Zgjohet Agimi

Zgjohet 'Agimi'
Merr fund historia e trishtueshme e njërës prej kinemave me vite histori të kryeqytetit. Projekti i rikonstruksionit në duart e arkitektëve gjermanë, nis zbatimin në shtator. Kinemaja dixhitale në skeletin e vjetër të "Agimit", hap dyert në nëntor. Kinema "Agimi" hapet në nëntor. Objekti me 50 vjet histori është bast i humbur për të gjithë ata që kanë menduar se "Agimi" do të ketë fatin e disa simotrave në kryeqytet, shembje apo ndërrim i destinacionit të shërbimit. Drejtuesi i rrjetit të kinemave "Imperial", Altin Prifti, që ka marrë përsipër t'i kthejë identitetin "Agimit" beson në të ardhmen e saj për dy motive: gjendet në qendër të Tiranës dhe ka krijuar një traditë në kryeqytet.

"Kemi menduar që të mos ia ndryshojmë as emrin kinemasë, për hir të nostalgjisë. Njerëzit e frekuentonin shumë dikur. Dua që të vijnë ta shohin dhe ta njohin", thotë Altini që këto kohë po merret me përfundimin e dokumenteve dhe preventivave për rikonstruksionin e kinemasë. Pas një jave apo dy, firma gjermane "Cineproject" sjell arkitektët dhe inxhinierët, teknologjinë dhe fillon nga puna. Projekti i gjermanëve, ku ka investuar Prifti, u shpall fitues në tenderin e hapur të organizuar para pak kohësh nga Bashkia e Tiranës, duke qenë i vetmi projekt që nuk kërkonte të ndryshonte funksionin e këtij objekti. Kishte edhe nga ato projekte që synonin ta kthenin godinë shtetërore në sallë lojërash fati. Mendësia pak ka ndryshuar. Në këto njëzet vjet kemi parë si bingot kanë marrë deri dje ndonjë brinjë e veshkë të Teatrit Kombëtar apo të Operës dhe Baletit e Bibliotekës Kombëtare sot e kësaj dite.

Priftit iu besua administrimi i kinemasë "Agimi" kundrejt qirasë për pesë vjet. Po në ç'gjendje ndodhet sot "Agimi" e braktisur prej më shumë se një dekade? Kujtojmë që ajo është hapur vetëm për ndonjë shfaqje teatrale si nisma private. Gjurmët e mjerimit duken prej së jashtmi. Vetëm tabela ku shkruhet me bojë blu dhe të kuqe emri i kinemasë duket të mos ketë lëvizur vendit. Xhamat e thyer, muret e plasaritura, dhe boja jeshile e shpëlarë me të cilët janë veshur muret i rrëfen vetë pasojat e braktisjes. Në radhën e dyqaneve me veshje të kushtueshme dhe të stolive që janë ndërtuar në të gjithë katet e para të Pallateve Agimi, kinemaja duket vetëm një muze në shkatërrim. Në krahun e saj të majtë ndodhet një bankë, në krahun tjetër, dyqane pajisjesh kompjuterike, dyqane pijesh të ftohta dhe poshtë një fast-food.

Mureve e brendshme u ka hyrë lagështira, një lagështirë e vjetër që lëshon erë të rëndë, qoshet janë mbuluar nga shtretër madhështorë merimangash. Rikonstruksioni i mureve dhe i dyshemesë është shqetësimi më i madh për inxhinierët gjermanë. Sepse ato një karakteristikë që është tregues i ndërtimit dhe arkitekturës së "Agimit" për atë kohë. "Tavani dhe dyshemeja e kinemasë ka qenë e mbushur me gurë dhe zaje, një gjë që sot është e pakonceptueshme. Në mure kanë kulluar për një kohë të gjatë ujëra të zeza dhe të bardha. Po flasim për një ambient të banueshëm, sipër kinemasë jetojnë njerëz, majtas dhe djathtas, ka biznese, ndërsa poshtë ka bodrume, të cilat janë dhënë me qira.

Do bëjmë një izolim shumë të mirë akustik, i cili nuk do të lejojë që çfarëdolloj zhurme, dridhje, apo mase akustike që çliron procesi i shfaqjes së filmit, të shqetësojë banorët, kalimtarët në rrugë", shpjegon Prifti rreth akustikës, e cila do të stabilizohet bashkë me sistemin hidraulik, elektrik, hidroizolues, termoizolues. Shkatërrimi i skeletit të vjetër të kinemasë ka një kosto të përafërt me ndërtimin e dy sallave të reja kinemaje.

Prifti siguron që ndërhyrjet do të jenë të kujdesshme, të studiuara nga inxhinierët dhe arkitektët, në mënyrë që arkitekturën e vjetër të mos preket as edhe nga një e rënë çekiçi."Njerëzit nuk do të kenë një kinema të ndryshuar, e cila nuk njihet më, por do të ruajë po atë skelet godine që ka pasur". Kur hyn tani në kinema, gjëja e parë që të bien në sy janë karriget prej druri, me rreth 200 vende. Me rikonstruksionin, numri i vendeve do të zvogëlohet. Ndenjëset e reja komode kanë për të zënë hapësirë më të madhe dhe kinemaja e re është menduar me 116 vende. Drejtuesi i "Imperialit" thekson se këtë herë nuk ka menduar me logjikën e ftohtë të biznesit, për ta rritur kapacitetin e kinemasë, por ka "sakrifikuar" në favor të komoditetit të shikuesve. Ata që e mbajnë mend mirë këtë kinemanë, kujtojnë se deri në vitin 1961, kinema "Agimi" ka mbajtur emrin "kinemaja e sovjetikëve", sepse e gjithë lagjja përreth ishte e mbushur me familjet sovjetike që punonin në Shqipëri. Altini thotë se edhe aparati i projeksionit që rri si relikte në kinema duket i modelit rus.

Tanimë ai është komplet i amortizuar dhe vendin e tij do ta zërë një ekran argjendi (Silver Screen), ku mendohet të projektohen filma në formatin dixhital dhe 3D. Prifti tregon se do të ruhet për nostalgjikët tradita e shfaqjes së filmit në formatin e vjetër 35 mm. Në "Agimin" e rikonstruktuar, publiku ka mundësinë të shohë prodhimet më të fundit të huaja dhe shqiptare në formatin vjetër dhe atë të kohës. "Kjo kinema është e dyta, pas Kristalit që mendohet t'i ofrojë publikut formatin 3D. Mendojmë t'i japim frymëmarrje tjetër këtij treg. Po bëjmë diçka që nuk ka ekzistuar më përpara për të rritur cilësisht frekuentimin e kinemasë", pohon Prifti. Shkakton të qeshura sot në erën dixhitale, pëlhura e bardhë e varur në një faqe muri, ku projektoheshin dikur filmat "bardh e zi".

Po aq sa shkaktojnë të qeshura reklamat e fundit të filmave erotikë me foto femrash gjysmë të zhveshura, varur në muret e plasaritura. Edhe në këtë kinema të re që do t'i shtohet rrjetit "Imperial", mendohet të jenë në program festivali i Filmit të Shkurtër (TIFF), apo festivale të reja që synojnë rritjen e numrin e shikuesve në kinema. "Kemi bashkëpunim të mirë me agjenci që kërkojnë të realizojnë festivale filmi. Kemi një kërkesë pa u hapur akoma kinema Agimi. Ndoshta rievokon atë kohë kur festivalet e filmit shumë në mode. Vendi i duhur ku ndodhet kinemaja ia bën më të lehtë rrugën spektatorëve për ta frekuentuar".

Administratori i ri i Agimit duket optimist për këtë iniciativë që ka ndërmarrë. Ndjen inkurajimin e shumë njerëzve që besojnë se kjo hapësirë duhet t'i shtohet Tiranës dhe ata njerëz që dikur kanë zënë radhë për bileta përpara kësaj kinemaje, do të vijnë për të rikthyer kujtimet e fshehura në sallën e vogël.

Po a mjafton kaq për të marrë riskun e një projekti që kushton jo pak, po 300.000 euro? Njihet raporti i zhdrejtë që ekziston mes sallave të reja që hapen dhe numrin të vizitorëve që i frekuentojnë ato. Altini thotë që riskun e ka pëlqyer qysh kur u hapën katër sallat e rrjetit "Imperial" dhe kur tradita e të shkuarit në kinema ishte zhdukur. Ai është i mendimit që kompanitë e biznesit e kanë në gjak riskun, sepse nëse nuk guxon të provosh nuk ke nga ta njohësh rezultatin dhe aq më tepër përparimin.

Me rikonstruksionin e sallës mendohet të fuqizohen edhe strategjitë e marketingut, edhe pse deri më tani është testuar që publiku i afrohet sallës së kinemasë, kur "filmat merren në kohë reale dhe transmetohen në teknologjinë e kohës". Në perspektivën e largët, pasi të testohet ecuria e "Agimit", ambicia e Priftit orientohet drejt kinemave të tjera që varen nga Bashkia e Tiranës, "Dajti", apo "Lapraka". Por është ende herët për të folur për këtë.

Pak histori

Kinematë e para të Tiranës kanë qenë "portative". Publiku i kryeqytetit e ndoqi filmin e parë në "kinemanë fushore" (Feld Kino) të lulishtes "Orient" në lagjen Fortuzi. Kjo kinema u instalua më 1917 nga Ushtria Austriake. Elita e Tiranës e kalonte kohën duke pirë kafe a ndonjë gotë në "Kafe Lirija", pronë e një familje ortodokse, ku shfaqeshin edhe filma pa zë. E para kinema moderne e kryeqytetit u hap më 1926 në rrugën "Mbretërore" (sot Barrikadat) fillimisht me emrin kinema-teatri "Nacional". Gjatë Luftës së Dytë Botërore mbajti emrin kinema "Rex", pas Luftës mori sërish emrin "Nacional" dhe nga 1947 deri më 1991 u quajt kinema "17 Nëntori". Këtu fillon reklama e parë, publikimi i botimeve të veçanta për kinemanë.

Në këtë kohë u dërguan gazetarë në Festivalin e Filmit në Venecia, në rolin e reporterit dhe të agjentit të filmit. Pas kësaj kinemaje, u ndërtua kinema "Gloria" (e njohur si "Republika, "Millenium 1"). Kinematë e para të kryeqytetit kryenin funksionin e teatrove dhe shërbenin si salla ku kryheshin veprimtaritë kulturore dhe politike. Ushtria italiane ndërtoi disa kinema në kryeqytet në shërbim të propagandës fashiste. Përmendim këtu: kinemanë "Tomorri" (që pas shtetëzimit u quajt kinema "Brigada", kinemanë Savoja (e njohur edhe si Kosova), kinemanë e Akademisë së Arteve.

Pas çlirimit, të gjitha këto kinema u shtetëzuan dhe shërbyen si qendra propagandistike për regjimin komunist. Kujtojmë që në kinema "Nacional" ose "17 nëntori" është zhvilluar Gjyqi i Deputetëve, te "Gloria" gjyqi kundër armiqve të popullit etj. Kinemaja e fundit e ndërtuar në Tiranë është "Partizani" më 1957, e cila u dogj më 1988. Ka mbi gjysmë shekulli që në Tiranë nuk ndërtohet më kinema. Por, ka filluar puna për rifunksionimin e disa prej tyre. Krahas "Agimit", një tjetër kinema në varësi të Bashkisë së Tiranës, kinemaja "Lapraka" është në duart e një projekti të fuqishëm italian.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama