Vlore-Tirane nje apo dy Pavaresi?

Vlore-Tirane, nje apo dy Pavaresi?
Nuk ka moment që media e shkruar dhe vizive të mos tregojë për aktivitete në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, promovime dhe plane. Megjithatë, shumica e aktiviteteve të rëndësishme duken se kanë rezultuar një fiasko dhe të emetuara nga goja e kryeministrit Berisha në mbledhjet e qeverisë ato më shumë kanë përbërë thjesht lajmin e ditës... i cili është harruar në më pak se tre ditët e ardhshme...

Ngazëllimi i kryeministrit Berisha, pas ceremonisë mbresëlënëse të hapjes së Olimpiadës në Londër, mund t’i shkonte vetëm një fëmije. Dhe, e artikuluar nga goja e kreut të ekzekutivit shqiptar, ajo ishte një vlerë për impaktin e drejtpërdrejtë emocional. Por në aspektin moral, ngazëllimi tregonte meskinitetin e një njeriu, i cili po e bën krejt të pavlerë kremtimin e pavarësisë së vendit të tij, bashkë me shpurën e stërmadhe të servilëve, që e ndjekin dhe i miratojnë të gjithë halucinacionet.

Kjo e fundit është edhe fjala më e përshtatshme për të përcaktuar papërgatitjen totale të kremtimeve solemne për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Duket sikur dy qytete, Vlora dhe Tirana; dhe dy pushtete, ai ekzekutiv dhe ai vendor, punojnë kundra njëri-tjetrit për të ...kremtuar pavarësinë. Kështu, ndërsa Vlora bën monument vetë kushtuar babait të pavarësisë Ismail Qemali, në Tiranë dështon plotësisht statueta e tij...Puna e Paskalit, nxirret nga muzeu, për të korrigjuar gabimin. Nga ana tjetër, Z. Berisha po fryn Tiranën për festimet, kurse kryetari i bashkisë së Vlorës, Gjika po e ‘izolon’ krejt vendin e tij...

Por, kjo s’mbaron me kaq. Pas një udhëtimi tjetër jashtë vendit, Sali Berisha do të vinte sërish i ngazëllyer dhe, sërish, që në mbledhjen e parë me qeverinë e tij dhe Komitetin shtetëror të festimeve, do të propozonte një kremtim të ri. “Duhet të nderojmë dhe Konstandinin, - ka thënë. Pas Krishtit, Muhametit dhe Budës, Perandori Konstandin është burri më i rëndësishëm në historinë e njerëzimit!

Është ky Perandor, me origjinë universalisht të pranuar ilire, i cili, me votën dhe forcën e pushtetit të tij, i hapi rrugën Krishtërimit dhe ndaloi gjahun e pamerituar që po bëhej ndaj besimit të krishterë. Është ky, së bashku me bashkëperandorin Licinius, autor i dekretit të Milanos, që themeloi Kostandinopulin, një nga epiqendrat më të rëndësishme të qytetërimit botëror!!!” Në të njëjtën mbledhje, ku Komiteti Ndërshtetëror foli vetëm për rikonceptimin e Sheshit të Flamurit, statuetën e Ahmet Zogut, mauzoleun e familjes mbretërore, Berisha kaloi gati në ekstazë, duke shpallur meritat e Konstandinit... Ministrat, si gjithmonë, e ndiqnin pa fjalë...
 
Dhe Vlora

Vlora e sodit të gjithë atë që po bën qeveria, dhe mbetet krejt indiferente.  Shemria e saj duket në deklarata dhe në përgatitjet shumë lokaliste. Edhe pse janë vetëm tre muaj, duket qartë se Shqipëria e 28 nëntorit, do të organizohet në dy festime. Njëra do të bëhet në Tiranë dhe tjetra mbetet në Vlorë. Në qytetin e flamurit ka filluar të mendohet për rikonceptimin e Sheshit të Flamurit (e vetmja gjë ku duket se dy pushtetet takohen) dhe një monument gjigand i I. Qemalit (i vetmi aktivitet i Vlorës vlerësuar nga Berisha), që do vendoset atje ku ka qenë dikur Hysni Kapo.

Për fat, në fundin e mandatit të tij, ish-Presidenti Topi ka dekoruar të gjithë firmëtarët e Pavarësisë në një ceremoni të organizuar nga Presidenca dhe Bashkia e Vlorës. Ky mbetet, deri më tani, i vetmi aktivitet me përmasa, që edhe pse u bojkotua nga qeveria, tregoi një lloj serioziteti të protokollit shtetëror. Ngaqë, ndërkohë puna për pavarësinë më shumë ka fjalë sesa gjëra realisht në terren. Një e tillë është puna për shtëpinë ku është ngritur flamuri. Ndërhyrja e restaurimit të saj duket se është penguar për shumë kohë nga burokracitë e Bashkisë së Vlorës, sepse zbatimi i projektit duhej të bëhej nga specialistët vendas.

Godina, e cila s’ka, le të themi, ndonjë vlerë të madhe arkitektonike, mbart vlerën e ngjarjes së madhe. E realizuar si një karantinë ushtarake, pjesë e doganës së Portit të Vlorës, ajo thjesht ka vlerën se në kohën e duhur shërbeu për eventin e madh...Por, të mendojmë kanë mbetur dhe vetëm tre muaj. Ndërkohë, me paratë që mund të zgjidhnin kushedi sesa probleme, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Vlorës kanë mundësuar (me shpresë) dy ndeshje ndërkombëtare kundër dy ekipeve të mëdha spanjolle Seviljes dhe Barcelonës.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se deri më sot, nga ajo që vërehet, strukturat e protokolleve janë të ngrira dhe do jetë një gjë e madhe nëse në një tribunë do të jetë Berisha me Ramën, dy krerët kryesorë politikë të vendit, ashtu si nuk dihet deri më tani trendi i zhvillimit të eventit. Nga ajo që shihet kuptohet se Vlora dhe Tirana kanë filluar një shemri, e cila po ravijëzohet gjithnjë e më qartë. Vlora përgatiti vetë monumentin e Ismail Qemalit, paçka se Komiteti Ndërshtetëror kishte shpallur konkursin për të. Ky i fundit shpalli dhe konkursin e monumentit të ri të Pavarësisë, i cili do të vendoset në Tiranë dhe zgjidhja e të cilit mbetet për t’u parë në ditët, që do të vijojnë...

Deri më tani, është një jerm i madh bashkë me premtimet e Berishës për një parlament të ri, një stadium të ri, për prishje objektesh dhe ndërtimin e shumë syresh të tjerëve...Një jerm, që tregon se sa punë kanë ende shqiptarët për të formuar shtetin tyre...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama