Zogu I i padeshiruar dhe i dobishem

Zogu I, i padëshiruar dhe i dobishëm
Më së shumti mbi marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve në prag të pushtimit fashist. Duke cituar arkivat italiane, ai thotë se Zogu nuk ishte një figurë “e dashur” për italianët, por marrëdhëniet me të ishin të domosdoshme, në një kohë kur Italia po humbiste pushtetin e saj në rang ndërkombëtar.

Çfarë ofron dokumentacioni diplomatik italian mbi mbretërinë shqiptare dhe arsyen pse Italia ishte aq e interesuar për Shqipërinë?

Jam interesuar kryesisht për periudhën ’35-’36, kur vullneti i Italisë për të lidhur marrëveshje është shumë i fortë. I nevojitej një vend aleat në një moment shumë të vështirë në rrafshin ndërkombëtar. Shqipëria bashkë me Austro- Hungarinë ishin të vetmit vende që nuk aderuan me sanksionet kundër Italisë. Kështu që Roma ishte shumë e interesuar për të lidhur këto marrëveshje dhe së fundi e pranoi edhe me disa kushte jo shumë të pëlqyeshme, si për shembull, që një pjesë e marrëveshjeve të mos ishte e shkruar, por verbale, mbi fjalën e Mbretit Zog.

Edhe pse Shqipëria ishte një vendi vogël, Italia kishte nevojë për të, kështu që iu kthye marrëdhënieve miqësore, edhe më të forta se ato të vendosura në vitet ’20 dhe që përfunduan në fillim të viteve ’30. Dhe ishte pikërisht Musolini që këmbëngulte në këtë lidhje. (Në shkurt të vitit 1936 ishte i kënaqur edhe që “të mbetej ndonjë thikë në brez”) Janë të njohura marrëveshjet që lidhen me naftën, Portin e Durrësit, shkëmbimet tregtare… Pjesa jo e shkruar i përkiste menaxhimit të shkollave private katolike, që me reformën arsimore pësuan disa dëme, me praninë e ushatarakëve italianë në ushtrinë shqiptare, largimin e ushtarëve anglezë nga xhandarmëria shqiptare, etj. Një panoramë komplekse, por e njohur.

Çfarë thonë këto dokumente për mbretin Zog, si personalitet?

Mbreti Zog nuk konsiderohej person ideal për Italinë, apo shumë i besueshëm. (Konti Ciano kishte antipati të theksuar dhe ishte shprehur hapur kundër tij) Ishte e kuptueshme që Mbreti Zog kishte marrëdhënie edhe me diplomaci të tjera. Nga ana tjetër, në këtë periudhë, në vitin ’34 lind një bashkësi ballkanike, ku u përfshinë gjithë vendet e Ballkanit, me përjashtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë. Italia shpresonte shumë që Shqipëria të bënte pjesë në këtë bashkim dhe bënë gjithçka që ajo të përfshihet në të.

Dihej se Mbreti Zog nuk do të ishte tërësisht një satelit i Romës, por përballë rrezikut që eksponentë të tjerë politikë, apo klane të tjera, mund ta largonin nga pushteti, ndoshta edhe me ndihmën Jugosllave, qeveritarët italianë dhe ministri italian këtu në Tiranë, thanë hapur: shumë më mirë Zogu, sepse përfaqëson një lloj stabiliteti në një vend që përndryshe rrezikon anarkinë. Ky është një vlerësim në thelb pozitiv, aq sa pozitiv mund të konsiderohet një vlerësim politik, sigurisht.

Pse ky mosbesim ndaj Mbretit Zog, cili ishte qëndrimi i tij?

Mbreti Zog vazhdonte të kishte probleme serioze në mbajtjen e pushtetit, por më së shumti në ndjekjen e një politike serioze reformiste, në favor të modernizimit të vendit. Raporti i tij me qeveritë italiane mbeti i dyfishtë: nëse ishte një satelit i Italisë fashiste, ishte i detyruar për shkak të mungesës së alternativave serioze politike ndërkombëtare, duke nisur që nga ajo tërësisht e pakënaqshme, madje e rrezikshme, e ndjekur nga Jugosllavia. Ciano doli hapur kundër tij, duke kërkuar një tjetër alternativë qeverisjeje, por edhe kur si përfaqësues i Italisë në Shqipëri erdhi Jakomoni, marrëdhëniet shqiptaro-italiane nuk u përmirësuan, madje hynë në një periudhë krize. Dhe pushtimi italian i Shqipërisë i kishte rrënjët në paqartësitë dhe dyshimet në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Romës.

Atëherë si erdhi pushtimi i 7 prillit të vitit 1939?

Motivi është i njohur. Hitleri pushton Boheminë dhe Moravinë dhe shkatërron tërësisht shtratin çekosllovak, duke vendosur influencën gjermane në qendër të Evropës. Musolini duhet të demonstrojë se edhe Italia ka një peshë politike dhe atëherë vepron në Shqipëri, e cila konsiderohej nën influencën e saj. Por është edhe fakti që Mbreti Zog ishte zgjedhja më e mirë në Shqipëri, por jo më e mira absolute. Që do të thotë se do të kishte qenë shumë më mirë të lidhje Shqipërinë me komunitetin e ashtuquajtur “perandorak” italian.

Një ide, sipas së cilës, Italia do të ishte një shtet i madh në përbërje të të cilit do të kishte popuj të tjerë, në të njëjtin plan. Pra s’mund të thuash në karakterin kolonial… Por ishte një ide utopike. Pushtimi erdhi si përgjigje kundër Gjermanisë dhe Londra nuk protestoi fare, por e pranoi si një fakt normal. Pasi pranohej sfera e influencave. Shqipëria prej vitesh konsiderohej nën sferën e ndikimit italian dhe nuk kishte asgjë të çuditshme në këtë fakt.

A keni një ide mbi zhvillimet e historigrafisë shqiptare?

Nuk jam shumë në brendësi të botës akademike shqiptare për të dhënë një gjykim, por nga kontaktet që kemi me kolegët shqiptarë, shohim se ka një rizgjim të dukshëm, gjë që erdhi që pas rënies së regjimit komunist. Ka një rikthim të studimit të historisë në mënyrë më të lirë, pa kushtëzime ideologjike (ky takim e tregon këtë). Po zgjerohet edhe fusha e studimeve, duke u thelluar mbi tema, të cilat ishin prekur pak.

Ndodh që me ndryshimin e sistemeve “të përmbysen” edhe figurat historike, kjo po ndodh edhe me Mbretin Zog….

Nuk çuditem me këtë fakt, sepse nuk ka ndodhur vetëm me Mbretin Zog, por edhe me shumë figura të tjera historike. Sipas klimës politike, kur zhvillohen studimet, jepen përfundime të ndryshme. Dhe historianët më seriozë e më objektivë janë gjithnjë të kushtëzuar si nga formimi ideologjik i tyre, por dhe nga konteksti kulturor në të cilin jetojnë. Kështu që ajo që ka ndodhur me figurën e Zogut është e kuptueshme. Të tentoje gjatë regjimit komunist të rivlerësoje figurën e Zogut ishte e pamundur, maksimumi mund të rishikoje ndonjë aspekt të vogël. Në shumicën e herëve regjimet komuniste janë nacional-komuniste dhe ndonjë aspekt ideologjik i regjimeve të mëparshëm është rivlerësuar. Por të rivlerësoje një personazh të tërë në epokën e Hoxhës ishte në të vërtetë e pamundur.

Mendoni se ka ende gjëra për të thënë?

Kam shfrytëzuar një dokumentacion që është i mbledhur dhe i publikuar, por mund të shkohet edhe më tutje e të publikohen dokumente të reja. Por gjithsesi më duket se ky dokumentacion që kam përdorur, është pak i shfrytëzuar nga kolegë të tjerë. Thuajse gjithçka vjen nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por janë shfrytëzuar edhe arkiva të tjera italiane, apo të huaja. Por arkivi diplomatik italian është aq i pasur sa edhe vetë mund të japë një panoramë të qartë. Ajo që do të më dukej interesante është përballja me dokumentacionin diplomatik shqiptar.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama