Veriu i Kosoves dhe provokacioni i Tadicit

Veriu i Kosovës dhe provokacioni i Tadicit
Beogradit nuk i duhet ndarje territoriale, por vetëm ndarje funksionale siç i pëlqen shume politikanëve serbë ta quajnë, sepse, sipas llogarive të tyre, kështu ata do të mund të qëndrojnë në mos me të dyja, te paktën me një këmbë në Kosovë Mitrovica historikisht ka qenë shqiptare, me shumicë popullsie shqiptare, pavarësisht se me zhvillimin e industrisë minerale e ngritjen e industrisë përpunuese, elementi serb ka ardhur gjithnjë në rritje. Dhe kjo është e kuptueshme sepse personeli inxhinjero-teknik e drejtues i gjithë asaj industrie ka qenë në shumicë serb. Megjithatë, shqiptarët përbenin shumicën . Në v.1999, ndërkombëtaret, duke venë kufirin mbi lumin Iber, praktikisht ndan edhe qytetin e Mitrovicës, duke e lenë pjesën veriore të qytetit në dorë të ushtrisë dhe policisë jugosllave. Edhe aty, si në komunat me shumicë popullsie serbe të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, vazhdoi të funksiononte pushteti i Beogradit. Njëlloj si në kohën e Millosheviçit, në këto rajone vazhdoi persekutimi e dhuna ndaj shqiptarëve, aq sa në shkurt të v.2000, në sytë e forcave të KFOR-it, u dëbuan nga Mitrovica e veriut, pra nga shtëpitë e tyre, 1564 familje shqiptare ose 11364 shqiptarë. Shifrat nuk kanë nevoje për komente.....Aty gjithçka është nën pushtetin e Beogradit, dhe siç u shpreh para pak ditësh Kongresmeni amerikan Engell, “Serbia mban të pushtuar veriun e Mitrovicës”.

Siç thamë me sipër, që në fillim të viteve 90-të, Ibrahim Rugova, ishte shprehur për mundësinë e ndarjes së Kosovës, por me kusht, që brenda Kosovës të përfshiheshin veriu i Mitrovicës (si pjesë e pandashme e Kosovës) dhe Lugina e Preshevës. Lugina e Preshevës ose Kosova Lindore përfshin komunat e Preshevës, Medvegjes, Bujanovcit dhe zë afërsisht 1200 km katrore dhe ka një popullsi prej rreth 110 mije banorë, në shumicë shqiptarë. Historikisht Lugina e Preshevës ka qenë shqiptare dhe në të gjitha ndarjet administrative të Perandorisë Osmane ajo përfshihej në vilajetet shqiptare. Vetëm mbas Luftës Dytë Botërore, në kuadrin e masave antishqiptare, Beogradi e shkëputi administrativisht nga Kosova dhe e bashkoi me Serbinë.

Pavarësisht nga masat e Beogradit, shqiptarët e Luginës Preshevës kanë dashur e duan të bashkohen me Kosovën ( një anketim i bere ditët e fundit me 1028 banorë të këtyre komunave tregoi se shqiptarët e këtyre komunave duan bashkim me Kosovën).

Në qoftë se serbët e Veriut të Kosovës kanë një sistem juridiko-politik të pavarur nga Prishtina, shqiptarët e luginës së Preshevës kanë një sistem të integruar plotësisht brenda atij të Serbisë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës në v.1992 kanë zhvilluar referendum, ku kanë votuar për autonomi (deri me të drejtë ndarje e bashkim me Kosovën), serbët e Veriut të Kosovës, pa referendum, kanë krijuar një institucion kompakt “Kuvendi i serbëve të Kosmetit”, që vepron i lidhur e nën drejtimin e Beogradit. Dhe së fundi, në qoftë se problemi i serbëve të Veriut të Kosovës është ndërkombëtarizuar, ajo e shqiptarëve të Luginës ë Preshevës, me ndonjë përjashtim, nuk ka asnjë ngacmim ndërkombëtar, asnjë angazhim e madje asnjë dokument zyrtar ndërkombëtar. Megjithatë, problemi ekziston, është i hapur dhe në çdo moment mund të shpërthejë, siç shpërtheu mbas luftës së Kosovës të v.1999........

Te drejtat që pretendon Beogradi mbi komunat serbe në veri të Kosovës janë njëlloj me te drejtat që duhet te ketë Prishtina mbi komunat e Luginës së Preshevës. Kjo nuk duhet harruar nga askush.

Duke gjykuar nga zhvillimet e gjithë këtyre viteve, mund të thuhet se Beogradit i intereson ruajtja e kësaj gjendje. Ai nuk e do bashkimin e Veriut të Kosovës me Serbinë, sepse në qoftë se ai do të shpallte bashkimin me Serbinë (zyrtarisht, sepse praktikisht ai është pjesë e Serbisë) atëherë Beogradit, do ti ikte një armë e fortë nga duart. Së dyti, shumica e serbëve të mbetur në enklava e të shpërndarë neper Kosovë, do të kërkonin të largoheshin nga Kosova, kështu që praktikisht Serbia nuk do të kishte më asnjë lidhje me Kosovën. Njëkohësisht, në qoftë se Veriu i Kosovës do bashkohej me Serbinë, ajo do të rrezikonte Luginën e Preshevës, që për nga pozicioni gjeostrategjik është një nder rajonet më të rëndësishme të Serbisë, sidomos për korridoret drejt Mesdheut....

Beogradit nuk i duhet ndarje territoriale, por vetëm ndarje funksionale siç i pëlqen shume politikanëve serbë ta quajnë, sepse, sipas llogarive të tyre, kështu ata do të mund të qëndrojnë në mos me të dyja, te paktën me një këmbë në Kosovë.

Në kohën kur ndërkombëtarët, kanë nxitur e organizuar bisedimet Beograd-Prishtinë, papritmas, presidenti serb Tadiç doli me një propozim tejet “interesant”, dhe tepër provokues, propozim që pati jehonë të madhe ne medien e huaj. Aq i rrezikshëm iu duk V.Petriçit (diplomat e specialist i njohur per problemet ballkanike) ky propozim, sa u shpreh se “Deklarata e Tadiçit për ndarjen e Kosovës me Tiranën është një provokacion për luftë në Ballkan”.

Sigurisht që një deklaratë e tillë ishte e menduar mirë, dhe e ber, sipas llogarive të Beogradit, në kohën e duhur. Ai i hodhi si të thuash Tiranës “dorashkën”, duke provokuar gjithë kombin shqiptar, pavarësisht ku jeton ai. Duke mikluar Tiranën, me të cilën, sipas tij, “duhet të zgjidhet problemi i Kosovës” (thënë shqip ndarja e saj), ai përjashtoi Prishtinën zyrtare e shqiptarët e Kosovës, i fyu rendë ata, duke dashur ti tregojë edhe botës se “me ata nuk mund te merresh vesh”.

Pa pikë turpi ai gënjeu kur tha se shqiptarët fitojnë gjithçka e serbët humbin gjithçka. Jo, përveç Luginës së Preshevës që mbahet nën Serbinë, nëpërmjet planit të decentralizimit, serbët fitojnë të drejta të tilla në Kosovë sa nuk i ka asnjë minoritet tjetër në Europë. Ai u përpoq të falsifikojë historinë kur u përpoq të barazojë fajet e borxhet që i ka Serbia shqiptarëve, me ato, që sipas tij, i paskan edhe shqiptarët serbëve e Serbisë. Z. Tadiç nuk besoj se është aq i paditur për historinë e popullit të tij, sa të mos dijë se nuk janë shqiptarët ata që kanë pushtuar tokat serbe, por ka ndodhë e kundërta. Nuk janë shqiptarët që kanë përzënë serbët, por e kundërta. Në qoftë se sot në Turqi jetojnë rreth 3 milionë shqiptarë, shumica e tyre janë nga ata, ose pasardhësit e atyre që janë përzënë nga Jugosllavia, si para Luftës apo edhe mbas Luftës Dytë Botërore. Tadiçi besoj e di se edhe Maqedonia Perëndimore ose Shqipëria Lindore, është shkëputur nga trungu shqiptar vetëm mbas pushtimit serb në Luftën e Parë Ballkanike. Ai e di se Lugina e Preshevës, është shqiptare.

 Shqiptarët nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë toke të huaj, përkundrazi, të tjerët, në radhë të parë serbët, kanë marrë shumë prej nesh, gati një Shqipëri tjetër, pavarësisht se sot i ka mbetur vetëm Lugina e Preshevës. Prandaj edhe pretendimi i Tadiçit, për konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve, madje 100 vjeçar, siç tha ai, nuk ka asnjë bazë. Kurrë nuk ka pas konflikt shqiptaro-serb, por historikisht ka pas konflikt midis nacionalizmit serb (fatkeqësisht i ngulitur thellë në ndërgjegjen e popullit serb) në sulm dhe shqiptarëve në tërheqje, ku fatkeqësisht, i ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, ai ka fituar terren.....

Në vend që Tadiçi të kërkojë falje për ato që kanë shkaktuar serbët shqiptarëve, ai kërkoi të verë në një kandar e të barazojë te këqijat, që sipas tij, i kanë sjellë serbët e shqiptarët njeri tjetrit. Jo z.Tadiç, historia na mëson krejt ndryshe.

Serbët (nacionalizmi serb), kanë qenë në konflikte të vazhdueshme jo vetëm me shqiptarët. Historia e Ballkanit është e mbushur me ngatërresa e luftëra, që kanë zhvilluar serbët (nacionalizmi serb) me vëllezërit e tyre sllavë bullgarë (katër herë kanë luftuar Serbia e Bullgaria kundër njëra tjetrës), me kroatët ( kujtojmë luftën Serbisë kundër tyre në vitet 90-të), me boshnjakët ( krime si ato të serbëve kundër boshnjakëve radhe hasen në histori) e deri me malazezët (të gjithë vëllezër të një gjaku), pa përmendur me hungarezët (për Vojvodinën që njihet si hungareze), grekët (kujtojmë se Beogradi donte të merrte mbas Luftës së Dytë krejt Maqedoninë e Egjeut, deri edhe Selanikun) apo me rumunët, (të cilëve donin tu merrnin Timoshoaren me të gjithë krahinat përreth). Nuk është vendi të zgjatem për problemet e tyre me italianët apo austriakët. Nuk ka fqinj të Serbisë, (apo të Jugosllavisë së dikurshme, kur serbët dominonin të gjitha fushat), me të cilët Beogradi të mos ketë pasur konflikte, ..... E për këto nuk janë fajtorë shqiptarët.

Termi ballkanizëm i Europës, ka hyrë në fjalorin politik, kryesisht nga politika nacionaliste e konfliktet e vazhdueshme të nacionalistëve serbëve me të gjithë fqinjët.

Sigurisht lind pyetja se ku e merr ketë të drejtë e perse trimërohet kaq shumë Tadiçi tani, deri sa arrin në pretendime të tilla? Sigurisht ka shumë faktorë, përfshijë edhe disa nxitës ndërkombëtarë.
Tadiçi, pa e përmendur, iu kthye edhe një herë ndonjë projekti të hershëm, të hartuar në Beograd për ndarjen e Kosovës midis Serbisë e Shqipërisë, sipas të cilit, Serbia do të merrte një pjesë të mirë të Kosovës. Ai e di mirë se kanë ikur ato kohë dhe Kosova tani është shtet i pavarur, që vendos vetë për të ardhmen e vet. Por ai provokon, sepse mendon se faktori shqiptar, në ketë moment është në krizë, është i përçarë (dhe me provokacione të tilla mendon ta përçaj edhe më shumë). Tadiçi mendon se është momenti i përshtatshëm, sepse Kosova është në krizë, partitë shqiptare në Maqedoni janë në konflikt me njëra tjetrën, ndërsa situata në Shqipëri është ajo që dimë të gjithë....

Ai mendon se Tirana zyrtare mund ti bej lëshime edhe Beogradit, ashtu siç i ka bërë dhe po i bën Athinës, që të ketë edhe mbështetjen e tij. Përse të mos bej lëshime Tirana zyrtare, llogarit Tadiçi, kur ajo, para pak vitesh furnizonte me karburant ushtrinë e Millosheviçit, madje në atë kohë kur Serbia ishte në luftë me Kroacinë dhe Bosnjën. Per më tepër, në atë kohë kur ajo përgatitej të “zgjidhte një herë e mirë problemin e shqiptarëve të Kosovës”. Apo kur Tirana zyrtare jo vetëm u jep toka grekëve për varreza e për kisha greke (madje edhe në qendër të Tiranës), por i fal edhe ujërat territoriale atyre (njëlloj siç i falte Ahmet Zogu Serbisë, Shën Naumin apo Vermoshin). Beogradi tani trimërohet e na del edhe me pretendime për minoritet serb në Shqipëri (pretendime që nuk janë ngritur kurrë më parë nga Beogradi) e deri, siç po dëgjojmë këto ditë, edhe per varreza serbe (varreza serbe ka me shumicë, por ato janë të ushtarëve e oficerëve serbë që kanë ardhur si pushtues e kanë lënë kockat në tokat shqiptare).

Sigurisht që Tadiçi merr zemër edhe nga qëndrimi i një ministri shqiptar, i cili para pak ditësh, gjatë vizitës në Prishtinë, quante “të bazuar në ligje” arrestimin e luftëtarëve të UÇK-së, (duke justifikuar veprimet e Serbisë që “duke u bazuar në këto ligje” të kërkojë arrestime të tjera, të luftëtarëve të UÇK-së, siç po e bën këto ditë) njëlloj si paraardhësi i tij, që para disa kohësh, në Beograd, nga mangësitë në formim e mungesë kulturë historike e diplomatike (më e pakta që mund të thuhet) pranonte ekzistencën e pakicave serbe në Shqipëri.

Dhe ç’është me e keqja, deri tani, askush nga Tirana zyrtare nuk i ka dhënë përgjigjen e merituar, sepse përgjigje të tilla qullashe, si ajo që dha para disa ditësh përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, as ngrohin e as ftohin, për të mos thënë se i japin zemër Tadiçit e nacionalistëve serbë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama