Analizat që u bënë në Institutin e Fizikës Bërthamore treguan që kemi përmbajte hekuri dhe jo kobalti, që është karakteristike për ngjyrën blu”, - tregon Frederik Stamati, shef i këtij laboratori. Ashtu siç ndodh shpesh, objektet arkeologjike, pas zbulimit pasohen nga një sërë hipotezash për datimin dhe prejardhjen e tyre. Ashtu ka ndodhur edhe në këtë rast. Analizat e enës prej qelqi u përsëritën në Slloveni, ku u konstatua e njëjta gjë. Ngjyra blu ishte me përmbajtje hekuri. “Në bazë të literaturës, rezultoi se egjiptianët e vjetër kanë ditur që qelqit t’i jepnin ngjyrën blu kur kishte hekur (i cili në kushte normale jep ngjyrën jeshile). Ata përdornin një teknologji të caktuar. Këtë teknologji e mori Roma dhe e trashëgoi dhe Venediku. Po të shohim formën e enës, ajo ka një fund konik për të shkarkuar tensionet që të mos thyhej. Ka elementë dekorativë në formë këndore, që tregon se është një prodhim artistik nga një punishte e avancuar që di të njohë formën e një qelqi kaq të hollë dhe të bëjë shiritin blu”, - shprehet Stamati për prejardhjen e saj.
Ndërsa arkeologët mendojnë që i takon shekullit të XI-XII, por sipas tij po të nisesh nga përbërja kimike, rezulton që të jetë një qelq i Muranos, punishteve që ishin rreth e qark Venedikut. Në këtë logjikë, Stamati shprehet se kur Venediku arriti një zhvillim të madh dhe nuk kishte më vend brenda në qytet për të prodhuar qelqin, prodhimi kaloi në zonat periferike. Por ruajti monopolin e lëndëve të para që duheshin për prodhimin e qelqit dhe i shisnin në pika të tjera të Mesdheut. Nga përbërja kimike, nuk arrihet të përcaktohet qartë se ku mund të jetë prodhuar kjo enë qelqi, por analizat tregojnë se është qelq me bazë nga Venediku. Mundësia më e madhe është prodhimi i saj në Murano dhe duke marrë në konsideratë se koha kur u eksportua kjo lloj teknologjie nga Venediku në zonat periferike ka ndodhur pas shek XII, për Stamatin vazoja daton rreth shekullit XIV-XV.
“Në Shqipëri janë gjetur pak enë që kanë ngjyrën blu në buzë. Para tre-katër vjetëve në Lezhë janë gjetur disa fragmente. Kjo të lë të mendosh për një eksportim të organizuar në Lezhë dhe Peshkopi. Në këtë periudhë kohore Arbëria ka pasur lidhje tregtare me Venedikun dhe ka importuar të tilla enë luksi si kjo”, -shprehet Stamati. Një pjesë e saj ka mbetur pa plotësuar për mungesë të materialeve, por ai shprehet se kjo vazo është një kopje unike e këtyre zbukurimeve që vinin nga Venediku.
Marre nga : BalkanWeb.com











