Viti i Kadarese Ministria e Kultures zbulon aktivitetet

Viti i Kadarese: Ministria e Kultures zbulon aktivitetet

Ditëlindja e 80-të e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare do të nisë me shenjat e shkruara nga vetë shkrimtari në librat e tij, ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut... Aktivitetet do të zgjasin përgjatë gjithë vitit, ka bërë me dije Ministria e Kulturës ndërsa ka planifikuar disa ekspozita, konferenca e promovime me libra studimorë që kanë në qendër shkrimtarin

Në përvjetorin e 80-të të shkrimtarit, “Shtëpia Kadare” do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistët, me synimin për t’u kthyer në një qendër muzeale dhe kulturore. Ajo do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më përkthyes dhe shkrimtarë, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore etj. “Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por mëton të tregojë krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. “Shtëpia Kadare” do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit drejt qytetit historik, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë, duke prodhuar një ekonomi në rritje në zhvillim të turizmit. Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare” ka hartuar edhe shumë aktivitete në ditën e lindjes dhe gjatë gjithë vitit 2016, i shpallur si viti i Kadaresë.

Ditëlindja e 80-të e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare, do të nisë me shenjat e shkruara nga vetë shkrimtari në librat e tij, ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut.

Maratonë leximi në 8 sheshe publike, Gjirokastër. “Gjirokastra lexon Kadarenë” do të jetë fillimi i aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Nisja e leximit nis në orën njëmbëdhjetë të paradites së 28 janarit në Bashkinë e Gjirokastrës, për të kaluar më pas te Klubi i Gjuetarëve, në Bashtenë e Teqesë, gjimnazi “Asim Zeneli”, Biblioteka “Apostol Meksi”, shkolla e mesme artistike “Feim Ibrahimi”, gjimnazi “Siri Shapllo” Sheshi i Ficove-shkollat 9-vjeçare, Universiteti “Eqrem Çabej” si edhe Shkolla e mesme “Pandeli Sotiri”.

Aktivitetet artistike dhe kulturore do të vijojnë në Tiranë dhe Gjirokastër më 29 dhe 30 janar, duke krijuar një fundjavë kulturore për “Komandantin e Legjionit të Nderit” që ndërkombëtarizoi qytetin e pjerrët, ndërtuar jashtë çdo ligji të urbanistikës.

“Interpretim në magjinë e letërsisë Kadare” do të jetë shfaqja në Teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës, mbrëmjen e 30 janarit, gjithashtu do të shfaqet dokumentari “Me sytë e fëmijërisë” dhe një ekspozitë me botime të Kadaresë, ndërsa më 30 janar do të përurohet shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare dhe do të çelen dy ekspozita ajo e piktorit Bashkim Ahmeti dhe ajo e Shtëpisë Botuese Onufri. Në Tiranë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë dramën “Kush e solli Doruntinën” e cila do të vihet në skenë tri net me radhë 28, 29, 30 janar, në Universitetin e Arteve, nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Edhe Teatri Kombëtar ka përgatitur një mbrëmje kulturore me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit.

Universiteti Europian i Tiranës do të organizojë një mbrëmje kulturore më 28 janar me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit, ku edhe do të prezantojë Qendrën e Studimeve Letrare “Kadare”.

Gjithashtu, në javën e fundit të muajit maj, Fondacioni “MAPO” do të akordojë për të dytin vit çmimin letrar “Kadare” gjatë Ditëve Letrare të Razmës, aktivitet ky i cili synon të kthehet në traditë çdo fundmaji. Duke u shpallur viti i Kadaresë, aktivitetet në nder të shkrimtarit do të shtrihen gjatë gjithë vitit. Nga datat 12 deri më 28 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do të qëndrojë e hapur ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean”, një rrugëtim të kryqëzuar mes tekstit dhe imazhit, duke bërë të perceptueshëm për publikun një nga specifikat më interesante të veprës së Ismail Kadaresë: shkrimin e qytetit; që nga Gjirokastra e përjetshme e romaneve Kronikë në gur, Breznitë e Hankonatëve; Çështje të marrëzisë; Darka e gabuar etj., deri te Tirana me “Bulevardi Broadway”; Stambolli me “Aya Sofinë”; Moska e flirteve dhe Parisi letrar. Më 12 shkurt në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare do të organizohet konferenca “Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi”, ku do të bashkohen kontributet më të fundme mbi studimin dhe interpretimin e veprës së Ismail Kadaresë, përmes pjesëmarrjes së akademikëve, studiuesve, pedagogeve e shkrimtareve. Gjithashtu në të njëjtat mjedise do të ketë një sërë promovimesh të përmbledhjeve studimore dhe bibliografive të konceptuara për kremtime të 80-vjetorit. Në muajin prill ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të udhëtojë në Kosovë, në kuadër të Javës së Bibliotekave. Edhe gjatë stinës së verës janë menduar aktivitete në nder të shkrimtarit ku gjatë periudhës korrik-gusht ekspozita  “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të vendoset në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër duke e bërë pjesë edhe e jetës kulturore të qytetit dhe guidave turistike. BKSH ka parashikuar edhe një trajnim të shkurtër për personelin që do të shërbejë në Muze për të shpjeguar ekspozitën dhe disa të dhëna specifike mbi autorin dhe veprën e tij. Gjatë kësaj periudhe në “Shtëpinë Kadare” do të organizohen edhe aktivitete të karakterit muzikor, festivale, promovime autorësh dhe lexime. Këto ngjarje artistike do të organizohen nga Ministria e Kulturës, Bashkia Gjirokastër dhe skena e pavarur artistike. Në muajt shtator deri më nëntor do të shpallet konkursi letrar kombëtar, me pjesëmarrjen e shkollave të mesme, i cili krijon edhe Çmimin “Shtëpia Kadare”.

Në muajin dhjetor, muaj që do të mbyllë edhe aktivitetet e vitit kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare do të prezantohet albumi “Ismail Kadare dhe editimet”, një album që do të paraqesë të skanuara dhe të pajisura me shënime bibliografike kopertinat e të gjitha botimeve të para të Kadaresë në shqip, të cilat kanë dalë nga vëmendja e publikut për shkak të largesës kohore, por edhe kopertina të librave të përkthyer në gjuhë të huaj, duke sjellë ndoshta për herë të parë në vëmendje shumësinë dhe pasurinë e përkthimeve dhe të gjuhëve në të cilat është botuar vepra e Ismail Kadaresë, së bashku më çmimet kombëtare e ndërkombëtare që kanë marrë vepra të veçanta. Promovimi i albumit do të bëhet në mjediset e BKSH-së, bashkëshoqëruar me një ekspozitë të shumë botimeve në gjuhë të huaj të autorit që gjenden aktualisht në Bibliotekën Kombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama