Vedat Ademi Kam kenduar edhe ne dasmen time

Vedat Ademi : Kam kënduar edhe në dasmën time
Cilat janë planet dhe projektet që po mer reni aktualisht?

Për momentin po merrem me një këngë që do të jetë për konkurrim në Festivalin kombëtar të Radio-Televizionit. Është punuar me pianistin e grupit tim, Klejdi Bahiti dhe orkestruar nga Alban Malaj. Për momentin ende nuk kemi vendosur për titullin, por mund të them që është një baladë rroku me një shpërthim në refren. Ndërkohë që po punoj dhe për albumin tim, i cili do të jetë me këngë të ndryshme që kam nxjerrë si singëll, por gjithashtu dhe me këngë të reja. Tani po merrem me dy këngë të reja që do t’i përkasin këtij albumi, ndërkohë që shpresoj që njërës prej tyre t’i realizoj dhe një videoklip. Gjithsesi, duke qenë i angazhuar me muzikën “live” e kam lënë më pas dore punën e krijimtarisë sime për albumin, për të cilin ende nuk mund të them një datë fikse se kur do të dalë.

Do të merrni pjesë në Festivalin kombëtar në Radio- Televizion, po në aktivitete të tjera të tilla si Top Fest, keni planifikuar të merrni pjesë?

Mendoj që këtë vit ta bëj pushim dhe do të jem më shumë i përqendruar tek Festivali, duke qenë se ai është kombëtar dhe gjithashtu këndohet “live”. Për këtë duhet përgatitje dhe nuk dua ta zhvendos shumë vëmendjen.

Si kanë qenë fillimet tuaja në karrierën muzikore?

Mund të them që këto fillesa i kam në mënyrë profesionale që para 7 vjetësh. Rreth tre vjet në Kosovë dhe rreth katër në Shqipëri.

Si je dashuruar me rrokun?

Duke qenë se kam dhe tre vëllezër të tjerë më të mëdhenj se unë që kanë dëgjuar rrok, mendoj se në moshë të vogël kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Gjithashtu dëgjoj me kënaqësi dhe lloje të tjera muzike si funk, soul, etj.

Jetoni në Tiranë prej më shumë se 4 vjetësh, si është lidhja me Kosovën?

Të them të drejtën, ka disa kohë që lidhja me Kosovën është paksa e shkëputur. Shkoj vizitoj familjen time në Mitrovicë, por ndonjëherë kam vajtur edhe me grupin dhe kam luajtur në lokalet në Prishtinë.

Jeni një ndër këngëtarët më aktiv në jetën e natës, çfarë mund të na thoni për këtë pjesë, a ju pëlqen të kënduarit “live”, kontakti i afërt me publikun dhe natyrisht vështirësitë e kësaj?

Po e nis nga kjo e fundit. Sigurisht që është shumë e lodhshme, ka shumë ngarkesë e sidomos për mua që jam dhe solisti i grupit. Për të realizuar albumin, natyrisht duhen të ardhura dhe kjo pjesë është ajo që mund të më ndihmojë që t’i arrij këtij qëllimi. Kur këndon “live” përpara një publiku, sigurisht që mendoj se duhet të japësh maksimumin në mënyrë që ata të argëtohen. Unë eksperiencat e para në këngë i kam pasur “live”, jam mësuar me këtë lloj mënyre të të kënduarit; pse jo, mund të them që jam i dashuruar me të. Ndërsa për sa i përket pjesës së publikut, unë vetë nga natyra jam shumë i shoqërueshëm, por ndoshta dhe muzika “live” në këto ambiente më bën edhe më shumë.

I keni dhënë fund beqarisë suaj në gusht të këtij viti, mund të na thoni diçka më shumë për bashkëshorten, ku jeni njohur dhe a është ajo nga Shqipëria apo nga Kosova?

Jemi njohur përpara 5 vjetësh në Tiranë, ajo është nga Shqipëria, quhet Dorela dhe me profesion është ekonomiste. Arsyeja që unë kam qëndruar në Tiranë është pikërisht ajo, por në të njëjtën kohë kam pasur sukses dhe në muzikë. Jam njohur me të nga grupi shoqëror që gjithmonë ka lidhje me muzikën, ajo vetë vjen nga një familje muzikantësh.

Si ka qenë dasma juaj?

Kemi bërë dy dasma, njëra ka qenë me shoqërinë, një ceremoni me aktin e ndërrimit të unazave dhe koktejl dhe më pas dasma e madhe. Atë natë unë kam kënduar me grupin tim dhe besoj se ishte pjesa më e bukur. Kujtoj që njerëzit bënin shaka duke më thënë “Le nam, këndon dhëndëri!” (qesh)

Duke qenë se ti këndon “live” në lokalet e natës thuajse 5 ditë në javë, a bëhet xheloze bashkëshortja juaj?

Këtë pyetja ma kanë bërë të gjitha vajzat që njoh. (qesh) Ajo që mund të them është se ne kuptohemi shumë mirë, unë kam parasysh punën e saj dhe ajo timen. Ne gjejmë mirëkuptimin mes nesh dhe kemi besim tek njëri-tjetri.

Si është Vedati në shoqëri?

I thjeshtë, i shoqërueshëm. Vazhdoj të frekuentoj të njëjtët njerëz, të pi kafe në të gjitha vendet dhe nuk kam aspak kompleksin e të qënurit i njohur.

Cilat janë pasionet tuaja?

Muzika është pasioni im më i madh, krahas saj më pëlqen dhe kam luajtur për një farë kohe basketboll, por më pëlqen dhe tenisi.

Si është një ditë e zakonshme për ju?

Natyrisht mbaroj punën natën vonë dhe gjithashtu ngrihem vonë në mëngjes, mund të pi ndonjë kafe, bëj prova me grupin për të zgjeruar repertorin, etj.



Gazeta: Bluetooth

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama