Zona e mbrojtura qe nuk i mbron askush

Zona e mbrojtura qe nuk i mbron askush

Parqe kombëtare, laguna, rezerva natyrore e sipërfaqe pyjore, të cilat kanë statusin e mbrojtjes nga ligjet e konventat, janë lënë thuajse në mëshirë të fatit gjatë tranzicionit.

Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë të shumta, por ajo që është për t`u ardhur keq është fakti që këto zona nuk mbrohen.
Zonat e Mbrojtura janë sipërfaqe me vlera të veçanta të peizazhit, formacione të rralla biologjike, gjeomorfologjike dhe pasuri të biodiversitetit. Ato kanë vlera natyrore, kulturore, historike, arkeologjike të trashëgimisë rajonale e ndërkombëtare të cilave iu jepet një status i veçantë për mbrojtjen e tyre. Rrjeti i zonave të mbrojtura është bazuar në kategoritë e menaxhimit të sistemin ndërkombëtar dhe sistemi i ndërtuar për këtë qëllim është në përputhje me të. Sipas IUCN (The International Union for Conservation of Nature), Zonat e Mbrojtura mund të përfshihen në një nga kategoritë e mëposhtme:
rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor/ (Kategoria I);
park kombëtar (Kategoria II);
monument natyror (Kategoria III);
rezervat natyror i menaxhuar/zonë e menaxhimit të habitateve dhe llojeve (Kategoria IV);
peizazh i mbrojtur (Kategoria V);
zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara/zonë e mbrojtur me përdorim të shumëfishtë (Kategoria VI).
 
Rezervë strikte natyrore
(Kategoria I)


Territore jo më të vogla se 50ha, me vlera natyrore të veçanta, të formuara nga ekosisteme natyrore ose lehtësisht të ndryshueshme, që përfaqësojnë bioqendra dhe biokorridore me rëndësi kombëtare dhe rajonale, shpallen rezervë “strikte” natyrore. Në rezervën ‘strikte” natyrore zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara prerja e drurëve dhe e shkurreve; përdorimi i kimikateve dhe i plehrave kimike; ndërtime të çdo lloji; nxjerrja e mineraleve dhe e torfave; gjuetia dhe peshkimi; ndezja e zjarreve; kalimi nëpër shtigje, me përjashtim të pronarit ose të përdoruesit të tokës; lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës së ruajtjes së rezervatit dhe të zjarrfikësve; vozitja me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi dhe riprodhimi intensiv i kafshëve të gjahut.


Si rezervat strikt natyror janë shpallur:


Laguna e Karavastasë-zona e parë e përfshire në listën e Konventës së RAMSAR-it. Ajo, ligjërisht është e mbrojtur, ndërsa praktikisht, ajo është në fatin e banoreve të Divjakës. Të gjitha ujërat e zeza të fshatrave përreth derdhen në këtë lagunë. Gjendet gjithmonë nën ndikimin e peshkimit të banoreve, të cilët e përdorin këtë si mënyrë tregtimi.
 
Park kombëtar (Kategoria II)


Territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1000ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, një pjesë e madhe e të cilave janë ekosisteme natyrore, të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror, fizik janë të një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative, shpallen park kombëtar.
Në parkun kombëtar zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara:
shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive;
neutralizimi i mbetjeve me origjinë jashtë territorit të parkut kombëtar;
shpërndarja e kafshëve, bimëve jo vendase, kur sjellin ndryshime në biodiversitetin e zonës;
riprodhimi intensiv i kafshëve të gjahut, me përjashtim të riprodhimeve shpëtuese;
ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë;
veprimtari masive sportive, turistike, jashtë pikave të caktuara;
 
Në këtë zonë mund të ushtrohen, por vetëm pasi të pajisen me leje mjedisi, veprimtaritë që synojnë: ndryshimin e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura; ngritjen dhe funksionimin e objekteve për qëllime ushtarake dhe mbrojtjeje. Parqe Kombëtare në Shqipëri mund të përmendim: Mali i Dajtit, Mali i Tomorrit, Lugina e Valbonës, Lura, Llogara, Thethi, Butrint. Që të gjitha këto parqe vuajnë pasojat e guroreve. Lura është kthyer nga një mrekulli e natyrës në një vend të shkretë dhe kjo nga mbi-prerja e pyjeve.
 
Monumentet  natyror
(Kategoria III)


Në një monument natyror zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes. Si monumente natyrore mund të shpallen shpellat. Për shpellat, kanionet e ujëvarat zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes. Shpellat, kanionet dhe ujëvarat natyrore nuk rrethohen me zonë buferike. Në shpella ndalohet: tjetërsimi i vlerave për çfarëdolloj qëllimi të shfrytëzimit ekonomik; punime apo veprimtari që ndryshojnë karakterin e monumentit apo rrjedhën natyrore të tij.
 
Rezervat natyror i menaxhuar (Kategoria-IV)


Territoret, që përfaqësojnë bioqendra dhe biokorridore me rëndësi rajonale e vendore ose zonat me bimë, kafshë, minerale e gjetje paleontologjike, veçanërisht të mbrojtura ose zonat, që përdoren për qëllime studimore, edukative dhe kulturore shpallen rezervat natyror i menaxhuar (zonë e menaxhimit të habitateve dhe llojeve). Në zonën e menaxhimit të habitateve dhe llojeve zbatohet shkalla e tretë  e mbrojtjes, ku ndalohen ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura; depozitimi i kimikateve; lëvizja dhe parkimi i automjeteve jashtë rrugëve publike dhe vendeve të caktuara për parkim dhe ngritja dhe funksionimi i objekteve për qëllime ushtarake dhe mbrojtjeje. Zonë buferike e zonës së menaxhimit të habitateve dhe llojeve mund të shpallet territori rreth saj, me gjerësi 50m nga kufiri i zonës. Në rezervat natyror të menaxhuar mund të përmendim Kune Vain, Rrushkulli, Pishë Poro, Karaburuni.                                                                                          
 
Peizazhi i mbrojtur (Kategoria V)


Territoret më të mëdha se 1000ha, me peizazh harmonik e të formuar mirë, me reliev të zhvilluar karakteristik, me larmi ekosistemesh, detare ose tokësore, me monumente historike, shpallen peizazh i mbrojtur. Në një peizazh të mbrojtur zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes, ku ndalohen mbjellja e pyjeve monokulturë; neutralizimi i mbetjeve dhe ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara; shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jo vendase; gjuetia me ushqime të helmuara; ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane.


Mali me gropa përben një nga formacionet më të mrekullueshme që ka krijuar nëna natyrë në Shqipëri, por që fatkeqësisht nuk ruhet, se me saktë në letra ajo është zonë e mbrojtur, por në realitet ajo shpërdorohet nga banorët e zonës me mbikullotje të bagëtive në këtë zonë. Liqeni i Pogradecit përbën një nga vatrat më të rëndësishme (vend depozitimi i  plehrave).
 
Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara (Kategoria VI)


Zonat, që përfshijnë territore të gjëra, e relativisht të izoluara dhe të pabanuara, ku hyhet me vështirësi ose rajone që janë ende pak të populluara dhe që mund të jenë nën presion të vazhdueshëm për t’u populluar dhe përdorur më gjerësisht dhe kthimi i tyre për përdorim intensiv është i paqartë ose i papërshtatshëm, shpallen zona të mbrojtura të burimeve të menaxhuara. Kjo kategori mund të përdoret dhe për ato zona që janë të mbrojtura me legjislacion, por që nuk janë përdorur për ndonjë arsye. Në një zonë të mbrojtur të burimeve të menaxhuara zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes. Bjeshka e Oroshit me formacione gjeologjike mjaft interesante (shpella e puse karstike), ka një bukuri natyrore mbresëlënëse, por që për fat të keq nuk ruhet dhe as nuk mirëmbahet nga pushtetarët vendas.


Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë të shumta por ajo që është për t`u ardhur keq është fakti që këto zona nuk mbrohen. Në grykat e Lagunës së Karavastasë gjenden rrjeta ndërkohë që ai është vend depozitimi i vezëve të mjaft organizmave shtazore. Duke qenë se këtu rrjeta janë vendosur aty për të peshkuar ato jo vetëm marrin peshq por edhe mjaft larva të këtyre organizmave shtazore, kjo çon në atë që ne e quajmë “varfëri biodiversiteti”. Në Zonat e Mbrojtura mungojnë ato me kryesore, që një Zonë e Mbrojtur duhet të ketë Tabela treguese për pozicionin e sakte të vendndodhjes së Zonës së mbrojtur; Tabela orientuese për turistët në mënyrë që të marrin pamjet më të bukura të vendit tonë dhe Mungon gardhimi i Zonave të Mbrojtura, i cili jo vetëm që shërben si tregues i sipërfaqes së ZM, por edhe si një mbrojtje nga ndërhyrjet e banorëve përreth, etj. Në këto zona, jo vetëm që peshkohet, por mbi peshkohet, jo vetëm që praktikohet sporti i gjahut në periudha të caktuara dhe të lejuara, gjuetaret gjuajnë në çdo periudhë të vitit, duke vrarë në këtë mënyrë edhe shpendë e shpezë, të cilët kryejnë rolin e paralajmëruesit apo si sinjalizues për shpendë e tjerë që do të vinë.


Nga ana tjetër, pyjet e zonave të mbrojtura në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë pasojat e mbi-prerjes, sepse edhe ato pak pyje që janë kanë një lartësi prej 2-3m të lartë dhe kjo falë proceseve natyrore të rigjenerimit të pyjeve të prera. Shteti Shqiptar nuk ka ndërhyrë në zëvendësimin e drurëve pyjorë, që janë prerë këto vitet e fundit. Vendi jonë është në gjendjen më të pafavorshme të saj si asnjëherë tjetër më parë, ku po t`iu referohemi shifrave në vitin 1943, në Shqipëri ne kemi patur një sipërfaqe pyjore që zinte 89% të territorit, në vitet `80, kjo sipërfaqe pyjore shkoi në shifrat 34%, ndërsa në ditët e sotme këto shifra në letra janë në 6%. Praktikisht, ne kemi edhe më pak se kaq sipërfaqe pyjore.


Nëse iu referohemi shifrave për vendet e tjera, ato na alarmojnë më shumë, po të krahasohemi. P.sh. Austria ka 37 parqe natyrore me një sipërfaqe 305.000 ha, Greqia ka 5 kategori zonash te mbrojtura: Park kombëtar (që janë 10 dhe që mbulojnë një sipërfaqe prej 68,732 ha), pyje estetike, monumente natyrore te mbrojtura, rezervate gjahu, parqe detare. Italia ka 21 Parqe Kombëtare, që mbulojnë 1.5 milion ha ose rreth 5% të territorit. Mali i Zi ka vetëm 4 parqe kombëtare, por ka një sistem ruajtjeje dhe menaxhimi të rëndësishëm, i cili mbron të gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm zonat e mbrojtura. Maqedonia ka një sipërfaqe prej 187,895ha ose 7.2% të të gjithë territorit të vendit. Nëse ju referohemi vendeve të zhvilluara, standardet e tyre kanë bërë, jo vetëm një arritje në industri e teknologji, por edhe në një harmonizim me natyrën. Britania e madhe ka 12% të territorit të saj zona të mbrojtura. Gjermania ka parqe kombëtare, të cilat janë zona të egra, të cilat janë riaftësuar nga ndërhyrjet e organizatave përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës. Por, ajo çka na dallon ne nga shtetet e tjera nuk janë vetëm shifrat, por edhe mentaliteti për mbrojtjen e natyrës. Në vendet e tjera, nëse ti hedh mbeturina në një zonë të mbrojtur (madje edhe në rrugë), ty të vendosin gjobë, ndërsa në vendin tonë, jo vetëm në rrugë hedhin mbeturina, por edhe zona të mbrojtura, sepse mbi to nuk zbatohet ligji. Ai i hedh, sepse nuk e sheh njeri (pra, nuk ka policë ruajtës të zonës së mbrojtur), por edhe sepse në këto zona mungojnë koshat për mbeturina ose ato që janë - janë të jashtë standardit.


Nëse do t`i referohemi ecurisë së Zonave të Mbrojtura të vendit tonë, shifrat kanë ardhur, duke e zvogëluar sipërfaqen e tyre me kalimin e viteve. Ne vazhdojmë të jemi në një periudhë kalimtare, pasojat e së cilës po i vuajnë edhe Zonat e mbrojtura. Ato po e pësojnë rëndë mos-qeverisjen siç duhet, që pasqyrohet në përdorimin kaotik të tyre. Sfida më e madhe për zonat e mbrojtura këto kohët e fundit është ruajtja e tyre. Ndër problemet kryesore që po hasin këto zona të mbrojtura përmendim:
 
 
Përkeqësimi i infrastrukturës rrugore (Parku Kombëtar Lurë, Parku Kombëtar Butrint, etj.); Shkatërrimi i habitateve dhe degradimi i mëtejshëm i tyre (Lurë, Kune Vain, Karavasta, etj); Erozioni në përgjithësi dhe ai bregdetar në veçanti (Mali me gropa, Kune Vain, Pishë Poro, etj); Në këto zona të mbrojtura, zona buferike jo vetëm që është e vogël por ajo as që ekziston  fare pasi ndikimi i ndërtimeve jo vetëm që ndihet në kufijtë e zonës buferike por edhe në brendësi të vetë zonës së mbrojtur; Prerjet e pyjeve si brenda Zonave të Mbrojtura, ashtu edhe anash rrugëve (Lurë, Llogora, Dajt etj); Përhapja e zjarreve gjatë stinës së verës (Llogara, Karaburun, Lurë, Divjakë, etj);


Përndjekja e kafshëve dhe shpendëve të egra (fenomen shumë i hasur në Karavasta, Kune Vain etj);


Mënyrat jo efikase të menaxhimit të kënetave për shpendët dimërues (Karavasta, Kune Vain etj); Menaxhim jo efektiv i aktiviteteve rekreative, të cilët përveç postbllokut për mbledhjen e tarifave në hyrje të zonës së Mbrojtur nuk kanë marrë asnjë veprim për krijimin e kushteve për mikpritjen e vizitorëve apo për parkimin e makinave (Dajt, Llogara, Divjakë, Kune Vain, etj); Kullotja e pakontrolluar (Mali me gropa, Divjakë, etj); Ndërtimet pa leje po zaptojnë Zonat e Mbrojtura (Dajt, Divjake, Llogara, Liqeni i Pogradecit, Lure, Theth, Kune Vain, etj); Gjuetia, mbipeshkimi, peshkimi ilegal, si dhe përdorimi i mjeteve të ndaluara, si lëndë plasëse në këneta, të cilat vrasin të gjithë organizmat që ndodhen aty, duke çuar në një varfëri biodiversiteti (Karavasta, Kune Vain, etj); Mos menaxhimi i vizitorëve dhe të plehrave të ngurta që ata prodhojnë, duke dëmtuar peizazhin dhe vlerat estetike të zonës (Karavasta, Dajt, Llogara, Butrint, Lurë, Kune Vain, Liqeni i Pogradecit, etj); Lokalet në brendësi të parkut, shpesh e marrin lejen për ushtrimin e aktivitetit të tyre vetëm nga njësite vendore, pa marrë pëlqimin e organeve të shërbimit pyjor, (Llogara, Dajt, etj); Guroret po përbëjnë një dukuri negative në shkatërrimin e habitateve dhe zvogëlimin e tyre, të cilët jo vetëm që po dëmtojnë peizazhin e parkut, gjendjen ekologjike të mjedisit përreth, por po krijojnë shqetësime për vizitoret dhe banoret e zonës (Llogara, Dajt, Tomor, Mali me gropa, Orosh, etj) dhe Përkeqësimi i gjendjes fizike, regjimi ujor dhe cilësia e ujërave, shkarkimi i ujërave të zeza të qyteteve ose të fshatrave përreth, pakësimi i ujë këmbimit me detin po i shkatërron pak e nga pak këto zona të mbrojtura (Karavasta, Kune-Vain, Pishë Poro, Orikum, Nartë, etj). Si përfundim, ja pse detyrohemi të pohojmë se Zonat e Mbrojtura në Shqipëri janë të Pambrojtura, se Liqenet janë pa shpezë dhe se pyjet janë pa kafshë.....


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama