Vladimir Prifti Kam 10 vjet qe pres te bej serialin Skenderbeu

Vladimir Prifti: Kam 10 vjet qe pres te bej serialin 'Skenderbeu'
Kur në ekranin e vogël shqiptar  në vitin 1976 u shfaq për herë të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  i Vladimir  Priftit ,  një vepër televizive e cila foli fuqishëm asgjë nuk pati të ndalur. Nuk kaluan shumë vite që publiku të më- sohej me emrin e regjisorit Prifti, dhe sot në këtë 70-vjetor ai ruan misionin e pamposhtur për kamerën dhe lojën e aktorëve. Mes miqve, kolegëve dhe të afërmve regjisori dhe  ”Mjeshtri i Madh” Vladimir Prifti, festoi 70-vjetorin e lindjes.

Për regjisorin ky 70-vjetor është i veçantë dhe për faktin se ai ndan një karrierë të gjatë me miqtë e tij më të ngushtë. “Jam shumë i emocionuar! Vitet kalojnë pa u ndjerë, koha ecën me hapa galopant, por puna ime më mbanë akoma të gjallë”- thekson Prifti. Por ai nuk e mbyll me kaq, puna e tij dhe idetë si regjisor nuk kanë të sosur.

Edhe pse 70-vjeç, Vladimir Prifti rrëfen për “KJ” se ka shumë pengje të paralizuara në karrierën e tij artistike të cilat janë të kyçura për shkak të mungesës së fondeve. “Ka më tepër se 10 vjet që skenari i figurës tonë historike Skënderbeu, qëndron i mbyllur në sirtar, arsyeja mungesë fondesh. Është interesante që kjo figurë dimensionale e popullit shqiptar të trajtohet si një seria dhe ti hap një dritë jeshile këtij projekti madhor dhe me interes kombëtar”- pohon regjisori Vladimir prifti.

“Skënderbeu”, ëndrra e mbetur në mes

Në 544-vjetorin e vdekjes  së Heroit tonë Kombëtar, regjisori Vladimir Prifti tentoi që përmes një lënde të ngjeshur dokumentare të japë ca përgjigje, por jo të gjitha. “Duke qenë një nga figurat më të lakuara, trajtimi i një dokumentari për Skënderbeun nuk ishte edhe aq i thjeshtë. Dokumentacioni rreth tij është shumë i pasur dhe duket se çdo ditë servir fakte të reja.

Dhe pikërisht pasuria e kësaj “dosjeje” kërkon akoma më shumë të risjell për publikun pjesë të reja në kuadër dhe të 100- vjetorit të Pavarësisë”- pohon Prifti. Vepra bazë ku është mbështetur Prifti, është “Skënderbeu;  Jeta dhe vepra” e historianit Kristo Frashëri, i cili mbështetet në një dokumentacion të pasur dhe në veprat pararendëse të autorëve shqiptarë e të huaj, që nga Barleti, Frëngu, Bardhi, Gegaj, Noli, Buda, tek Biemi, Jorga, Marinesco etj.

Kjo mori ngjarjesh dhe faktesh, shoqëruar me imazhe të vendeve, ku ato kanë ndodhur, janë lidhur, kompaktësuar përmes rrëfimit dhe ndërhyrjes së aktorëve Sokol Angjeli, Roza Anagnoti e Fatos Sela, të cilët ndihmojnë që dendësia e informacionit të vjelë nga arkivat më të njohura të Europës, të mos rëndojë mbi shikuesin.  Izaura Ndoj Koha Jone

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama