Video / Vajushi i jep nje pike Pro Vercelit fiton Piza e Çanit

Video / Vajushi i jep një pikë Pro Verçelit, fiton Piza e Çanit

Armando Vajushi ka lënë menjëherë shenjë te skuadra e Pro Verçelit, duke e ndihmuar këtë të fundit që të merrte një pikë në javën e dytë të Serisë B. Mesfushori, i cili iu bashkua këtij klubi me histori në futbollin italian gjatë verës, ka gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen kundër Trapanit, të barazuar me shifrat 1-1.

vajushi

Futbollisti shqiptar kaloi në avantazh ekipin e Pro Verçelit kur shënohej minuta e 10 e ndeshjes duke përfituar nga një dalje e gabuar e portierit kundërshtar, ndërsa më pas u shfaq disa herë rrezikshëm para portës së Trapanit. Pas barazimit të ekipit vendas në pjesën e dytë, trajneri Longo vendosi të ulë në stol futbollistin shqiptar kur shënohej minuta e 75-të e sfidës. Ky ishte barazimi i dytë në po aq ndeshje të luajtura në këtë sezon të Serisë B nga skuadra e Vajushit.


Ndërkaq, ndeshja e parë dhe fitorja e parë e sezonit ka qenë ajo që ka regjistruar Piza e Edgar Çanit. Klubi i cili i shpëtoi falimentit pasi ndërroi pronar dhe për më shumë se tre javë ishte pa trajner, mundi 1-0 Novarën.

Trajneri Gatuzo, i kthyer përsëri pas lamtumirës së përkohshme, la në stol Çanin për këtë duel, duke e aktivizuar vetëm në minutën e 86-të. Por shtatlarti shqiptar ndihmoi në mbrojtjen e avantazhit në një sërë goditjesh standarde të kundërshtarëve në minutat e fundit.

Për shkak të situatës që po kalonte, ndeshja e parë e sezonit për Pizën, ajo ndaj Ternanës, është shtyrë për këtë të mërkurë. Te kjo skuadër aktivizohet edhe Samir Ujkani, por ai mungonte për shkak të impenjimeve me përfaqësuesen e Kosovës.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama