Vlore- Konference Nderkombetare Albanologjike Urat Kulturore mes Himares dhe Diaspores Arberore ne shek XVI-XVIII

vloraVLORE, 11 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.- Në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike'Urat kulturore mes Himarës dhe Diasporës arbërore në shek. XVI-XVIII (Kronikë idenditare dhe eurocentriste), që u organizua nga Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në këtë universitet, në bashkëpunim me Universitetin e Kalabrisë, Universitetin e Palermos dhe Institutin Italian të Kulturës, nën kujdesin personal të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Mbi këtë themel, sipas shefit të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, dr. Ermir Xhindi, synohet të shqiptohet një kuptim i ri i njësisë sonë historike, kulturore e identitare, edhe pse është e vështirë, po aq sa ç'është e çuditshme që mbi këtë kënd të vogël ballkanik, të bëhen bashkë kaq pasuri e larmi idenditare, pasojë e forcave të stërmëdha të historisë, që u përplasën mbi këtë rrip toke, duke krijuar, gjithsesi, një lloj barazpeshimi të jashtëzakonshëm, çka, ndoshta, përbën edhe thelbin e ekzistencës sonë.

vlore1Në këtë konferencë, ishin të pranishëm studiues e profesorë nga universitete të njohura të Greqisë, Italisë, Maqedonisë, albanologë e studiues të njohur nga vendi, pedagogë e studiues nga Universitete të ndryshme të vendit, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.

Në çelje të kësaj konference, rektori i Universitetit "Ismail Qemali", prof.dr. Albert Qarri, theksoi se, zhvillimi i saj dëshmon proceset zhvillimore të këtij institucioni të arsimit të lartë. Universiteti i Vlorës, sipas tij, është një qendër e komunikimit, bashkëpunimit mes shkencëtarëve dhe profesorëve të njohur dhe me reputacion ndërkombëtar. Ai falenderoi për praninë e tyre, profesorët e njohur të pranishëm në këtë konferencë, të cilët siç tha ai, shpreson që në vëzhdimësi të jenë partnerë të punës së Universitetit të Vlorës, për vlerat që japin me veprën e tyre.

Prof.dr. Roland Zisi, në kumtesën e vet, u ndal tek gjendja kulturore e arsimore e Himarës në shekujt XVI-XVIII, sipas relacioneve të murgjve bazilianë.

"Himariotët nuk vuajnë nga komplekset e ksenofobisë, mureve dhe pengesave, të panjohurve, apo kompleksit të përuljes. Përkundër, në historinë e tyre, himariotët kanë treguar se dinë të ndërtojnë ura komunikimi jo vetëm me pjesën më të afërt evropiane, por edhe me skajet më të largëta të saj. Letrat që himariotët u kanë shkruar mbretërve, perandorëve, gjeneralëve, qeverive dhe kryesisht papëve të Vatikanit, informojnë për shumë fakte historike interesante disa prej tyre jo fort të njohura deri sot. Përmes këtyre letrave ne informohemi se Himara, në ndryshim me periudha të tjera arbërore, qysh në shekullin XVI, kishin aftësinë që të bënte negociata, të ngrinte dhe të miratonte delegacione për bisedime politike, të priste të dërguar nga Vatikani", u shpreh Zisi.

Prof. Françesko Altimari, nga Universiteti i Kalabrisë, u ndal tek marrëdhëniet arbëresho-himariote dhe roli I familjeve me origjinë nga Dhërmiu Gjika dhe Leka në shekujt XVIII-XIX. "Urat arbëresho- himariote u ndërtuan në dy faza kryesore, në periudhën e parë, shekujt XVII, XVIII, në Shqipëri përmes misioneve të murgjve dhe intelektualëve bazilianë të Kishës Arbëreshe dhe në periudhën e dytë, shekujt XVIII-XIX, në Itali, përmes pranisë së himariotëve në qendrat kryesore të diasporës greko shqiptare të jugut të Italisë, ku ata ishin të angazhuar sidomos pas rekrutimit të tyre në të ashtuquajturin Regjiment Mbretëror Maqedonas, që ishte një ndër shtyllat e ushtrisë së Mbretërisë së Napolit",

Akademik, Floresha Dado, mbajti kumtesën "Murgj misionarë dhe poetë arbëreshë në lëvizjen kulturore fetare të shekullit XVIII". Nga ana e tij, prof.dr. Bardhosh Gaçe, pedagog në Universitetin "Ismail Qemali", mbajti kumtesën "Marrëdhëniet e Bregut të detit me Mesdheun", duke theksuar se, shtegtimi i himariotëve në brigjet italike, ashtu si edhe në Greqi dhe vende të Mesdheut, është i hershëm.

Ndërkohë, prof.Matteo Mandala, nga Universiteti i Palermos, në kumtesën e vet "Mbi poezitë e Nilo Catalano, në raport me lëvrimin e gjuhës së shkruar shqipe në mjediset arbëreshe të Siçilisë, nënvizoi mes të tjerash se, në periudhën mes Shekujve XVI-XVIII, spikasin tre momente të veçanta të karakterizuara nga zhvillimet që kushtëzuan jetën kulturore e fetare të bashkësive arbëreshe.

Deputeti i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, i pranishëm në këtë aktivitet, në një prononcim për median tha se, "Konferenca që zhvillohet këtu nën kujdestarinë intelektuale të kryeministrit Edi Rama, është një eveniment me shumë rëndësi, jo vetëm për Himarën por për gjithë kulturën shqiptare. "Himara është një trevë shumë interesante e historisë dhe kulturës së Shqipërisë dhe akademikët që marrin pjesë sot, në këtë konferencë, do të ndriçojnë shumë elementë të kësaj kulture të shquar, që i parapriu Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë", theksoi ai. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama