Vllaznia ne ajer lojtaret dhe trajneri ne dileme per te ardhmen

Vllaznia në ajër, lojtarët dhe trajneri në dilemë për të ardhmen

Lojtarëve që u ka përfunduar kontrata dhe tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu, janë ende në ajër për sa i përket vazhdimë- sisë së tyre me këtë ekip. cunguNdryshe nga herët e tjera, që kur ka përfunduar sezoni shumica e lojtarëve jabanxhinj kanë mbyllur që në atë moment bashkëpunimin me ekipin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur këtë herë. I gjithë ekipi pa asnjë përjashtim ka qenë në seancën e parë post-sezoni.

Në këtë seancë nuk ka munguar as portieri malazez Dragojeviç e po ashtu edhe lojtarët e tjerë si Cicmil, Vrapi, Sefa e po ashtu edhe shqiptaro-malazezi Rudoviç. Ndërsa pa asnjë dyshim kanë qenë të pranishëm edhe shkodranët që janë pjesë e kësaj skuadre.

Nga sa mësohet, një pjese të lojtarëve, sidomos atyre jabanxhinj, u ka përfunduar kontrata dhe kjo ka bërë që interesimi i tyre për të qenë apo jo pjesë e ekipit ka nisur që tani. Natyrshëm, ata kanë dashur që të dinë nëse do të jenë pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri. Shumica prej tyre e ka justifikuar plotësisht fanellën, ndërsa ka pasur edhe prej atyre që nuk kanë lënë shumë shije të mirë. Megjithatë, të gjithë këta lojtarë janë tani në pritje të drejtuesve të klubit, pasi do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre. Drejtuesit nuk kanë në dorë vetëm qëndrimin e tyre, por edhe të ardhmen e Vllaznisë.

Cungu

Po ashtu, i dyzuar për të qëndruar pranë ekipit kuqeblu është edhe tekniku Armando Cungu. Ai, pavarësisht se ka një kontratë afatgjatë me të drejtë rishikimi nga ana e tij, pas kësaj pjese të dytë të sezonit ende nuk ka thënë plotësisht nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë. Ai në kontratën e tij e ka të cilësuar e zeza mbi të bardhë që nëse nuk do t'i pëlqejë formatimi që drejtuesit e klubit do t'i bëjnë ekipit, atëherë do të jetë ai që do të vendosë për të ardhmen.

Nga ana tjetër, tre-katër klube të Superiores kanë shprehur interesimin e tyre për teknikun shkodran. Rezultatet e teknikut me ekipet që ka drejtuar kanë bërë që momentalisht Cungu të jetë një nga më të kërkuarit. Mirëpo tani gjithçka është në duart e drejtuesve të klubit.

Përgatiti: Admir Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama