Zhusti Kinemane e shpeton vertetesia

Zhusti: Kinemane e shpeton vertetesia
Aktori Viktor Zhusti për kohën "Kur xhirohej një film". Një vepër që i ka mbetur kohës sepse qëndron jashtë skemave të realizmit socialist. Muzika e filmit luhet më 13 shtator nga Orkestra e Radio-Televizionit. Në koncertet e orkestrave shqiptare që ekzekutojnë kryesisht klasikët botërorë, rrallë luhen vepra shqiptare. Edhe më rrallë kolona zanore të filmave shqiptarë. Krijime të viteve të fundit nuk ka, ato të së kaluarës "myken" në arkivat e Radio-Televizionit Shqiptar dhe të Teatrit të Operës.

Këtë pasuri muzikore, përpiqet ta shpëtojë Orkestra e Radio-Televizionit, duke i gjetur një hapësirë në programet artistike, veprave, pjesëve muzikore të shkruara për filmave të para '90-ës. Në koncertin e hapjes së sezonit të dytë artistik, më 13 shtator në Akademinë e Arteve, Orkestra e Radio-Televizionit luan muzikën e filmit "Kur xhirohej një film", e krijuar nga Aleksandër Peçi.

Nga fondi muzikor shqiptar për këtë koncert janë marrë edhe krijime të Aleksandër Lalos, Jetmir Barbullushi, ndërsa nga fondi i huaj pjesë nga Strauss, Dvorak dhe Moxart.

"Muzikën e filmit të Xhanfize Kekos e dëgjon me kënaqësi. Ka një lirizëm që të hyn direkt në shpirt dhe të shpie aty ku janë zhvilluar ngjarjet", vlerëson aktori Viktor Zhusti, krijimin e kompozitorit Peçi. Zhusti është i vetmi që mund të tregojë për filmin "Kur xhirohej një film" (1981) me regji të Xhanfize Kekos. Regjisorja ka tri vite që nuk është më, aktorja Violeta Dede, partnerja e Zhustit në film, nuk jeton në Shqipëri, kurse fëmijët janë shkëputur nga bota e kinemasë.

Gentian Basha (Genci, fëmija protagonist në film), bashkë me shokët e tij nuk ishin bijë artistësh, por u gjetën në shkollat tetëvjeçare të Tiranës. Keko i përzgjodhi për lirshmërinë që tregonin në marrëdhënie me të tjerët dhe për çiltërsinë e moshës. "Përveç ateliesë së Kinostudios, xhirimet u bënë në Pogradec dhe në Dardhë të Korçës, një vend i shfrytëzuar nga kinemaja shqiptare. Fëmijët i kishim në kujdes, krijuam afeksion me ta. Ne nuk ishim kujdestarë të tyre.

Ata ishin partnerë të vërtetë në film", vijon më tej aktori.

Filmi nis me aventurën e një grupi fëmijësh që duan të xhirojnë një film. Në fokus është historia vetjake e njërit prej tyre, Gencit 7-vjeçar, i shqetësuar për problemet që po kalon familja e tij. I ati, Kujtimi (Viktor Zhusti), nuk arrin ta mirëkuptojë përkushtimin gruas së tij, Liljanës (Violeta Dede), ndaj punës. Duke iu referuar temave që trajton filmi, Viktor Zhusti shpjegon se filmi është për të rriturit dhe më pak për fëmijët.

"Regjisorja zbulon aty atë që nuk e shikojnë prindërit, atë që nuk e vlerësojnë në raportet që krijojnë me njëri-tjetrin dhe atë që fëmija nuk ka forcë ta shpjegojë". Më me interes për regjisoren është drama e të voglit, sepse të rriturit janë vetë përgjegjës. Në film nuk u bëhet moral prindërve se çfarë po bëjnë me jetën dhe marrëdhënien e tyre, po çfarë po bëjnë me jetën e fëmijës. Kamera e Kekos afrohet në dhomën e Gencit dhe në dialogët me fëmijët e tjerë ai shfaqet i brishtë dhe i lënduar.

"Keko ishte një njeri që e njihte shumë mirë realitetin, dinte cilat ishin plagët, plagë që e lëndonin familjen shqiptare dhe marrëdhëniet shoqërore në atë kohë. Ato plagë që ajo evidentonte nuk shkaktonin bujë", komenton Viktor Zhusti i cili ka punuar me regjisoren Xhanfize Keko edhe për një tjetër film që rrok problemet sociale, te "Taulanti kërkon një motër".

Ai është i mendimit se e vetmja regjisore grua që pati kinematografia shqiptare, së paku dri në këtë moment kur shkruajmë, nuk duhet vlerësuar për temat që zgjidhte, ato ishin prekur edhe nga regjisorë të tjerë, por për trajtimin e thellë që i bënte një realiteti të brendshëm njerëzor, dinamikës psikologjike. Zhusti vlerëson vërtetësinë, si armën më të fortë që përdori Keko. Një sy i mprehtë që zbërthente karakterin e fëmijëve, psikologjinë dhe dramat e tyre. "Kjo lloj kinemaje pëlqehej edhe për faktin se nuk bën moral, por ndërgjegjëson dhe ka arritur të dalë mbi moralin shoqëror të kohës", shpjegon Zhusti.

Një personazh i veçantë në film është Liljana, roli i nënës i interpretuar nga aktorja Violeta Dede. Kolegu i saj në film, Viktor Zhusti, sot nuk di shumë për jetën e saj. Në mendje ka vetëm kujtimin e një "vajze të çiltër, gazmore, që dinte të komunikonte. Një grua e re që kërkonte pavarësinë jo vetëm në film, por edhe në jetën e saj".

Violeta Dede ishte "një figurë e pashfrytëzuar" nga kineastët e tjerë në atë kohë dhe te "Kur xhirohej një film" ajo arriti të japë një figurë të plotë e të veçantë, figurën e gruas së pavarur dhe ambicioze por që i njeh deri ku duhet të shtrihen kufijtë e saj. Zhusti kujton vetëm marrëdhënie të ngrohta mes kolegëve në "kohën kur nuk kishte hyrë akoma kontrata, dhe njerëzit i bashkonte mirëkuptimi dhe mirëbesimi".

Në fund, Zhusti i vlerëson filmat e regjisores Xhanfize Keko për temat social-psikologjike që trajtojnë, zbërthimin që u bëhet personazheve dhe vërtetësinë që i përcjellin shikuesit. Për këtë arsye ata shikohen me dëshirë dhe sot. Nuk janë shumë filmat që i rrëmbejnë vëmendjen artistit 68-vjeçar, i cili e nuhat që në kuadrin e parë një filmi skematik i cili shërben si vatër propagande.
"Ka filma që nuk i sheh dot më.

Kanë mbetur në historinë e kinemasë shqiptare, kanë mbetur në arkivin e saj, por tani njerëzit nuk i shohin dot më. Koha ka bërë përzgjedhje", e përfundon aktori Viktor Zhusti bisedën për filmin "Kur xhirohej një film", që e bën të ndihet mirë kur e sheh në ekran.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama