“Dëshmitari i vrasjes së Hekuran Dedës, shtetasi Hysni Peposhi gjatë marrjes në pyetje përveç se dëshmoi për vrasjen e shokut të tij Deda dhe plagosjen e reporterit Fatos Mahmutaj, dorëzoi në prokurori edhe dy video të regjistruara nga celulari i tij personal. Këto video, janë regjistruar para, gjatë dhe pas vrasjes së mikut të tij Deda. Objektivi i regjistrimit ka qenë drejtuar nga oborri dhe ndërtesa e Këshillit të Ministrave, nga ku efektivët e Gardës së Republikës qëllonin me armë në drejtim të turmës.
Nga këto pamje, regjistrimi nuk është tërësisht i pastër për shkak të cilësisë së dobët të kamerës së celularit. Por, ajo që vihet re është fakti se i akuzuari për vrasjen e Ziver Veizit, gardisti Agim Llupo duket duke qëlluar në drejtim të turmës”- thuhet nga prokuroria.
Këto pamje, pritet të pastrohen nga ekspertët e FBI-së dhe të qartësohet figura e efektivëve të Gardës, mes tyre edhe ajo e gardistit Llupo, ku nga tyta e armës së tij dallohet zjarri që del. “Drejtimi i qitjes nga efektivi i Gardës duket qartë se është në nivelin e njeriut në këmbë (drejt turmës) çka do të thotë se ai ka qëlluar drejt dhe jo në ajër siç pretendon gjatë deklarimeve të tija”-thuhet nga prokuroria.
Njëra nga këto video është filmuar para se miku i tij Hekuran Deda të qëllohet me armë zjarri, nga e cila gjeti vdekjen dhe plagosjes së reporterit Mahmutaj.
“Dëshmitari Peposhi së bashku me viktimën Deda dhe reporterin Mahmutaj kishte hipur në podiumin e vendosur nga një televizion kombëtar dhe po shikonin drejt ndërtesës së kryeministrisë. Videoja e parë e dëshmitarit Peposhi është regjistruar nga podiumi të cilin e kishte vendosur një televizion kombëtar. Pas një ndërprerje disa sekondash, ka filluar regjistrimin e videos së dytë po me celularin e tij në momentin që viktima Deda ishte kthyer për të zbritur nga podiumi dhe reporteri Mahmutaj që po raportonte për median ku punonte.
Në momentin që e ka konstatuar se i është qëlluar shoku, dëshmitari Peposhi e ka futur në xhep celularin pa e mbyllur nga regjistrimi, ku dëgjohen të bërtiturat e tij në emër të viktimës që kishte ndërruar jetë si pasoj e goditjes së plumbit në kokë”-thuhet nga prokuroria. Këto dy video, pritet që të pastrohen dhe t’i bashkëngjiten dosjes hetimore ndaj të dyshuarve të vrasjeve të 21 Janarit 2011 në protestën e opozitës së bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.











