Vendimet e Bankes se Shqiperise nuk e ndihmojne dot me qeverine

Vendimet e Bankës së Shqipërisë nuk e ndihmojnë dot më qeverinë

Dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë uli përsëri normën bazë të interesit nga 1,5 në 1.25 për qind, duke arritur një tjetër nivel historik në vazhdim të tendencës së viteve të fundit. Që prej 2011-ës, Banka e ka ulur 15 herë normën bazë të interesit. Por kjo e fundit ishte një lëvizje surprizë e Bankës në krahasim me mënyrën e saj të vepruari në të shkuarën. Banka ka pritur. gjithmonë, disa muaj përpara se të bënte uljen e rradhës. Këtë herë e ka ulur me 0,25 pikë përqindje normën bazë pasi e kishte ulur atë dhe në mbledhjen paraardhës.

Shifrat më të fundit të ekonomisë japin një arsye të fortë për këtë lëvizje të papritur të Bankës. Norma e inflacionit, indikatori ekonomik kryesor për të cilin Banka e Shqipërisë ka detyrimin ligjor mbikqyrjen, ka prekur nivele mjaft të ulëta në muajt e parë të vitit, por sidomos shqetësues kanë qenë shifrat e shkurtit dhe marsit. Inflacioni në këto dy muaj ka qenë respektivisht 0,2 për qind dhe 0,3 për qind, mjaft larg nga niveli prej 3 për qind, i shpallur si objektiv i politikës së Bankës së Shqipërisë.

Një nivel i ulët i inflacionit konsiderohet nga ekonomistët si një indikator kryesor i kërkesës së ulët në ekonomi dhe kësisoj këshillohet një politikë stimuluese monetare (ulje normash interesi) dhe fiskale (shpenzime të shtuara qeveritare). Nëpërmjet uljes së rradhës, Banka e Shqipërisë po jep sinjale se po kërkon të stimulojë ekonominë vendase gjatë një situate të vështirë. Ajo po tenton të nxisë marrjen e kredive nga biznesi e individi duke ulur interesin bazë. Gjithsesi, kredimarrja prej kohësh vetëm po bie, duke arritur dhe ajo një minimum historik.

Këto lëvizje nga ana e BSh-së bien ndesh me parashikimet e fillimvitit nga qeveria, që deklaronte pritshmëri pozitive për ekonominë gjatë vitit 2016. Rritja ekonomike e parashikuar në fillimin e vitit ishte 3,4 për qind. Këto pritshmëri u zbutën me kalimin e kohës dhe në një deklaratë të fundit nga Guvernatori i Bankës Gent Sejko, rritja ekonomike nuk parashikohej më e lartë se 3 për qind.

Por, uljet e njëpasnjëshme të normës bazë tregojnë se edhe kjo shifër me shumë gjasa është më e lartë seç mund të pritet realisht gjatë këtij viti. Për më tepër, në raportet e saj Banka po lë të kuptoj se mundësitë e saj për të stimuluar ekonominë janë gjithmonë e më të limituara. Me gjuhë më të thjeshtë, Banka po lë të nënkuptojë se tashmë janë veprimet dhe mosveprimet e instititucioneve të tjera publike përgjegjëset kryesore për situatën e vështirë ekononomike ku po kalon vendi. Qeveria mesa duket ka gjithmonë e më pak justifikime e më pak institucione të tjera për të fajësuar për gjendjen jo të mirë ku ndodhet vend.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama