Zogu I dhe ‘marredhenia’ me Hoxhen

Zogu I dhe ‘marredhenia’ me Hoxhen
Ka ende një marrëdhënie që ha diskutime dhe kjo lidhet me marrëdhënien e Mbretit Zog I me atë që do të ishte udhëheqësi më i lartë komunist i vendit dhe drejtuesi kryesor i saj, Enver Hoxha. Absolutisht, të dy mbeten burrat që kanë kontribuar më shumë në shtetin shqiptar, sipas mënyrave të tyre. E vetmja gjë që i lidh është se asnjë nga të dy nuk erdhi i formuar nga katedrat e universiteteve dhe se të dy kishin një ambicie dhe një fat të jashtëzakonshëm, që i dërgoi deri në pushtet. Në këtë kujtime të adjutantit të Mbretit, Hysen Selmani hidhet dritë për një marrëdhënie të largët të dy personazheve të njohur.

Faktet që kanë hedhur shumë nga personazhet pas viteve ’90 bëjnë me dije se Enver Hoxha është ndihmuar për të vazhduar studimet në Francë, ndërmjet të tjerëve edhe nga monarkia. Më shumë akoma, edhe kur është përjashtuar, ai është ndihmuar të punojë në konsullatën shqiptare në Bruksel. Anipse, kjo lihet e patrajtuar, në kujtimet, që vinë me dorën e adjutantit. Vetë Enver Hoxha, u mundua me të gjithë propagandën e tij ta sfumonte fare rolin e monarkisë dhe për këtë i shërbeu shumë mirë, ikja e Mbretit e vitit 1939.

Përpos, Sigurimi i Shtetit Komunist arriti të penetrojë deri në piramidën e lartë në eksil të Mbretit. Vetë monarku shqiptar është munduar që asnjëherë në kujtime mos ta ofendojë. Edhe pse ndaj figurës së tij janë hedhur pa fund akuza për tradhti dhe vjedhje nga regjimi i Hoxhës. Ajo që i bën më intriguese kujtimet është se Zogu i I është shumë diplomat, kur përmendet fati i Shqipërisë, nga rreziku grek. “Unë nuk e kam armik Enver Hoxhën, sepse ai nuk është grek’, u thotë ai përfaqësuesve grekë. Madje shkon edhe më tej, kur u pohon se po t’i ndodhë gjë Shqipërisë, ai është i zoti t’i dalë në kurriz Greqisë me 20.000 burra.

Në këtë kohë, dhe duke parë zhvillimet e botës arabe, mbreti është i qartë dhe shumë vizionar.”Asgjë nuk bëhet, po mos të dojë vullneti i Fuqive të Mëdha”, mendon dhe këshillon kudo ai. Dhe ai e sheh se vullneti i tyre nuk përkon me çlirimin e Shqipërisë nga komunistët. Ndërsa, e kundërta mund të sjellë edhe pushtimin e jugut të Shqipërisë nga grekët. Ndër dy më të këqijat, Mbreti nderon dinjitetin kombëtar. Më mirë komunistët, por Shqipëria mos të ndahet, bën të qartë ai; se të ndihmohen grekët, që të futen në Shqipëri, gjoja për të luftuar komunistët e tyre, që furnizohen nga Shqipëria.

Ndoshta, ky ka qenë një fakt që e ka përkundur pak dinjitetin e komunistëve, që nga ana e tyre, mundën të mbijetojnë falë edhe forcës së treguar. Në fakt komunistët ja kanë treguar dhëmbët monarkut që me Kongresin e Përmetit duke shpallur në një nga vendimet se atij i ndalohej ardhja në vend. Argumentet ishin të plota dhe paçka kapriçove të historisë, ato nuk mund të mëdyshohen. Zogu nuk kish prejardhje mbretërore, i tillë u shpall pas përmbysjes me forcën e armëve të Qeverisë së Fan Nolit, më 1924. Po në gusht të këtij viti, duke qenë në arrati, për të përfituar ndihmën financiare dhe ushtarake të Serbisë, nënshkroi me Kryeministrin serb Pashiq marrëveshjen sipas së cilës angazhohej: T’i bashkohej Jugosllavisë dhe të njihte dinastinë e Karagjeorgjeviçëve.

Të shkrinte Ministrinë e Luftës dhe ushtrinë kombëtare dhe të mbante vetëm një gjindarmëri nën drejtimin e oficerëve rusë të Vrangelit dhe sërbë. T’i deklaronte botërisht Konferencës së Ambasadorëve se hiqte dorë nga çdo pretendim mbi sovranitetin e Manastirit të Shën Naunit, të Vermoshit dhe Kelmendit, që vetë ua dha serbëve. Të mbahej larg një politike ngushtësisht kombëtare dhe të mos interesohej për shqiptarët jashtë kufijve dhe të mos pranonte në tokën e vet kosovarët. Në politikën e jashtme të përfaqësohej nga Serbia dhe të mos kishte përfaqësitë e veta diplomatike. Institucionet fetare ortodokse dhe muslimane të viheshin nën vartësi të Serbisë etj.1

Mbase do të dojë ende kohë dhe përpjekje arkivash për të zbuluar të gjithë marrëdhënien ndërmjet këtyre dy liderëve të Shqipërisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama