Zyrtarizohet lamtumira e Lorik Canes nga skuadra e Nantes

Zyrtarizohet lamtumira e Lorik Canës nga skuadra e Nantës

Lorik Cana nuk është më një futbollist i Nantës. Ndonëse dihej prej kohësh se mbrojtësi kuqezi nuk do të vazhdonte te klubi francez, e konfirmuar si nga vetë ai, ashtu edhe nga drejtuesit e këtij klubi, vetëm sot është bërë zyrtarizimi i ndërprerjes së marrëveshjes mes palëve.

Lorik CanaKlubi i Nantës ka njoftuar ndërprerjen e mardhënieve kontraktuale me lojtarin nëpërmjet një komunikate për shtyp. "Lorik Cana largohet nga FC Nanta.

Kapiteni i Shqipërisë ka vendosur të mbyllë kontratën e tij pas një sezoni të zhvilluar me ngjyrat e klubit. Me një karrierë të gjatë pas krahëve, mbrojtësi kishte zgjedhur që të pranonte sfidën te Nanta në qershorin e vitit 2015 duke vënë eksperiencën e tij të pasur në shërbim të ekipit dhe klubit.

Lorik Cana tashmë është kthyer drejt objektivave të rinj. Stafi i FC Nantës e falënderon dhe i uron realizimin e plotë të projekteve të tij të rinj", shkruhej në këtë njoftim të klubit francez.

Sipas mediave franceze, zgjidhja e vetme që mbetet për karrierën e mbrojtësit shqiptar është një eksperiencë në SHBA ose në Kinë.

Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që Cana të vendosë të varë këpucët në gozhdë. Lojtari ka qenë me pushime në Shqipëri deri pak ditë më parë, ndaj aktualisht është larg formës optimale sportive, që do të thotë se do të jetë shumë e vështirë që ai të kthehet së shpejti në fushën e lojës.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama