Vizite ne Muzeun e Malesise

Vizitë në Muzeun e Malësisë
Ka sakrifikuar gjithçka në emër të muzeut. Dhe vitet e pleqërisë së bashku me bashkëshorten aty-aty në moshë, ka preferuar t’i kalojë me sakrificë. Shtëpinë njëkatëshe me katër dhoma goxha komode, prej vitesh nuk e përdor për t’u rehatuar në ditët e vitet që kalon aty, por pjesën e “salltanetit”, ia ka lënë relikeve të vjetra.

Gjithfarë mund të gjesh aty, nga mjetet e punës të hershme, dyer 2 a 300 vjeçare, mjete zejtarie që i kalojnë tre a katër shekuj, veshje shumë-shumë të moçme, opinga gjedhesh e llastiqesh që nuk iu dihet mosha. I ndodhur rreth pesë kilometra larg Tuzit, ky muze etnografik, që i zoti i tij e ka emërtuar “Muzeu i Malësisë”, është më tepër se kaq, pasi aty përmblidhet tërë MALËSIA prej Tuzi, Plave, Malësi e Madhe e deri në Malësi të Gjakovës e më tutje. Është jeta shqiptare e fokusuar në një mënyrë kaq origjinale.

Historia zë që në oborrin e shtëpisë njëkatëshe, që i zoti Shtjefën Ivezaj ia ka falur historisë, si për ta dëshmuar atë në mënyrën etnografike. Duke kaluar nëpër mjediset e jashtme, janë shpërndarë gjithandej relike jo vetëm të jetës së malësorëve të këtyre anëve, por dhe relike të historisë që lidhen me Ulqinin, me Malësitë e Hotit dhe atë të Shkodrës.

Kujtesa për rrethimin e gjatë malazez të Shkodrës në fillimvitet e shekullit të kaluar, vjen përmes një bombe të ruajtur me kujdes, një bombë që ra në qytet por që nuk shpërtheu, dikush e ka ruajtur në oborr, dhe ajo ekziston tek ky muze si relike e vetme. Në po atë eksponat natyror në oborr përkrah janë vënë gjyle topi të asaj periudhe, halmyse të kuajve që bartnin topat e ushtrisë malazese, një helike avioni luftarak të Luftës së Parë Botërore, grykë topi e deri pjesëza mensash fushore të ushtrisë malazese.

I martuar me Gjysten serbe

Shtjefni është asi tipi që i pëlqen çdo gjë ta ketë “të pare”! I pari fotograf në kohën e Titos në Tuz, kur biznesi i tij prej zejtari të rrallë, e kishte emërtimin vetëm në shqip, një reklamë që e mban aty ndanë oborrit muze FOTO IVEZAJ! Por dhe mbledhësi i parë si etnograf audodidakt; i pari bibliotekar që ka mundur të mbledhë e të sistemojë në njërën prej dhomave plot literaturë në shqip, anglisht, serbisht e gjermanisht ku më së tepërmi janë mbledhur libra dëshmi ku të huajt flasin për shqiptarët. Ai dëshiron të thotë se dhe babën e ka pasur “të parë” në zanatin e vet, i njohur si gjamtar (në ritin e vajit). Dhe asokohe kur Shtjefni u burrërua dhe i duhej gjet nuse, babai nuk hezitoi ta martonte me një serbe, Gjyste Bujoviç, e ardhme në Malësi me familje për arsye gjakmarrjeje.

Ka 40 vite që jetojnë së bashku si s’ka më mirë me tre fëmijët që tashmë janë shpërndarë si zogjtë e korbit. Ndonëse të martuar me shkes, si të thuash, Shtjefni thotë se nuk do kishte mund me e gjet një nuse si Gjysta. Madje dhe muzeun ia dedikon asaj, mënyrën sesi e ka sistemuar çdo gjë; për Gjysten çdo relike është e shenjtë. E mirëmban, i pastron çdo ditë dhe ua bën hyzmetin. “Aty asht historia e këtij vendi, shumë gjana i kena pas të përbashkëta, vuajtjen dhe skamjen në Malësi si serb, malazez, kroat, boshnjak a shqiptar. Ka qenë jetë e randë, psherëtin ajo”, ndërsa të udhëheq të shikosh gjithçka ajo e ruan si sytë e ballit nëpër kthinat e shtëpisë.

Të dy burrë e grua të moshuar, ia kanë falur gjithë hapësirën e shtëpisë pikërisht këtyre mjeteve e relikeve të moçme, ndërsa vetë flenë si në dimër dhe në verë në verandën e shtëpisë, ku kanë vënë një krevat, ndonjë raft a komo. Është aq ngushtë aty sa është e pamundur ta besosh nëse do ta rrëfente dikush dhe të mos e shihje vetë me sy. Kur e pyet Shtjefnin nëse ka frikë se i bëjnë dëm këtij muzeu, ngre jastëkun dhe poshtë saj nxjerr një pisqollë, siç i thotë ai. “Tan natën e mbaj poshtë kokës, nuk guxon kush me mi prek këto gjana, pa e lanë unë kryet ma s’pari”, thotë i vendosur Shtjefni, ndërsa Gjystja buzëqesh aq ëmbël. Ciceronin e bën herë Shtjefni e herë Gjystja, që tashmë të duket një malësore tipike shqiptare.

Guri i gjakut

Një gur i vogël që fillimisht mund ta marrësh për gur stralli. Duket shumë i lëmuar dhe me një ngjyrë si në të kuqërremtë të theksuar. Mund të ketë mbi 100 vite ashtu, dhe ai nuk i dihet sesi e ka gjetur. Nuk kishte barna në kohë lufte dhe shpesh përdorej ky gur për plagët e trimave të luftës, lëpihej dhe ilaçi i dalë prej tij shkonte drejt e tek plaga e trimit për t’ia ndalur gjakun atij. Të paktën për Shtjefnin nuk vjen në formën e një legjende por të një vërtete, një e vërtetë që rrëfehet dhe për plagët e shkaktueme prej hasmërive.

Opingat e gjedhit

Në njërën anë muri dallojnë dhe një palë opinga gjedhi, jo të zakonshme, jo si ato që përdoren nga artistët e ansambleve. Me ngjyrë si në të errët, dhe të thurura me kujdes, pa kurrfarë qepje, duhet të jenë mbi 100 vite. Kanë mbërritur të vetmet, pasi në “kohën e zisë”, opingat e gjedhit, qenë mjeti i fundit për të mbijetuar, dhe njerëzit detyroheshin të hanin dhe të fundit sende të ngrënshme!

Guri i rrojës

Do t’ju tregoj diçka të rrallë, thotë Shtjefni, teksa sjell një gur të stërgjatë të zifiksuar kujdesshëm mbi një dërrasë lisi të vjetër. Më pas bashkon dhe një thikë të vjetër. “I shihni, kanë rreth 400 vite këto, dhe janë përdorur nga burrat e hershëm, për tu rruar në të thatë”. Ndërkohë që si për ta çuar në ato vite aq të hershme, ai e vishkëllon me ngadalë thikën nëpër gurin e mprehjes dhe më pas për ta afruar tek faqja e rreshkur nga vitet si për të treguar se bash kështu e kryenin rrojën malësorët e hershme të këtyre viseve.

Malësorit i janë ofruar mijëra euro por në asnjë rast nuk ka pranuar të shesë muzeun e tij

“Nuk mund t’ia jap askujt historinë e popullit tem”

Do të duheshin libra të tëra për të rreshtuar historitë e këtyre objekteve që nuk kanë të numëruar aty brenda asaj shtëpie, të vënë ndanë mureve dhe në tokë, secila ka një histori interesante, që të shpien në vitet e hershme të jetesës së Malësisë. Ndërsa gjithçka e përfundon tek dhoma-bibliotekë, ku janë vendosur libra të shumtë që i ka gjetur vetë apo që ia sjell dhe e bija që është e dhënë pas restaurimit të pikturave e që punon jashtë vendit,, në Kosovë a gjetkë, si dhe djali tjetër arkitekt e që ndodhet në Gjermani dhe djali tjetër në Amerikë.

Kur e pyet nëse ndihen ngushtë fëmijët kur vijnë të të shohin pasi dhomat e gjumit dhe të pritjes ua kanë zënë këto relike, ai thotë aspak, madje kur ata më vijnë u shtroj në këto dhoma përtokë, dhe ata nuk i mërziten kësaj mungese rehatie. Madje më sjellin shumë libra apo gjëra që dhe ata mund të kenë rënë në gjurmë si gjëra të vjetra por që vyejnë.

Nuk ka aspak dëshirë të tregojë se cila është pasuria e tij, “ndo tek 40 euro” që e ka pensionin, por këtë muze, edhe pse mund t’i kenë afruar mbi 100 mijë euro, nuk e ka dhënë dhe nuk do ta japë kurrë, “nuk mund t’ia jap askujt historinë e popullit tem”, thotë i bindur në këtë akt aq altruist që manifeston. Po këtë gjë e pohon me sytë e qeshur e shoqja Gjystja, e kënaqur dhe ajo për këtë jetë gati “Robin Hudësh” që bëjnë rrethuar natë-ditë nga mijëra relike historike të Malësisë Shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama