Vera shqiptare ngel ne klase

Vera shqiptare ngel ne klase
Që Shqipëria nuk shquhet për vinokulturë të stërholluar, këtë shumëkush e dinte, por që vera vendase mund të rezultojë vetëm pjesërisht e pijshme, kjo përbën një detaj interesant. Një studim me autorë vendas e të huaj për tregun e verës në Shqipëri ngre disa çështje shqetësuese lidhur me cilësinë, çmimin dhe konkurrueshmërinë e verës shqiptare. Ky është një ndër studimet e prezantuara në konferencën shkencore “Globalizimi dhe efektet e tij për bujqësinë shqiptare dhe sektorin agroushqimor”, të zhvilluar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe USAID.

Sipas studimit në fjalë, rreth 70 për qind e verës që qarkullon në tregun shqiptar, prodhohet në vend në mënyrë ilegale, jashtë standardeve të përcaktuara në ligj dhe shitet pa etiketë. Përjashto dy-tre prodhues seriozë që synojnë cilësinë e lartë dhe po kaq që operojnë në sasi disi më të mëdha në segmentin e cilësisë së mesme në treg, pjesa tjetër e verës “Made in Albania”, rezulton jashtë standardeve, madje në raste të ndryshme ekzistojnë edhe shembuj falsifikimi të verërave të njohura italiane, si “Chianti”, për shembull.

Por, punimi nuk ndalet thjesht te të metat e produktit final, por trajton të gjithë procesin, nga prodhimi i rrushit, përpunimi, shitja e verës, marketingu etj. Sipërfaqet e kultivuara dhe prodhimi në vend janë duke u rritur, por mbeten rreth 50 për qind më të vogla se në vitin 1987. Varietetet dominuese mbeten ato autoktone, Sheshi i Zi dhe Sheshi i Bardhë, të cilat megjithatë, nuk rezultojnë veçanërisht eficente, si për sa i përket prodhimit, ashtu dhe standardeve ndërkombëtare. Studimi vëren se gjatë viteve të fundit ka pasur zhvillime të forta në tregun e verërave në Shqipëri, por nga ana tjetër, oferta po rritet me ritme më të shpejta se kërkesa. Në një ekonomi tregu, diçka e tillë mund të përbëjë problem. Pritshmëria për çmime më të larta bëri që prodhuesit e rrushit të mundohen ta prodhojnë vetë verën në mënyrë ilegale, çka bëri që prodhuesit e verës filluan të importojnë rrush nga Maqedonia. Rritja e prodhimit të brendshëm të rrushit mund të çojë në kriza çmimesh, nëse ky proces nuk bëhet më i kualifikuar.

Prodhuesit shqiptarë të verës ndahen në tre grupime kryesore: prodhues individualë, krejtësisht informalë; kantina gjysmë-informale dhe kantina të licencuara. Kantinat e vogla të licencuara konkurrojnë për cilësi të lartë, ndërsa operatorët e tjerë, është e vështirë të përcaktohet se për ç’lloj cilësie konkurrojnë.

Në këtë rrëmujë të tregut të verës, ekzistojnë megjithatë disa pika reference. Vlen të theksohet se shumica e prodhimit vendas përbëhet nga vera e kuqe, ngaqë konsiderohen nga publiku dhe prodhuesit si të cilësisë më të lartë. Edhe verërat më të shtrenjta janë thuajse të gjitha të kuqe. Baret dhe restorantet në pjesën më të madhe shesin verë të hapur. Kërkesa për verëra të ëmbla dhe të gazuara paraqitet shumë e ulët. Studimi thekson se prodhuesit shqiptarë mbivlerësojnë preferencën e konsumatorëve për verë të kuqe.

Sipas këtij punimi shkencor, urbanizimi dhe krijimi i zinxhirëve të supermarketeve po ndryshojnë tregun rrënjësisht, ndërsa konsumi i verës por rritet e ai i rakisë vjen në rënie. Megjithatë, konsumi i verës, sipas muajve nxjerr në pah edhe dukuri jo veçanërisht të qytetëruara. Rreth 25 për qind e konsumit të verës i përket muajit dhjetor, çka përkon me festat e fundvitit, në veçanti me të ngrënat e të pirat disaditore të ndërrimit të viteve (ndryshe Viti i Ri).

Më mirë ujë...

Sipas studimit, pjesa dërrmuese e verërave të prodhuara në vend nuk i përmbushin standardet kombëtare. Disa përmirësime janë shënuar me kalimin e viteve, por cilësia e arritur sërish është nën standarde. Studimi tregon se edhe në rastet e kantinave të licencuara, inspektimet për cilësinë nuk kryhen me frekuencën e nevojshme, dhe për më tepër, shumica e verës në Shqipëri prodhohet nga fermerë apo kantina të vogla të palicencuara. Kjo pjesë llogaritet të mbulojë rreth 70 për qind deri në 75 për qind të totalit të tregut. Nga kjo sasi, të paktën 70 për qind e prodhimit informal, ndryshe 50 për qind e të gjithë verës që pihet në vend, nuk përmbush as edhe standardet minimale të cilësisë. Përgjithësisht, bëhet fjalë për “verëra fshati”, të cilat kanë qenë të përhapura në zonën e Mesdheut deri 20 vjet më parë. Këto kanë një pamje të turbullt, oksidohen në kashtë të errët prej dhe nga marrin ngjyrën e kafenjtë dhe kanë aroma të pakëndshme uthulle apo të tjera edhe më të papërshtatshme për t’u bërë pjesë e tryezës. Aciditeti i tyre është i lartë dhe shija është veçanërisht tanike, nga kushtet e dobëta të higjienës dhe konservimit.

Kjo situatë e tmerrshme në punishtet e verërave shqiptare është pasojë e standardeve të papërshtatshme teknologjike dhe infrastrukturore, si dhe të praktikave të papërshtatshme të prodhimit të verës dhe kushteve të dobëta të higjienës. “Për më tepër – thotë studimi – vërehet një mungesë e menaxhimit të kualifikuar, si dhe të specialistëve në këtë sektor. Vetëm tre kantina kanë laboratorë në gjendje të kryejnë analizat bazë”.

Sipas studimit të prezantuar, mashtrimi është diçka e zakonshme. Ekzistojnë raste të shpeshta të verërave të falsifikuara, apo të etiketave të palicencuara. Gjithashtu, dy nga autorët e këtij punimi, kanë vëzhguar raste kur prodhuesit shqiptarë përdorin etiketa italiane për verën e tyre. Nga ana tjetër, ndonëse produktet e importuara përgjithësisht përputhen me standardet, ekzistojnë raste kur produkte false apo të pakontrolluara janë raportuar të hyjnë në Shqipëri.

Kantinat vendase e gjejnë rrushin e importit më tërheqës, sepse ai është më i lirë, më i standardizuar dhe më i lehtë për t’u siguruar se sa rrushi vendas, për sa kohë që fermerët vendas hezitojnë të bashkohen në kooperativa.

Si rezultat, shumë prodhues rrushi, prodhojnë vetë verën e tyre, si dhe pije të tjera alkoolike, në mënyrë tërësisht informale. Karakteristikat kryesore të këtij grupi prodhuesish janë mbresëlënëse. Prodhimi ka si destinacion kryesor vetëkonsumin dhe dhuratat për të afërmit, ndërsa pjesa tjetër shitet pa etiketë. Zakonisht prodhohet diçka më pak se 1000 litra në vit. Vera prodhohet zakonisht në ambientet e fermës, fermentohet në fuçi plastike prej 50, 100 dhe 200 litrash, si dhe mbahet në të njëjtat fuçi. Konsumatorët e blejnë verën direkt nga prodhuesit, të cilëve u zënë besë. Një pjesë e rëndësishme e prodhimit, u shkon bareve dhe restoranteve. Çmimi i këtij surrogati shkon nga 180 në 230 lekë për litër. Sipas FAO-s dhe disa institucioneve të tjera, pjesa që ky lloj prodhimi zë në treg, vlerësohet në të paktën 70 për qind të totalit.

Vera e keqe në rrezik?

E ndërsa vera cilësore e prodhuar në vend paraqitet nde në sasi të vogla dhe çmime të larta, apo siç thotë studimi me një raport jo të favorshëm cilësi/çmim, destinacioni kryesor i prodhimit të verës jocilësore shqiptare janë dyqanet tradicionale dhe baret e restorantet. Por, mungesa e sasive dhe varieteteve të kërkuara nga tregu të verës cilësore, ka sjellë një rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme të importeve të verës. Aktualisht këto importe llogariten në rreth 3.5 milionë euro në vit. Afro 70 për qind e këtyre importeve vijnë nga Italia dhe ndahen në mënyrë thuajse të barabartë në verë të kuqe dhe të bardhë. Importet po zëvendësojnë verën e lirë të prodhuar në vend. Por këto importe paraqesin ende sfidë në supermarkete.

Segmenti i verës cilësore dominohet nga importi, çka përbën një prirje të qëndrueshme, ndërsa verërat cilësore vendase tregojnë gjithashtu një rritje të ngadaltë, por ende të ulët në krahasim me importin. Gjithashtu, raporti jo i favorshëm cilësi/çmim i verërave të mira vendase kompensohet pjesërisht nga imazhi pozitiv i tyre.

Vera e importuar mbizotëron në mënyrë absolute në segmentin me norme të lartë cilësi/çmim, si dhe paraqitet në pozita dominuese në segmentin e produkteve me cilësi të lartë. Ndërsa vera vendase sundon pothuaj të gjithë segmentin e tregut që përfaqësohet nga cilësia e dobët dhe çmimet e ulëta.

Por, ndërsa vera e importit duket se dominon tregun e verës së mirë dhe ajo e vendit tregun e verës së keqe, këto ekuilibra mund të ndryshojnë.

Verëra të lira nga importi janë tentuar të futen në më shumë se një rast në tregun shqiptar, por kanë hasur vështirësi në strukturën e shitjes. Por kërkesa ekzistuese e tregut për verë të lirë, rritja e masave shtrënguese për prodhuesit e verës surrogat shqiptare dhe ulja e mëtejshme e barrierave doganore të vendit ndaj mallrave me origjinë vendet e BE-së, po paraqesin një rrezik serioz për punishtet e bodrumeve që prodhojnë verë nëpër kazanë të ndryshkur.

E ndërsa vetëdashësve, ky mund t’u tingëllojë si lajm i mirë, në terma ekonomikë nuk është tamam i tillë. Prodhimi i verës në Shqipëri përbën një burim të rëndësishëm për shumë familje. Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore të vitit 2007, shumica e fermave – rreth 300 mijë – prodhojnë rrush, që përdoret për konsum tavoline, si dhe për prodhim vere e rakie. Sipas studimit, në vitin 2009 rezultonin 69 kantina vere të licencuara, që punësonin mbi 300 persona, si dhe qindra të tjera të palicencuara që gjeneronin të ardhura për qindra familje dhe që gjithashtu shërbejnë si treg për rrushin e fshatarëve.

Analiza tregon një polarizim të investimeve nga prodhuesit vendas, të orientuara drejt sasisë (cilësi e dobët/çmim i ulët) nga njëra anë, dhe prodhimit elitar nga ana tjetër (cilësi e lartë/çmim i lartë). Si rezultat i kësaj, kategoria e verërave me çmim mesatar, me siguri më e interesantja për sa i përket zhvillimit të prirjeve të konsumatorëve, dominohet ende nga produktet e importit.

Përveç rritjes së brendshme të prodhimit të rrushit, si dhe të verës, norma aktualisht e lartë e importeve të të dyja produkteve tregon se prodhimi vendas nuk është ende në gjendje të përmbushë kërkesën e brendshme. Struktura e fragmentarizuar e fermave pengon eficencën dhe investimet që nevojiten për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit të vendas shqiptar. Gjithashtu, mungesa e kredive të buta, asistencës teknike, dijet e kufizuara në marketing, infrastruktura e dobët e të tjera, kanë kontribuuar në këtë situatë të pafavorshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama