Vace Zela Kam nje deshire te marre per skenen

Vaçe Zela: Kam një dëshirë të marrë për skenën
E mallëngjen çdo fjalë shqip që dëgjon përmes telefonit. Psherëtima që ndihet e tradhton. Veçanërisht në ditë të shënuara të jetës. Në anën tjetër të receptorit, Vaçe Zela përpiqet t‘i japë formë mendimit. Nesër mbush plot 70 vjeçe. "Mos më ngacmoni se çfarë ndiej. E kam të pamundur ta përshkruaj". Zëri i saj i butë, me një ton lutës, nuk e ka më forcën që mbushte çdo cep të skenës. Nuk është e vështirë të kuptosh se sëmundja e disa viteve, malli, emocioni që e çon deri në përlotje, janë pjesë e këtij komunikimi telefonik. Legjenda e këngës shqiptare ka vite që përvjetorët i feston larg në Zvicër, në shtëpinë e vajzës së saj. Këto ditë, zilja e telefonit do të bjerë më shpesh. Urimet nuk mungojnë asnjëherë nga Tirana. Ajo, simboli i gjallë i këngës, nuk harron të thotë se i mungon gjithçka shqiptare. Udhëtimi drejt vendit të saj i duket gjithnjë e më shumë një ëndërr. Që prej fillimit të vitit, në Tiranë filloi të përflitej për një ardhje të mundshme të saj. Një 70-vjetor, një mall mbytës i këngëtares për t‘u kthyer dhe një dëshirë e publikut për ta parë e ndjerë nga afër, do të ishin justifikime të mjaftueshme për t‘i bërë sfidë sëmundjes. Por ndodh që ajo është edhe më kokëfortë se vullneti i këngëtares. "Do të doja shumë të kisha ardhur.

Që para dy muajsh, së bashku me familjen e kishim menduar se do të udhëtonim për në Tiranë. Dëshironim që këtë përvjetor ta festonim aty, t‘i mblidhnim të gjithë njerëzit. Por gjendja ime shëndetësore këto ditë është përkeqësuar dhe nuk mundem të vij", thotë me keqardhje këngëtarja e njohur. Ndërsa ngushëllohet nga fakti se familjarët do të udhëtojnë drejt Zvicrës, do t‘i bashkohen vajzës dhe bashkëshortit të saj në këtë ditë gëzimi. Pranon se i kanë ardhur disa ftesa nga Tirana për aktivitete që ishin menduar të organizoheshin në këtë përvjetor për nder të saj. A do të doje ta festoje në Tiranë këtë përvjetor? Një "ahhhhh" e stërgjatur nuk të lë vend për komente.

"Shumë" - e shqiptuar nga e madhja Vaçe Zela i ngjan gati një dëshire fëmijërore. "Unë kam kohë që mendoj të vij. Në këtë periudhë më kanë ardhur edhe disa ftesa nga Tirana, por nuk u ktheva një përgjigje përfundimtare. Gjithçka varej nga gjendja ime shëndetësore. Ndërsa tani hoqëm dorë nga kjo ide", thotë Vaçe Zela, teksa merr frymë thellë. Emocioni është "armiku" i saj. Ia gëlltit fjalët. Çfarë i mungon nga Shqipëria? "I gjithë populli. Skena më mungon aq shumë". Me siguri që mes pauzave të komunikimit fjalët turbullohen nga një valë kujtimesh. Tashmë nuk mund të pretendohet që të marrë mikrofonin për nostalgjikët e shumtë që e ndiqnin në çdo dalje në skenë. Ajo që mund të pritej ishte vetëm një ngjitje simbolike e saj dhe një përshëndetje për publikun, që e mbajnë si ikonën e këngës shqiptare. "Sa dëshirë do të kisha të ngjitesha edhe njëherë në skenë. Por kjo është e kotë tani. Janë dëshira të marra", psherëtin nga telefoni. Por me aq sa mundet e ruan ende lidhjen me Shqipërinë. Ka shqiptarë që shkojnë e takojnë në shtëpinë në Zvicër.

Ndërsa televizioni është një dritare ku ajo përjeton paksa ato që ndodhin në Shqipëri. Atmosfera e anëtarësimit në NATO nuk i ka shpëtuar. "Sot (dje) jam e mrekulluar. Sa bukur ishte", shprehet këngëtarja. E nëse e pyet se cilën nga këngët e saj do të donte ta kishte si himn në 70-vjetorin e saj, nuk ndan asnjërën. "Çdo këngë që kam kënduar", është përgjigjja. Vetë shprehet se tashmë dëgjon shumë rrallë këngë shqiptare. Ajo që u bë këngëtarja më e dashur, modeli i paarritshëm për aspirantët e rinj, do të lindte më 7 prill të 1939-ës në qytetin e Lushnjës. Talenti i saj do të spikaste që e vogël, ku prezantohet në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj. Sa mall ndjen ajo për vendlindjen? "Mezi pres që ta shoh. Ta shoh si është bërë, si ka ndryshuar". Prej këtij qyteti të vogël do të niste rrugëtimi i saj. Skena e festivalit të këngës, ku shënon rreth 30 pjesëmarrje, do ta njihte si këngëtaren më të suksesshme. Çmime të shumta do të vinin nga interpretimi në interpretim. Këngët "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua", "Moj e bukura Shqipëri", e shumë të tjera do të mbeten gjatë në kujtesë. Sot ato i dëgjojmë të risjella nga këngëtarët më të rinj shqiptarë.

Në këto raste përvjetorësh të kujtohen natyrshëm edhe vlerësimet që i kanë shkuar këngëtares për kontributin e saj. "Artiste e Merituar" në ‘73-in, "Artiste e Popullit" në ‘77-ën, "Mjeshtre e madhe e punës", "Qytetare nderi e Lushnjës". Po në qytetin e lindjes, kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, ndërsa Presidenti Moisiu i akordoi titullin "Nderi i Kombit", u shpall "Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit". Çmime i vijnë edhe nga jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela ka marrë "Diskun e Artë" nga Amerika për kontribut në shoqëri në vitin ‘97, është zgjedhur gruaja e vitit ‘97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, "Mikrofoni i Artë" nga Ministria e Kulturës e Kosovës, "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë. Në 70-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e ka shpallur një nga tri personalitetet e vitit, së bashku me poetin Lasgush Poradeci dhe skulptorin Odise Paskali. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Këngët e saj, zëri i cilësuar brilant, gjenden e dëgjohen me dëshirë edhe sot. Ajo ka vetëm dy fjalë për ta përshkruar se si e bën të ndihet kjo gjë: "Jam e lumtur!"



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama