qëndisje ari, me një xhep shajaku të bardhë, gërshetat lidhës të pjesëve apo kornizues në dy përparëset e së cilës kanë me të vërtetë ngjyrat e ylberit dhe të palloit. Mund të jetë e fillimit ose e mesit të shek. XIX. Kam edhe disa stoli të të dy tipave të xhubletës, xhubletës së madhe të Malësisë dhe xhubletës së ngushtë të brigjeve të Drinit që mund të jenë edhe mbi dyqindvjeçare.

Muzetë shtetërorë dhe arkiva e tyre etnografike ruan si nga këto kostume kombëtare, si nga setet e stolive të tyre modele nga më të vjetrat dhe më të bukurat. Koleksionet private, e di në parim, nga bisedat me vetë koleksionistët që kanë çudira si në sasi dhe në cilësi, por ato nuk janë të ekspozuara ose janë fare-fare pak, ndaj nuk kam mundur t’i shoh.

Kur ka nisur pasioni për ta ruajtur dhe studiuar xhubletën?

Xhubletat e para i kam blerë në nëntor 2005 dhe për afro dy muaj ndërtova konstruktin thelbësor të këtij koleksioni. Në katër – pesë vite mëpas më dukej se plotësoja, por ajo që ndodhi, koleksioni im i xhubletave u bë rrufe për gati dy muaj. Kam blerë në Shkodër ose më janë dhuruar stoli të grave të veriut e ndonjë shall për përdorim vetiak, që nga fundi i viteve ‘80, kur isha studente. Por që të ndërtoja një koleksion etnografik të orientuar tek gjuha e simboleve kjo filloi dhe ndodhi në fund të vitit 2005.

Si ka qenë magjepsja e parë me të?

Është histori e gjatë si i bleva dy xhubletat e para pa i parë, futur në dy thasë, në një mbrëmje nëntori me furtunë të madhe. Kur i hapa në shtëpi ngela për orë të tëra para tyre pa ua hequr dot sytë. Telefonova të nesërmen miken time, koleksionisten e njohur, Linda Spahiu duke e lutur të vinte t’i shihte ajo njëherë, sepse dy xhubletat që kisha blerë kishin diçka që nuk të linte të qetë. Linda erdhi bashkë me stilistin Joni Peçi dhe më konfirmoi me dijen e saj etnografike racionale dhe transhendenciale, kur pa dy xhubletat e porsablera, veçan njëra prej tyre kishte diçka të jashtëzakonshme. Po përpiqesha të shpjegoja se çfarë donin të thoshin ato figura që nuk i përkisnin natyrës fizike të njohur, e Joni Peçi, më foli si një engjëll në vesh: Lexoji mirë ato, se nuk kanë ardhur rastësisht në dorën tënde. Kur pashë se edhe xhubleta e tretë që më doli para, edhe e katërta, edhe pjesë të tjera të veçuara të xhubletave, kishin plot piktograma allasoj që gruaja qëndistare nuk i kish marrë nga natyra, ku ka diell, hënë, gjethe, lule, kafshë, zogj, krijesa detare, por nga një tjetër nivel transferimi dijeje. Fjala në vesh e Jonit, më mikloi për gjuhën arkaike të xhubletës. Natyrisht që edhe te xhubleta gjendet dielli, hëna, gjethet, lulet, kafshë, zogj e krijesa detare, por ato stilizojnë një tjetër kontekst të ndërlikuar kozmogonik.

Udhëtimi im me xhubletën prej atëherë e gjer më sot rikompozoi me harmoni brenda meje, Energjinë, Dritën!

Sot xhubletën e gjejmë në zonat e Malësisë së Madhe, por a ka qenë më e shtrirë në trojet shqiptare? A ka elementë të saj të pranishëm në veshjet e popujve të Ballkanit apo është tipikisht dhe ekskluzivisht shqiptare?

Harta e njohur gjenuine e Xhubletës në Shqipëri, në mesin e shek. XX, kur filluan studimet shqiptare të mirëfillta përfshin Kelmendin, Dukagjinin, Nikaj – Mërturin, brigjet e Drinit, një pjesë të Pukës, fshatrat fushorë të pjesës veriore anës Liqenit të Shkodrës, por kjo hartë zgjerohet artificialisht aty ku kanë zbritur më vonë me banim malësorët në Shkodër, Shëngjin, Lezhë, Milot, Laç, Tiranë. Nuk e dimë nëse më thellë në Mesjetë, harta e xhubletës ka qenë më me hapësirë gjeografike ndër arbër e shqiptarë.

Xhubleta është tipologji e një veshjeje të lashtë e pellgut të vendeve mesdhetare e njohur nga afresket dhe terakotat ex – voto mijëravjeçare. Por me atë begati që e shoqëron si teknologji prodhimi, si ndërtim i veshjes, si sistem dekorimi kultik i lartë, gjuhën e simboleve në qëndisje dhe në aplikat e argjendit larë në ar, në modelin e ndërtimit të flokëve, si dhe gjithçka bashkëjetuese të xhubletës në mjedisin e saj të kullës alpine, me trashëgiminë jomateriale, eposin, ritet, recetat e gatimit e mjekimit, mund të themi që xhubleta, e cila ka arritur në shek. XXI, si simbol i kryekostumit kombëtar të grave, është ekskluzivisht shqiptare.

Përpos funksionit kryesor, të të veshurit, çfarë tregon tjetër xhubleta? Si e përkufizon xhubleta jetën e gruas malësore në tri ndalesa: vajzëri, martesë dhe vdekje?

Xhubleta me gjithnajën e saj përveç funksionit të veshjes me art të lartë ka funksion mbrojtës kultik, ku nuk mbron thjesht gruan që e vesh, por mbron jetën, zjarrin e pashuar e të pashkëputur të breznive. Vajza e vogël, zakonisht kur mbushte dhjetë vjeç vishte për herë të parë xhubletën e bardhë të vajzërisë, e cila nuk kishte brez, (se brezi tek gruaja është atribut martese), ishte e thjeshtë, me iva të bardha dhe të zeza që alternoheshin, por nuk mungonte ornamentika e qëndisur në të me funksion mbrojtës. Në pajë merreshin nga tre gjer në nëntë xhubleta, sipas gjendjes ekonomike të të dy familjeve, nuses e dhëndrit dhe me to gruaja do të vishej për gjithë jetën e saj. Xhubleta më e bukur ishte për ceremoninë e dasmës, për vitin e parë të martesës në të cilin mbahej përdita dhe për festa të tjera fetare e familjare përgjatë jetës. Por kjo xhubletë, më e mira e tërë xhubletave që nusja merrte në pajë, do të ruhej edhe për varrimin e gruas, dhe kur kjo ndodhte në pleqëri të thellë. Xhubletat e tjera kishin emërtimet përkatëse dhe i përkisnin një protokolli të përcaktuar në jetën e përditshme të gruas.

Cila është pjesa më e bukur e xhubletës dhe a ka domethënie të veçantë forma e fundit si kambanë?

Xhubleta është e përbërë nga shumë pjesë. Ka kapriçio të tilla në trupin e saj, midis shumë të tjerave, ku mund të gjesh ornamente energjitike e kultike në vende ku nuk i sheh fare syri, sepse mbulohet me pjesë të tjera. Xhubleta e tëra për mua, megjithë inventarin numeroz të pjesëve të saj është një njësi kuantike.

Kam parë një foto konceptuale të universit ku jemi banorë, valët skalare përhapeshin në të si forma e këmbanës së fundit të xhubletës, me lugjet e saj. Në atë imazh konceptual të universit mëmë kapa diapazonin që oshtinte brenda meje për xhubletën.

Me prezantimin e besimeve monoteiste në trojet tona, a kanë qenë vetëm popullsia e besimit katolik që e ka ruajtur këtë trashëgimi kulturore të xhubletës?

Kam gjetur një referencë në librin MALËSIA E KELMENDIT* të autorit Kolë Progni, se popullsia e kësaj Malësie ishte 98.8% e krishterë katolike, përfshirë dhe atë të Nikaj Mërturit, që sot e merr Tropoja. Unë vetë, besoj se, gjurmët antropologjike të xhubletës, ku ajo u konsolidua për të qenë “një piramidë valore” më pëlqen ta quaj metaforikisht, që vesh gruan e Alpeve, vijnë ç’prej kohërash të largëta, shumë para kohërave të besimeve monoteiste.

Deri në ç’vit janë përdorur rëndom xhubletat në Shqipëri?

Që e ka veshur në të përditshmen unë kam gjetur Macolen nga Vermoshi, grua e lavdëruar për bukurinë e saj, punonte shitëse dhe e ka mbajtur në trup gjer më 1975. Por tani nga lehtësirat që na ka dhënë Facebook – u më vijnë shpesh emra grash e familjesh, fotografi që e kanë mbajtur veshur përditë gjer në mesin e viteve ‘80, fenomen endemik që ndaloi nga fundi i dekadës 1980, por kujtesa popullore e ruan ende.

Xhubleta është edhe sot në përdorim, në një prej kuptimeve të shumta etike dhe praktike që ka e gjalla e këtij Kostumi Kombëtar. Në Nikç nuset ende martohen të veshura jo me fustanin e bardhë të nusërisë, por me xhubletë. Jam shkëmbyer rrugës me një nuse me xhubletë në vitin 2006, në rrugën e Selcës.

Në mjaft familje që vijnë nga kjo trashëgimi e hartës që e ka xhubletën të sajën, sërish nuset e reja, (siç është zakon gjatë dasmës që nusja vesh një fustan të dytë, zakonisht një fustan të kuq), nuset e kohës moderne gjatë festës në valle me dasmorët dalin të veshura me xhubletë.

Logu i Bjeshkës që bëhet për çdo vit në Lëpushë, Kelmend, konkursi i bukurisë për më të bukurën e maleve është vijimësi e traditës shekullore që bëhej në oborrin e kishës. Kemi foto të vjetra nga Fototeka MARUBI që është bërë në nëntor, në ditën e Shën Andreas, por nga intervistat tek bartësit del se bëhej në gusht në festën e Shën Rrokut. Ishte një konkurs bukurie me pjesëmarrjen e nuseve të vitit të parë të martesës, moshë kur nusja ka bukurinë më të ylbertë. Nuk është hulumtuar nga etnologët, por ndoshta këtu bashkërisht ka ndodhur dhe konkursi i bukurisë i burrave që respektivisht i bie të jenë dhëndurët e vitit të parë të martesës, të cilës i referohet shkrimtari Ismail Kadare, në një nga romanet e tij.

Jeni njohur si zëdhënëse e xhubletës në punën shumëvjeçare, çfarë do të na thoshit për kuptimin më të madh që keni zbuluar dhe ju ka bërë të lidhni punën tuaj hulumtuese pazgjidhshmërisht me xhubletën?

Planeti Tokë është pjesë e një Universi që ka si ADN të vetën valën elektromagnetike. Për mua, si poete, xhubleta është një prej vulave të fshehta universale. Ajo me shkrimet e saj na dëshmon herë gjurmë, herë fragment, por edhe një copëz tekst në rastet më fatlume. Në mënyrë intuitive unë jam përpjekur të përkthej diçka prej tyre, si një lexim esseistik mbi simbolikën në sistemin piktografik të xhubletës në librin PERËNDESHA ATHINA DHE SIMBOLE TË TJERA KOZMOGONIKE**, si dhe në skenarin e filmit dokumentar MISTERET E XHUBLETËS SHQIPTARE, prodhim i vitit 2010, nga Digitalb.

Botuar sot në gazetën Si.

* Kolë Progni, Malësia e Kelmendit, fq. 212, Shkodër, 2000, ISBN 99927-41-48-1.

**Luljeta Dano, Perëndesha Athina dhe simbole të tjera Kozmogonike, Tiranë, 2007, ISBN 978-99927-691-4-0.