Vlahutin 25 vjet me pare Shqiperia u clirua nga nje regjim i tmerrshem por krimi e korrupsioni mbeten

Vlahutin-TIRANË, 24 Nëntor /ATSH- I. Vata/ -Ambasadorja e BE-së ne Tirane, Romana Vlahutin, deklaroi se 25 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga një regjim i tmerrshëm që abuzonte me popullin e vet dhe e privoi nga të drejtat themelore, por krimi e korrupsioni mbeten.

Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, ndërsa merrte pjesë sot në konsultimet për reformën në drejtësi "Ndryshimet Kushtetuese - Masat Antikorrupsion", theksoi se "25 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga një regjim i tmerrshëm që abuzonte me popullin e vet dhe e privoi nga të drejtat themelore. Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar dhe Shqipëria ka ndryshuar në shumë drejtime. Por, një gjë ka mbetur, ka ende abuzim me burimet që duhet t'u përkasin të gjithëve. Ky është krim dhe emri i këtij krimi është korrupsion".

Gjatë kësaj veprimtarie, që mblodhi ndër të tjera gjykatës dhe prokurorë, grupe interesi, ekspertë vendas e te huaj, shoqërinë civile dhe përfaqësues të grupeve parlamentare, ambasadorja Vlahutin theksoi se sa kritike është lufta kundër korrupsionit. "Shpesh dëgjoj shpjegime sipërfaqësore për mendësinë apo kulturën e korrupsionit. Nuk ka gjenetikë të korrupsionit. Ka vetëm mungesë të shtetit ligjor, mungesë vullneti, mungesë kapaciteti apo të dyja, për të dënuar ata që abuzojnë me shtetin dhe shoqërinë", tha Vlahutin

Ambasadorja Vlahutin nënvizoi gjithashtu nevojën për të sqaruar se kush janë njerëzit që meritojnë respekt dhe mbështetje pasi e bëjnë punën e tyre me dinjitet dhe kush janë ata që mendojnë se janë mbi ligjet morale dhe juridike.

"Nuk e fituat lirinë për t'u grabitur dhe abuzuar sistematikisht përsëri nga njerëzit tuaj. Nuk ka të paprekshëm. Ata vetëm mendojnë se janë të tillë", tha ambasadorja Vlahutin. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama