Vlora parajsa e kenaqesise dhe vendi per biznes

Vlora, parajsa e kënaqësisë dhe vendi për biznes
Në fakt, ne, qeniet njerëzore operojmë në bazë steriotipesh të krijuara pikërisht nga përgjigjet e pyetjeve të mësipërme. Për këtë arsye mund të ndodhë që largimi nga habitati i zakonshëm të mos jetë eksitues. Ka vende ku të gjithë mezi presin të shkojnë. Janë ato që ne i quajmë ekzotike, dhe kryesisht vende që të ofrojnë det të pastër e të thellë, palma, diell të fortë, njerëz miqësorë, restorante, kafene, qytetari, spontanitet, qetësi dhe intimitet. Ndoshta habitati i zakonshëm nuk ia ofron dhe ia ndrydh secilit prej nesh të gjitha këto ndjenja, prandaj kërkojmë të arratisemi. Për të gjitha këto vende guidat turistike nuk hezitojnë aspak që të përdorim frazën “perlë e turizmit dhe e kënaqësisë”, pavarësisht se për profesionistët e të shkruarit përdorimi i mbiemrave dhe superlativave të tilla nuk këshillohet. Zoti na ka dashur shumë, besoj, sepse ne shqiptarëve na ka falur një pasuri të këtij lloji. Dhe nuk ndodhet larg. Perla e kënaqësisë dhe e turizmit nis nga më pak se 200 kilometra larg nga Tirana, në qytetin e Vlorës.

Udhëtimi

Parimisht për të përshkruar një distancë prej 200 km nuk duhet ndonjë mjet i veçantë transporti. Dua të them se parimisht, për një distancë të tillë, nuk duhet ndonjë mjet me volum dhe fuqi të madhe motorike që të ofrojë komoditet për distanca të mëdha, sepse kjo nuk është një distancë e madhe. Do të thotë se nuk është i domosdoshëm Benz-i apo BMW-ja. Mjafton një skuter 150cc-400cc. Megjithatë, ne ende nuk e kemi luksin për të paguar pak për transportin. Këtë luks nuk e ka pasur as Sulltan Mehmeti.

Sipas historianit austriak Franc Barbinger, ai u nis të nënshtronte kryetarin e shqiptarëve, Skënderbeun. Mori me vete shumë taborë. Ushtri e madhe me njerëz, kuaj, topa, gjeneralë e komando. Me pak fjalë, NATO-ja e vitit 1400 pas Krishtit, u nis të nënshtronte aleatin e kaurëve, Gjergj Kastriotin. U nis nga Stambolli, kaloi nëpër Bullgarinë e sotme, shkoi në Shkup dhe u ndal diku nga Dibra. Nuk u ndal se u lodh, por sepse vendi në të cilin do të hynte nuk kishte rrugë dhe logjistika e NATO-s së atyre viteve nuk mbërrinte dot deri ne fushën e Albanopolisit. Sulltani mori vendim: “Të rehabilitohet politikisht gjenerali shqiptar i dënuar pak kohë më parë. Të dërgohet një skuadër jeniçere për të ekzekutuar vendimin”. Ata nxorën patriotin tonë nga burgu dhe ky i fundit e ndihmoi sulltanin të mbërrinte në Fushë-Krujë.

Mehmeti u mërzit shumë. Braktisi ushtrinë dhe mori me vete për në Stamboll vetëm haremin dhe SealTeam-in. U mërzit jo vetëm ngaqë nuk mundi Gjergjin, por për më tepër sepse besonte se këtë të fundit nuk e mundi dot, ngaqë nuk kishte rrugë dhe ai ishte lodhur tej mase nga udhëtimi, saqë kjo lodhje kishte ndikuar në përpilimin e strategjisë që do t’i garantonte nënshtrimin e çetës së “diversantëve të Gjergjit”, - siç thoshte vetë sulltani. Marin Selimollari u mërzit më shumë se Sulltan Mehmeti. Natyrisht kushdo tjetër do të ishte në një mendje me pronarin e karrotrecit dhe nuk do ta justifikonte mërzinë e Marinit, sepse tek e fundit, ai prishi vetëm një amortizator, dy goma, dy koka zbarash dhe një kokë paraleli, ndërsa sulltani humbi ushtrinë. Por Marini ka versionin e vet: “Nuk kam as lekët dhe as haremet e sulltanit”.

Vlora

Stresi është armiku kryesor i njeriut. Bota e mjekësisë harxhon për të gjetur pilulën antistres. Unë besoj se mjekët përpiqen më kot, sepse pilula antistres është prodhuar nga dora e Zotit. Ajo nis që nga Narta për të vazhduar, besoj, deri në jug, në Butrint.

Rruga gjarpëron nëpër fushë dhe kodra dhe rrezet e diellit të përplasen në fytyrë me faza një herë po, një herë jo, për shkak të hijes që bëjnë pemët. Në një krah blertësi e pafund. Vreshta rrushi, portokalle, limona, mandarina, ullinj të mëdhenj dhe të vegjël, të rinj dhe të lashtë, shumë të lashtë. Njerëzit punojnë, madje punojnë shumë. Ata janë edhe të urtë. Doktori qëndroi këtu në verën e 2005-ës dhe u foli për përfitimet e tyre nga zbatimi i programit të tij. Ata nuk ia varën, thua se nuk po fliste për lekët e tyre, por shpërthyen gati me ekstazë në britmat “Sali Berisha! Sali Berisha!”, sapo ky u tha: “Unë do të vij prapë t’ju vizitoj ju këtu”. Duket qartë se ndihen më mirë kur presin e përcjellin miq. Në krahun tjetër ka prapë vreshta, ullinj, agrume dhe për më tepër det. Është një det shumë i pastër, i kaltër, si sytë e asaj bjondes. Ullinjtë vazhdojnë përgjatë kodrave, tek të cilat, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhesh, të ofrojnë gjithmonë një pamje të detit.

Kulmi i kodrave është krejt tjetër gjë. Marini shprehu dëshirën për të ndërtuar një shtëpi aty. Normale! Gjithkush do të dëshironte. Në majë, syri skanon vreshtat e rrushit dhe të ullinjve, qytetin me ndërtesat e larta, detin që duket sikur fillon tek parmakët e oborrit, Sazanin dhe vështrimin e ndal vetëm pakëz mjegull, pasi përndryshe do të përshëndesje me sy Papën në Vatikan. Është një pozicion që të bën të ndihesh i pushtetshëm dhe realisht mund të gabosh dhe të thuash: “E ku ka pushtet Xhorxh Bushi para meje!”. Vërtet, besoj se këtu mund të gjejmë edhe shpjegimin pse vlonjatët shquhen për respekt të vetvetes. Dhe të mendosh se këto kodra janë të paprekura, pra, nuk ka bërë ende askush shtëpi në to. Po sikur të bëjnë?! Do të jenë të shumtë ata që do të mendojnë se janë presidentë të planetit. Sidoqoftë, në minimum shtëpia në këtë ambient të garanton qetësinë, intimitetin, pavarësinë, shijimin e natyrës ashtu siç e ka krijuar Zoti pa ndërhyrjen e dorës së njeriut.

Bulevardi nga Sheshi i Flamurit në skelë nuk ka semafor. Është i gjerë dhe përballon trafikun e fundprillit, ndërkohë që në të dy krahët e tij që prej fillimit të prillit qarkullojnë plazhistët. Pallate të reja, qendra biznesi, kafe ku ndalohet dhe ku nuk ndalohet duhani, restorante, disko,pub-e, dyqane të të gjitha llojeve, gjithçka që mund të ofrojë një metropol. Hotelet janë të panumërta, kanë funksionuar përgjatë të gjithë dimrit me turistë shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që janë të pritje të fillimit të sezonit të plotë. Vendi është qartësisht i pastër. Duket se komuniteti dhe autoritetet kanë investuar në mbajtjen pastër të vendit. Ka pak zhurmë, kryesisht makinash dhe pothuajse askush me përjashtim të turistëve që dallohen që larg, nuk shëtit i paqëllimtë. Kamarierët janë të veshur mirë, komunikojnë qetë dhe duket se kanë përvojë në punën e tyre. Ushqimi ka për bazë peshkun e egër të detit, që është traditë për këtë qytet. Ndërsa restorantet të cilët janë rritur në numër, janë duke investuar fuqishëm si në punësimin e kuzhinierëve profesionistë dhe fantazistë, ashtu edhe në investimin për krijimin e një imazhi sa më të mirë publik. Konkurrenca ka bërë të vetën.

Shoqëria dhe modelet

Qytetaria e Vlorës ka vuajtur në momente të vona të historisë së vendit tonë nga ngjarje të pakëndshme për çdo qytetari. Megjithatë koha ka bërë të vetën duke e sjellë shoqërinë në normalitet. Sot mund të thuhet me bindje dhe pa frikë se në këtë qytet ka perënduar koha e bandave dhe e tregtarëve të mallrave të ndaluar. Vendimi për të ndaluar qarkullimin e skafeve i ka dhënë efektet e tij, ndërkohë që si një kamarier i thjeshtë, ashtu edhe një biznesmen, këmbëngulin në akuzën e tyre se kundërshtimi i ligjit nuk ka ardhur aspak nga qytetarët e Vlorës, por më shumë nga mediat. Personazhet e botës së paligjshme kanë humbur dhe nuk ndihen aspak. Në sytë e opinionit publik vendin e tyre e kanë zënë modele të reja, modelet që ekzistojnë në të gjithë botën. Njerëzit e punës, profesionistë dhe specialistë në punën që kanë marrë përsipër. “Ata që bëjnë atë punë që kanë marrë përsipër janë njerëz të moralit”, - thotë Ferdinand Çobo, tregtar në Vlorë. Historia e Nandit, siç e thërrasin të njohurit e tij, përbën historinë e të gjithë atyre që sot përfaqësojnë modelin e një qytetari të Vlorës dhe vetë këtë qytet. Ferdinandi, 45 vjeç, është një njeri që në fëmijërinë e tij ëndërronte të merrej me hipizëm. Në kushtet e atëhershme këtë dëshirë që e lidhte me sportin, e kanalizoi duke u aktivizuar me skuadrën e basketbollit të qytetit. Ka punuar që në fëmijëri duke ndihmuar në riparimin e biçikletave në dyqanin e babait të tij. Në 1990-ën fillon të merret me tregti. “Jo vetëm lekët që fitoja më jepnin kënaqësi, por edhe fakti që punësoja njerëz dhe isha i dobishëm për të tjerët më jepte kënaqësi”, - thotë ai. Çdo vit e nga pak ai fuqizohet gjithmonë duke mos iu frikur sfidave të biznesit, duke shtuar listën e aktiviteteve që kryen kompania e tij e themeluar në vitin 1990. Në një kohë kur vendi ynë ka notuar në informalitet, Nandi të vë ballë filozofinë e tij: “Nuk mund të jesh biznesmen, nëse nuk paguan taksat. Më mirë të heqësh dorë dhe të punësohesh diku. Pa taksa nuk ka shtet, pa shtet nuk punon dot asnjë biznesmen. Jam biznesmen i vogël dhe nuk trembem nga fuqia e biznesit të huaj. Ata po erdhën, do të punojnë me ne vendasit, do të kërkojnë njerëzit më punëtorë në vend”. Nëse dikur dukej se filozofia e qytetit ishte shpenzimet e paqëllimta me të ardhurat nga tregtitë e paligjshme, sot është filozofia e Nandit motori që prodhon aksionin e qytetarëve të Vlorës. Është filozofia e punës, e tregtisë dhe marrëveshjeve. Të gjithë të mirëpritur, të gjithë të hapur.

Biznesi

Përveç natyrës së bukur, qyteti i Vlorës ka një pozicion të favorshëm gjeografik, në funksion të zhvillimit ekonomik jo vetëm të vetvetes, por edhe të vendit, madje edhe të rajonit. Vlora është projektuar si porta hyrëse dhe dalëse e korridorit të 8-të paneuropian. Ajo është vetëm 70 kilometra lart jugut të Italisë. Deti është i thellë. Ky fakt i jep asaj mundësinë e krijimit të një porti të aftë të përpunojë anije të tonazhit të madh. Në këtë sens, duket se Vlora për nga rëndësia portale, do t’i marrë një pjesë të tortës së tregtisë portit më të madh në vend, atij të Durrësit. Paralelisht në këtë vend është vendosur dhe po vazhdojnë punimet për ngritjen e Petroliferës. E testuar brenda në qytet, rezistenca ndaj këtij investimi është pothuajse zero. Paralelisht opinioni publik qytetar është në përkrahje të çdo investimi në qytetin e tyre, duke përkrahur idenë e një qyteti me profil industrial. Ndërkohë, parku energjetik i Shqipërisë që pritet të realizohet shpejt, ndodhet shumë pranë Vlorës.

Mungesa e rezistencës dhe mbështetja që opinioni publik u bën investimeve, janë testuar nga institucionet financiare, të cilat këtyre dy elementëve u kanë shtuar dhe mundësitë gjeografike që ofron ky qytet për biznes. Kjo është arsyeja që në këtë vend janë të pranishme të gjitha bankat ndërkombëtare që operojnë në tregun shqiptar. Ky është një element të cilin e gëzojnë pak qytete në Shqipëri dhe përveç Vlorës, të gjitha bankat bashkë gjenden në Tiranë dhe në Durrës. Tregues tjetër i potencialeve ekonomike që paraqet Vlora është tregu i pasurive të paluajtshme. Në Vlorë çmimi i një metri katror tokë varion nga 50 deri në 150 euro. Kjo është një vlerë që gjendet vetëm në Tiranë dhe në Durrës. Po ashtu, kompanitë që marrin përsipër realizimin e ndërtimeve në marrëveshjet me pronarët e trojeve ofrojnë midis 28-40%. Edhe kjo është një vlerë që gjendet vetëm në kryeqytet, në Tiranë. Ndërsa çmimi i blerjes së apartamenteve është i njëjtë me vlerën e shitjes së tyre që gjendet vetëm në kryeqytet apo në Durrës.

Në ndryshim nga qytetet e mësipërme, hapësirat për shfrytëzim në fushën e pasurive të patundshme janë akoma më të mëdha pasi ka hapësira të bollshme si për apartamente, vila dhe hotele, rezidenca, të cilat për shkak të detit ka shumë shanse të shiten me çmime të kripura, krahasimisht me pjesët e tjera të vendit. Besoj se këta janë faktorët me anë të të cilëve mund të shpjegosh praninë e shtuar të individëve dhe agjencive imobiliare nga shtetet e veriut të Evropës. Dy vjet më parë, ndërkohë që po udhëtoja me një francez përgjatë segmentit Durrës-Berat, ai vazhdimisht pyeste se sa kushtonte toka në pjesë të ndryshme të rrugës. Përveç çmimit, ai gjithmonë pyeste se sa larg në vijë ajrore ndodhej toka nga bregu i detit. Pas çdo përgjigjeje, madje edhe në Berat tha: “Shumë afër me detin”. Kur mbërritëm në Berat, e pyeta mbi shkaqet e interesit të tij. Ai tha: “Spanja u shit. Iku koha kur në Spanjë mund të ndërtoje. Tani aty mund të blesh vetëm vilën e ndonjë gjermani apo francezi. Është koha për të blerë tokë dhe për të ndërtuar vila në Shqipëri. Deti është pranë

ERMAL NGJELINA
Nga Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama