Vleresimi i Jurise numri me i dobet i Festivalit 53

Vleresimi i Jurise, numri me i dobet i Festivalit 53

Festivali i 53 i Këngës së Radio Televizionit Publik Shqiptar është komentuar gjatë ditës së djeshme nga kompozitorë, këngëtarë, por edhe njerëz të thjeshtë. Shumë prej tyre shprehen se ky çmimin nuk është dhënë sipas meritës, por sepse këngëtarja fituese Elhida Dani, me këngën “Diell”, është shpallur edhe fituese e “The voice of Italy”. Muzikologu Vaso Tole, i cili u prezantua si kompozitor në këtë  Festival me këngën “Himn Jetës”, tekst i Fatos Arapit, edhe nën interpretimin e Julian Gjojdeshit, shpreh opinion e tij, që mbështetet edhe nga shumë të tjerë.

Vaso Tole: Të gjitha këto nën vorbullën thithëse të një globalizimi dhe mishmashi muzikor "stilesh" që s'të çon askund, për më tepër në skenat evropiane, se në Eurovizion, jo e jo

Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka qenë dhe mbetet investimi më i rëndësishëm që krijuesit, shoqëria dhe shteti shqiptar kanë bërë dhe ende bëjnë përmes RTSH-së, edhe Orkestrës Simfonike të saj, për këngën dhe në përgjithësi për muzikën shqiptare. Përkundër kësaj, konstatohet se ç’do ditë e më shumë, gjatë viteve të tranzicionit postkomunist, ky festival po largohet nga parimet artistike të themeluesve dhe pasuesve të tyre (kompozitorëve: Çesk Zadeja, Abdullah Grimci, Prenk Jakova, Vath Cangu, Agim Prodani, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Avni Mula, Gjon Simoni, Simon Gjoni, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Ferdinand Deda, Agim Krajka, Kastriot Gjini, Kujtim Laro, Aleksander Peçi, Shaqir Kodra, Josif Minga, Gazmend Mullahi, Spartak Tili, Enver Shëngjergji, Hajg Zaharian, Flamur Shehu, Selim Ishmaku, Alfred Kaçinari, Ardit Gjebrea, Shpëtim Saraçi, Endri Sina, Ardian Hila, Elton Deda, Pirro Cako etj; poeteve Ismail Kadare, Dritero Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Jorgo Papingji, Alqi Boshnjaku, Gjok Beci, Arben Duka etj), për të pasur dhe krijuar këngë me identitet të qartë kulturor shqiptar në muzikë, në poezi e në interpretim.

Kësisoj, ajo ç’ka sot shihet është një fasadë "e bukur" digjitale, e cila mbulon nga sytë e botës ashtu si një perde, një trup të sëmurë e bashkë me të edhe plagët e thella, të majisura e të pakuruara prej vitesh të këngës sonë, pavarësisht përpjekjeve të disa kompozitorëve të rinj profesionistë, për të ndryshuar diçka në këtë realitet të trishtë, në respekt të publikut dhe të amanetit të etërve themelues. Të gjitha këto nën vorbullën thithëse të një globalizimi dhe mish-mashi muzikor "stilesh" që s'të çon askund, për më tepër në skenat evropiane, se në Eurovizion, jo e jo! Një pamje tragjike që i shkojnë vargjet e Migjenit:“ ...ç’do ditë shoh qartë e më qartë, e vuej thellë e më thellë!” Është detyrë e dorës së parë që këngët shqiptare t’i kthehen publikut si krijimtari e interpretim, atij publiku që investon dhe që është i interesuar për to shpirtërisht. Në këtë pikë përgëzoj përpjekjen e Drejtorit te Festivalit të 53-të, Martin Leka për të filluar një fazë të re të rikthimit të rëndësisë së këtij festivali, por kjo gjë duhet të vijojë më tej. Mënyra se si kjo duhet bërë kërkon standarde që duhet të nisin të formatohen pas analizimit të gjendjes nga kritika muzikore dhe institucionet përgjegjëse, si dhe në hapjen e një debati shërues gjithëpërfshirës rreth këngës sonë në bashkëkohësi. Me tej është detyrim i krijuesve profesionistë që mbështetur kritereve të qarta artistike, statutit të ri dhe rregullave të reja proceduriale të përzgjedhjes së këngëve, edhe organizimit të festivalit të këngës në RTSH. "Të shembin" me bukurinë dhe vlerat e artit të tyre, "ndërtimet" dhe "kioskat" pa leje të tranzicionit muzikor shqiptar, ndër to edhe interesat dhe klanet që i kanë zënë frymën këngës sonë, për të riformuluar kauzën e këngës me identitet kulturor shqiptar e europian njëherësh! Ah, një fjalë e fundit për Juritë dhe vendimet e tyre. Për këtë mjafton të kujtoj thënien e Çesk Zadejës, babait të muzikës shqiptare se: “... Vlerësimet e Jurisë janë numri më i dobët i festivalit!”.

Kompozitori Gazmend Mullahi: solidarizohem në substancën

Pothuajse edhe kompozitori Gazmend Mullahi ndan të njëjtin shqetësim me profesor Tolen. “Ndaj me Tolen të njëjtin mendim përveç ca elementesh të tjerë që janë të vegjël dhe pa ndonjë peshë ndaj thelbit. Të falënderoj profesor, që unisohemi ndaj gjërave që personalisht i kam ngritur me kohë, madje duke qenë dhe vetë pjesëtar i atij stafi, fatkeqësisht të mbetur "dele e zezë" dhe jo pa pasoja. Më zgjove "dellin" që kujtova se kishte "rënë" në qetësi”, shkruan ai.

Thanas Todhe: Mos ka ardhur koha të ndryshojë formula e përzgjedhjes së fituesit

Një llafollogji prezantuesish dhe të ftuarish që thanë dhe nuk thanë asgjë. Një skematike këngësh që uleshin e ngriheshin deri në bërtitje e dukeshin sikur i ngjanin njëra-tjetrës. Në Eurovizion vlerësohet kënga dhe jo këngëtari sado i mrekullueshëm qoftë ai. Mos ka ardhur koha të ndryshojë formula e përzgjedhjes së këngës së Eurosongut?

Studiuesi Behar Arllati: Juritë kanë për bazë shijet personale

“Pajtohem plotësisht me ato që thoni prof Vaso, por ç'të bëjmë me zhgënjimin tonë që duket sikur s'ka fund?! Tash e shumë vite, sa herë që vjen dhjetori them me vete: “Ky Festival do të jetë ndryshe", por avazi i vjetër vazhdon këngët rrezohen nga juritë pa arsye dhe me arsyetimin e vetëm, shijen personale që e konsideroj një gabim fatal. Kam përshtypjen se qëllimisht emërohen juri të tilla me njerëz pa përvojë, që s'kanë të bëjnë fare me muzikën, ose njerëz të lidhur ngushtë ndaj një klani të caktuar. Kjo, u bën dem vlerave dhe këngëve në përgjithësi. Do veçoja me këtë rast këngën e Klodi Çafokut dhe këngën tuaj që ishte "ndryshe" nga "standardi" që preferonin anëtarët e Jurisë. Reformat janë mëse të domosdoshme dhe hapi i parë mendoj se duhet të jetë formimi i një komisioni për vlerësimin dhe pranimin e këngëve ndërkohë që anëtarët e Jurive duhet të mbeten "të panjohur" deri në natën e Festivalit. Mendoj se nga këtu nisin shumë të këqija”.

Elton Deda: Të paktën do përfaqësohemi bukur në Eurovizion

“Urime Boku, jo për çmimin, por për personalitetin origjinal artistik të pangatrrueshëm me të tjerët. Sa për vendin e parë gjithmonë ka kundërshtime, por gjithsesi me një zë si Elhaida, të paktën do përfaqësohemi bukur në Eurovizion”.

Moza Demiri: Këngëtarja pati kërcitje vokali

“Si muzikante dhe specifikisht e Kantos, njoh mirë teknikën vokale, edhe pse fansat e saj nuk do ta pëlqejnë kritikën, edhe vetë këngëtarja nuk ishte në nivelin që ju e mbani, pasi pati shkëputje të zërit, të frymëmarrjes, stopime dhe kërcitje vokali, që është jo profesionale. Për hir të së vërtetës, nuk më lejohet që të mos ta them. Kjo është një e vërtetë që as një katër vjeç në botë nuk do ta justifikonte. Kënga tmerr, ulërin me nota në ajër pa pikën e harmonisë. Më vjen keq, por nuk ka lidhje me çmim të parë, duke qenë kënga jo e përshtatshme edhe këngëtari ngelet “fukara”, nuk ka lidhje se çfarë ka fituar nëpër botë, por me atë që nxori në dritë sonte”.

Besiana Mehmedi: Në back-stage "ushtari" i Saraçit na fyeu verbalisht dhe kërcënoi fizikisht

Këngëtarja që u rendit në vend të katërt, së bashku me Shkodran Toljan pas reagimit gjatë natës finale të festivalit shkruan se: “Mbrëmë dolëm në finalen e Festivalit të 53 në RTSH. Ditën e djeshme ishim të lajmëruar në ora11.00 për provë, që nuk arritëm ta bëjmë, sepse drejtori Artistik, Shpëtim Saraçi kishte vendosur provën më herët. Përveçse nuk na lejoi të bëjmë provë na nxori jashtë. Kjo ishte arsyeja që reaguam direkt. Duke marrë parasysh që ky festival duhet të jete i pa paragjykuar dhe parapëlqyer. Nuk mbaroi asgjë në skenë, sepse në back-stage vjen "Ushtari" i Shpëtim Saraçit, Marjan Deda, i cili na fyeu verbalisht dhe kërcënoi fizikisht. Ne qëndruam dhe pritem sipas traditës deri në fund dhe pse të përgatitur psiqikisht për një disfalifikim të mundshëm. Pavarësisht se juria na la në vend të katërt me rëndësi është që ne sollëm në vend dinjitetin artistik. Faleminderit publikut mbarëshqiptar për duartrokitje ndërkaq për atë çfarë ndodhi më duhet të them: “Paska dhe të tillë drejtor artistik që Festivalin e konsideron Monarki të veten ku artistët mund t’i fyejë deri në shkallën më të ulët”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama