"Veshja" nuk është vetëm objekt interesi nga ana e krijuesve të modës, por edhe e shkencave psikologjike. Faktikisht në rrugën e historisë së njerëzimit veshja ka kaluar nga një nevojë elementare, në një paraqitje simbolike, ku për shembull një mashkull me veshjen e tij tregon vetveten, idetë, anëtarësinë në një grup ose funksion social.
Paraqitja është komunikim. Veshja është një mesazh që transmeton te të tjerët personalitetin tonë. Mënyra e të veshurit i korrespondon mënyrës së qëndrimit dhe të shprehurit, dashamirësia që ndiejmë për vetveten, sepse të vishesh me kujdes do të thotë ta duash veten. Njerëzit që janë skllevër të tendencës së momentit kanë një personalitet të ndikueshëm dhe veshin rroba që nuk kanë një raport me personalitetin e tyre. Ndërsa kush është i pjekur psikologjikisht, nuk ecën me hapin e të tjerëve, por zgjedh duke vënë në përdorim krijimtarinë e tij me atë të stilistëve. Ndonjëherë blen veshje të shtrenjta, duke i transformuar në një "koktej" personal, që është efekt i personalitetit të tij.
"Të ndjekësh modën" nuk është e thënë të vishesh me rroba të shtrenjta nga koka te këmbët. Vetëm ai që ka dëshirë të duket (dhe ka shumë para) vesh vetëm veshje të markave të mëdha, duke treguar kështu se nuk ka një shije individuale.
Një njeri i pasigurt nuk është në gjendje të bëjë zgjedhje estetike personale. Ai vesh xhins, edhe pse nuk i rri aspak mirë, por pavarësisht kësaj e bën të ndihet "dinamik" dhe e shoqëron me aksesorë sa të rëndë, aq edhe të pavlefshëm, sepse ia ka parë veshur një ylli spektakli.
Një personalitet i mirëfilltë pranon të jetë një ndjekës i modës, por dëshiron dhe di të zgjedhë kur i shkojnë trupit e intelektit të tij, sepse një veshje duhet të jetë në harmoni me personalitetin e çdo individi. Për këtë arsye është e udhës të vishemi më shumë për veten, se sa për të tjerët. Megjithatë, çdo dallim, edhe në mënyrën e veshjes, çon deri në një farë pike sforcim, sepse stili është një çmim personal që mund të mësohet e të vlerësohet me kalimin e kohës. Gjithashtu është një ndihmë për të jetuar më mirë.
Çdo veshje e jona mund të shoqërohet me doreza, geta, rrip mesi, aksesorë, detaje këto që na bëjnë edhe më tërheqës. Sa më shumë detaje të veçanta të ketë një veshje, aq më shumë i detyron të tjerët të të shikojnë. Megjithatë, luksi përfshihet deri në një farë pike. Esenciale është forca ekspresive, sepse disa veshje janë si pikturat e ndryshme, që hyjnë krejt rastësisht në jetën tënde të përditshme dhe ti duhet të dish t‘i zgjedhësh që të të shkojnë me trupin dhe fytyrën.
Për fat të keq, sot shija e mirë po shkon gjithnjë drejt degradimit. Këtë fakt e pasqyrojnë qartë 20-vjeçaret me këmbë të shkurtra e të shëndosha, që veshin minifunde; 30-vjeçaret me fundshpinën e zbuluar që nxjerrin llërat; 40-vjeçaret e transformuara në egërsira me veshje lara-lara; 50-vjeçaret me këpucë të gjata dhe majë të mprehtë, edhe pse janë të vogla. Duhet pasur parasysh se aksesorët vënë në dukje nëse keni klas ose jo: disa lloje unazash që vendosen në gishtin e madh të dorës, të kujtojnë më shumë qaforen e një kafshe, sesa një zbukurim. Këtu mund të përmendim disa individë që spikasin për shijen e tyre të keqe në veshje, si për shembull veshjen e bluzave të shkurtra, të ngushta e të hapura, për të nxjerrë në pah gjoksin e kërthizën dhe pantallona me bel të shkurtër për të nxjerrë të brendshmet.
Një person cilësohet jo vetëm nga zgjedhja në veshje, por edhe nga mënyra e saj, sepse vetëm veshja nuk na bën "elegant", por është e nevojshme që edhe të dimë ta mbajmë gjithnjë konstante zgjidhjen e duhur që na përshtatet.
Në fakt, mënyra e të veshurit është një tregues psikologjik, që të lejon të dallosh zotërinë nga "i shfrenuari", që shpesh është edhe "rrëmujaxhi".
Mjafton të mendosh për atë që është gjithnjë në kërkim të veshjes që i përshtatet, për të zgjedhur më të mirën, duke i lënë mënjanë zgjidhjet e tjera, sepse paraqitja e jashtme të jep gëzim dhe të ndihmon të kuptosh se sa i dëshpëruar je. Sepse, të mos harrojmë, bota e sotme na detyron të kemi një personalitet, edhe kur na mungon.
Gazeta Shqip











