Xhaka Gati per Zvicren edhe Graniti do kendoje himnin

Xhaka: Gati për Zvicrën, edhe Graniti do këndojë himnin

Granit Xhaka do të këndojë Himnin e Flamurit para ndeshjes Shqipëri-Zvicër. Për këtë është i sigurt Taulant Xhaka, i cili në konferencë për shtyp ka treguar se vëllai i cili përfaqëson Zvicrën, nuk mund t'i fshihet origjinës së tij.

taulant_Granit

"Babai ma ka mësuar himnin që fëmijë. Pastaj unë kam shkuar katër vite në shkollë shqiptare dhe e kam mësuar edhe atje. Himnin e Flamurit e dimë të gjithë në familje, edhe Graniti. A do ta këndojë ai para ndeshjes brenda vetes? Besoj se po. Është normale, pasi edhe Graniti e ka gjakun shqiptar, nuk mund ta mohojë. Normalisht që brenda vetes, edhe Graniti, por edhe të gjithë shqiptarët do ta këndojnë", theksoi mesfushori i përfaqësueses, i cili është gati për duelin mes vëllezërve.

Taulant Xhaka

"Gjendja ime fizike është e mirë. Nuk jam ende në 100%, ndoshta jam në 70%. Po jam gati për të luajtur ndeshjen e parë kundër Zvicrës. Për familjen tonë është kënaqësi që janë dy vëllezër në Francë, ai për Zvicrën, unë për Shqipërinë. Unë duhet të jap maksimumin për Shqipërinë, Graniti duhet të japë maksimumin për Zvicrën. Por shpresoj që fati të jetë në anën tonë. Normalisht që kam emocione se luaj kundër vëllait, por kështu e deshi Zoti. Unë do të jap maksimumin për Shqipërinë, nuk ka rëndësi a është Graniti apo dikush tjetër përballë. Unë bëj atë që më kërkon trajneri. Unë një ndërhyrje për të vrarë vëllain tim, apo këdo tjetër, nuk do ta bëj. Por një të ndershme po", ishin fjalët e futbollistit për përplasjen me vëllain e tij.

Ndryshe nga disa lojtarë kosovarë që kanë hedhur dyshime mbi të ardhmen e tyre me Shqipërinë, Xhaka duket se do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën kuqezi. "E gjithë familja është nga Kosova, ndjehemi shqiptarë. Është kënaqësi dhe krenari që luaj për Shqipërinë. Ishte një ëndërr të luaja për Shqipërinë. E kam ndjekur çdo ndeshje të saj që i vogël, si tifoz", deklaroi Taulant Xhaka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama