Universitetet ja sa rriten tarifat per vitin e ri akademik

Universitetet, ja sa rriten tarifat per vitin e ri akademik
Detajohen tarifat e shkollimit që do të paguajnë studentët që do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve publike, për studimet me kohë të plotë, në vitin e ri akademik. Gazeta zbardh vendimin e miratuar nga qeveria në datën 27 qershor 2012, për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në universitetet publike, për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë. Krahasuar me një vit më parë, sivjet tarifat e studimit janë rritur nga 1000-3000 lekë të reja, shifra që variojnë sipas degëve, por që shtesa është më e lartë te programet e studimit që janë më të preferuara. Kështu, për degët e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë taksa e shkollimit është rritur me 3000 lekë, për Farmacinë, Stomatologjinë, Shëndetin Publik, tarifa e të cilave do të jetë 34 503 lekë, dhe 2000 lekë për Mjekësinë e përgjithshme, që nga 26 570 do të shkojë në 28 738 lekë.

E njëjta rritje ka ndodhur edhe me Juridikun, në të cilin taksa e shkollimit gjatë vitit të ri akademik do të jetë 34 503 lekë nga 31 900 që ka qenë vjet. Si gjithmonë, edhe për vitin e ri akademik më shtrenjtë studimet do të kushtojnë në universitetet e kryeqytetit, por pas nuk ngelen as disa degë në rrethe që janë të kërkuara nga të rinjtë. Sipas vendimit të qeverisë, kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2012-2013, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

Në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2012-2013, tre studentet e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin Meritë-Preferencë), në programin e studimit përkatës do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.

Pranimet me dy raunde

Ministria e Arsimit ka vendosur që edhe këtë vit pranimi i studentëve në universitetet publike të bëhet me dy raunde, çka do të thotë se pas shpalljes së fituesve të fazës së parë do të ketë një spostim liste. Sipas vendimit, pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë do të bëhet nëpërmjet parimit Meritë- Preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). “Shpërndarja e maturantëve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me Formularin A2) zhvillohet në dy faza: faza paraprake dhe ajo përfundimtare.

Kuotat që mbeten të parealizuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë, vetëm për ato programe studimi ku nuk cenohet parimi i “Meritës”. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3 (raundi i dytë), sipas preferencave të kandidatëve”, – sqarohet në vendim. Në të përcaktohet se Formularin A3 do të kenë të drejtë ta plotësojnë të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me Formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama